Në episodin e parë të ciklit “Përballje Podcast” për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, flet Besa Shahini nga Partia Socialdemokrate, që për herë të parë garon për kryetare të Prishtinës.

Shahini ka përmendur disa nga temat kryesore ku do të fokusohet, si ofrimi i një arsimi cilësor, ndërtimi i shkollave dhe çerdheve, përmirësimi i lidhjes mes lagjeve, si dhe çështje të tjera me rëndësi e interes për komunitetin.


Kandidatja për kryetare të Prishtinës ka folur edhe për ndërtimet e larta në kryeqytet, duke i cilësuar ato si një nga problemet kryesore.

"Ndërtimi i lartë, na nuk jemi kundër ndërtimit të lartë dhe nuk jemi kundër zhvillimit të Prishtinës.Unë mendoj që kjo thjesht do të bëhet, por ndërtimi i lartë ka shumë kuptim, nëse merret hapësira, merren tokat, edhe për një hapësirë të madhe ndërtohet në vertikale, domethënë po lirohet toka horizontalisht, po lirohet oborr. Ligjet e Kosovës parashohin që 40% e një toke mund të përdoret për ndërtim, ndërsa 60% duhet të lihet si hapësirë e gjelbër, parking, rrugë, trotuare e tjerë", ka pohuar ajo.

Shahini përmendi lagjen e Muhaxherëve, ku tha se aty ndërtesat e lara nuk e plotësojnë 60 % ashtu siç e parasheh ligji.

"Nëse kalon nëpër lagjen e Muhaxherëve në këmbë, ti e sheh që asnjë nga ato ndërtesa të reja nuk e kanë 60% përreth, por çka ka përreth janë shtëpi të vogla. Pra, siç duket, ne duhet t'i biem në fund edhe kësaj problematikë, do të marrim vesh saktësisht pse. Po siç duket është se janë marrë kushtet e ndërtimit për më shumë parcela sesa që përfundimisht janë dhënë për t'u përdorë nga një ndërtesë e lartë", pohoi ajo.

Kandidatja për kryetare të Prishtinës, Besa Shahini në ‘Përballje Podcast’ Foto: Ridvan Slivova

Përveç ndërtimeve të larta, Shahini thotë se qytetarët po përballen edhe me çmime të larta të qirasë.

Kandidatja e PSD-së u shpreh edhe lidhur me kundër-kandidatët e saj në zgjedhjet e 12 tetorit.

"Kundër-kandidatët vijnë nga një mendësi e ngjashme me njëri-tjetrin për mënyrën e qeverisjes. Kam përshtypjen që shkojnë drejt, mendojnë që që të jesh në krye të komunës duhet të jesh një menaxher i mirë, e unë çka kam mësuar në Shqipëri si ministre e Arsimit është që për fusha të vështira duhet me ditë të qysh me të qeverisë, jo vetëm me menaxhu. Se menaxhimi është kur gjërat janë të strukturuar dhe ti veç i orienton pak këndej ose andej, ndërsa qeverisja nënkupton marrje e vendimeve të vështira edhe shtyrje deri në fund e projekteve", theksoi ajo në Përballje Podcast.

Shahini shtoi se LDK-në dhe PDK-në i pa se si qeverisin në kryeqytet.

"Për LDK-në dhe për PDK-në i kemi pa në qeverisjen në Prishtinë, edhe në bashkëqeverisje, të dyja palët i kanë bërë gabimet e veta edhe tash në këtë betejën mes tyre kanë bërë edhe gabime që kanë m'i kushtu Komunës në të ardhmen, si për shembull Kompania Pastrimi", potencoi ajo.

Ajo foli edhe për kandidatin nga LVV, e që aktualisht është ministër në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku.

"Me Hajrulla Çekun kemi shërby bashkë në Shqipëri, por për sot nuk jam e sigurt dhe ai në disa prononcime thotë që unë jam si një propozim nga partia, jam një lojtar në ekip, pra sikur nuk e ka marrë me pasion këtë farë punën e Prishtinës", u shpreh ajo.

Sipas saj, Çeku nuk mundet të bëjë ndryshime në Prishtinë, nëse nuk e do me shpirt këtë punë, ndërsa shtoi se ajo ka sjell një përvojë prej Shqipërisë për mënyrën e qeverisjes. /Telegrafi/