LAJMI I FUNDIT:

Zgjedhja e studentëve më të mirë

Zgjedhja e studentëve më të mirë

Në vende të ndryshme dhe për arsye të ndryshme, politikat e pranimit në universitete po sulmohen. Në një gjykatë në Boston, më 15 tetor, një gjyqtar do të fillojë të dëgjojë një padi që pretendon se procesi i pranimit të Harvardit diskriminon amerikano-aziatikët. Në Mbretërinë e Bashkuar, deputeti David Lammy e përshkroi Oksfordin dhe Kembrixhin si “çifligje të privilegjimit të rrënjosur”, për shkak të shumë studentëve që ata pranojnë nga shkollat private. Në Japoni, Universiteti Mjekësor i Tokios ka kërkuar ndjesë për manipulimin e rezultateve të provimit të pranimit të femrave për të arritur përqindjen e femrave të pranuara në 30 për qind.

Le t’i hedhim një sy secilës prej këtyre polemikave me radhë. Prej kohësh ka qenë e qartë se përqindja e amerikano-aziatikëve të pranuar në universitetet më të mira private të Amerikës është dukshëm më e ulët sesa përqindja e pranuar nga universitetet publike, ku është e ndaluar marrja në konsideratë e racës. Në vitin 2013, për shembull, regjistrimi i amerikano-aziatikëve ishte 14-18 për qind në Harvard, Jeill, Prinston, Braun, Kornell dhe Kolumbia. Në dy kampuset kryesore të Universitetit të Kalifornisë, Los Anxhelos dhe Berkelej, përqindja varion në 32-35. Ky variacion nuk mund të shpjegohet lehtësisht nga demografika e Kalifornisë, sepse në Stanford, universitetin kryesor privat të Kalifornisë, regjistrimi i amerikano-aziatikëve ishte 23 për qind, shumë herë më i ulët se në institucionet kryesuese të Kalifornisë (përkundrazi, ata të përfshirë në Institutin privat Kalifornian të Teknologjisë ishin 43 për qind amerikano-aziatikë.)


Megjithëse Harvardi, Stanfordi, Jeill, Prinston, Braun, Kornell dhe Kolumbia janë universitete private, secili merr miliona dollarë fonde publike, që do të thotë se u kërkohet të ndalojnë “diskriminimin racor” të paligjshëm. Studentët për Pranime të Drejta, organizata që ka paditur Harvardin, ka dorëzuar në gjykatë një dokument që tregon se një shqyrtim nga Zyra e Kërkimit Institucional të vetë Harvard zbuloi se në vitin 2013, amerikano-aziatikët kishin më pak gjasa të pranoheshin sesa të bardhët që performonim mjaft mirë në të gjitha matjet përveç një rankimi subjektiv “personal”. Nëse pranimi do të bazohej vetëm në performancën akademike, pranimet në Harvard do të ishin 43 për qind amerikano-afrikanë. Në vend të kësaj, janë 19 për qind.

Në gusht, Departamenti Amerikan i Drejtësisë bëri “një deklaratë interesi” në çështje duke argumentuar se Harvard ka dështuar të tregojë se nuk i diskriminon padrejtësisht amerikano-aziatikët. Kjo mund të jetë motivuar nga sulmi i administratës së Trump për veprimin e afirmimit për amerikano-afrikanët dhe studentët hispanikë, por do të ishte e mundur të pranoheshin më shumë studentë nga këto minoritete në disavantazh pa e bërë më të vështirë për amerikano-aziatikët të pranohen sesa për amerikanët e bardhë.

Oksfordi dhe Kembrixh janë kritikuar prej kohësh se kanë pranuar një numër në disproporcion studentësh nga shkollat private si Uestministër dhe Eton. Vitin e shkuar, Oksfordi pranoi më shumë studentë nga 12 shkolla private sesa nga të gjitha 841 shkollat shtetërore bashkëkohore. Kjo pavarësisht shpenzimit të 17.8 milionë dollarëve që nga 2009 për shkollat në disavantazh, një përpjekje që çoi në pranimin e 126 studentëve të tjerë të disavantazhuar, me kosto prej 140 mijë dollarë për secilin.

