Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se "paralelisht me pistën diplomatike" të bisedimeve të sotme në Gjenevë, "ne duhet të bëjmë gjithçka për të forcuar mbrojtjen tonë" kundër "sulmeve të liga ruse".

Mesazhi vjen ndërsa ai njoftoi përfundimin e një misioni shpëtimi në Ternopil, në Ukrainën perëndimore, ku një sulm rus ndaj një ndërtese banimi vrau 33 persona dhe la gjashtë të zhdukur, transmeton Telegrafi.


"Gjatë gjithë javës, këto sulme nuk janë ndalur: janë përdorur më shumë se 1,050 dronë, pothuajse 1,000 bomba dhe më shumë se 60 raketa të llojeve të ndryshme", shkroi Zelensky në një postim në mediat sociale.

"Është shumë e rëndësishme të përshpejtojmë zbatimin e të gjitha marrëveshjeve tona me partnerët mbi sistemet e mbrojtjes ajrore dhe raketat", shtoi ai.

"Faleminderit të gjithëve që ndihmojnë në mbrojtjen e jetëve. Faleminderit të gjithëve që punojnë për paqen", tha për fund presidenti ukrainas. /Telegrafi/