Në shoqëritë shumë të pabarabarta, universitetet elitare që marrin fonde qeveritare mund të pritet të luajnë një rol në nxitjen e lëvizshmërisë sociale. Ato mund ta bëjnë këtë pa bërë kompromis me vlerat e arsimimit duke marrë parasysh në përzgjedhjen e studentëve, prova se ata nga shkollat e disavantazhuara ia kalojnë bashkëmoshatarëve të tyre nga shkolla më të mira që kanë marrë të njëjtat pikë në provimet e pranimit. Kjo do të thotë se pikët e provimeve të studentëve që shkojnë në shkollat më të mira duhet të ulen në atë formë që krijon racionin më të përshtatshëm.

Si mund të matet më mirë aftësia shkollore në kontekste të ndryshme – kjo mund të zbulohet përmes kërkimeve të procesit akademik të studentëve të pranuar në bazë të metodave konkurruese të vlerësimit, si pikët në provime, testet e inteligjencës, intervistat dhe me radhë. Për të promovuar mobilitet shoqëror më të madh duke pranuar studentë nga shkolla të disavantazhuara që nuk kanë gjasa të dalin po aq mirë sa aplikantët e tjerë, kjo do të kompromentonte standardet arsimore të universitetit dhe qartazi universitetet nuk kanë pse shkojnë aq larg.

Manipulimi i pikëve të provimit të aplikanteve femra në Universitetin Mjekësor të Tokios bie në një kategori tjetër, sepse është një formë e zhurmshme e mashtrimit. Shpjegimi i ofruar ishte se “shumë studente femra që diplomohen përfundojnë duke e lënë praktikën mjekësore për të lindur dhe rritur fëmijët”. Pavarësisht disa pranimeve të nevojës për reformim të praktikave në spitale dhe ndërtesa të tjera mjekësore për të akomoduar nevojat e doktoreshave, deri më tani pak ka ndryshuar. Vetëm 20 për qind e doktoreve japoneze janë gra, një shifër që e vë atë në fund të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe shumë më poshtë mesatares së saj prej 46 për qind.

Për çudi, shumë kolegje amerikane po i diskriminojnë gjithashtu gratë. Për shkak se ata marrin më shumë aplikime nga gra të mirëkualifikuara sesa nga burrat e kualifikuar ngjashmërisht, ata pranojnë burra më pak të kualifikuar për të siguruar balancë gjinore në kamp. Është balanca gjinore aq e rëndësishme sa të justifikojë shkeljen e parimit të meritës?

Kriteri më i qartë për pranimin në një universitet është aftësia shkollore. Veprimet për shmangien e këtij kriteri, siç janë mobiliteti social apo dëshira për një komunitet studentor divers, duhet të deklarohen dhe mbrohen publikisht pastaj të aplikohen në një mënyrë sa më transparente dhe të drejtë. Harvardi do të duhet të tregojë se vlerësimi personal i aplikantëve e kalon testin e tij të drejtësisë dhe nuk është një përsëritje e kuotave që universitetet private Verilindore të SHBA filluan të aplikojnë në vitet 1920 për të pakësuar numrin e studentëve hebrenj të pranuar.

Oksfordi dhe Kembrixh, nga ana tjetër janë në terren solid nëse po zgjedhin pjesëmarrës me aftësitë më të larta shkollore duke ulur pikët e provimit për studentët nga shkollat private. Dhe Japonia duhet të hapë një diskutim rreth mënyrave më të mira për t’i dhënë grave mundësi të barabarta jo vetëm për t’u bërë doktoresha, por edhe për të vazhduar praktikën mjekësore dhe për të përdorur trajnimin mjekësor në nevojë të atyre që duan kujdes shëndetësor. /Project Syndicate/BIRN/