LAJMI I FUNDIT:

Zeka: Ndërtimi i tubacionit të gazit do të fuqizonte kapacitetet industriale të Kosovës

Zeka: Ndërtimi i tubacionit të gazit do të fuqizonte kapacitetet industriale të Kosovës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës në buxhetin e ri të propozuar nga presidenti Joe Biden ka marr vendim që t’i ndaj Kosovës rreth 200 milionë euro në kuadër të agjencisë së Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

Në këtë fond, njëri nga projektet është ndërtimi i sektorit energjetik, përkatësisht ndërtimi i infrastrukturës së gazit.


“MCC dhe Qeveria e Kosovës përditësuan dhe riafirmuan qasjen në energji të sigurt dhe të përballueshme si një pengesë për rritjen ekonomike të vendit. Gjatë dy viteve të fundit, MCC ka punuar me Qeverinë dhe akterët e tjerë për të zhvilluar një program të fokusuar në sektorin e energjisë të Kosovës. MCC dhe Qeveria përfunduan studimet e fizibilitetit në vitin 2020 për të vlerësuar tre projekte të propozuara: zhvillimin e sektorit të gazit natyror të Kosovës, krijimin e rezervave të energjisë për balancimin e sistemit energjetik dhe përmirësimin e shpërndarjes së energjisë elektrike”, thuhet në vendimin e MCC-së, përcjell Telegrafi.

Për drejtorin ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka plasimi i gazit LNG përbën interes strategjik për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se Kosova ka interes të diversifikojë burimet e energjisë.

Gazi nga Greqia i përkrahur nga Shtetet e Bashkuara – reagimet dhe gjithçka çka dihet për tubacionin
Lexo po ashtu Gazi nga Greqia i përkrahur nga Shtetet e Bashkuara – reagimet dhe gjithçka çka dihet për tubacionin

“Përtej zotimeve që Kosova ka ndërmarrë me nënshkrimin e marrëveshjes për normalizim ekonomik për diversifikimin e furnizimeve të energjisë, por edhe përtej faktit që plasimi i gazit LNG përbën interes strategjik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të cilën edhe ne synojmë t’i harmonizojmë interesat tona shtetërore, Kosova ka interes të diversifikojë burimet e energjisë, meqë kjo do të ndihmonte në reduktimin e konsumit të energjisë elektrike, e cila në masë të madhe gjenerohet nga thëngjilli, duke reduktuar kështu edhe nivelet e ndotjes që krijohet nga termocentralet me bazë linjiti”, thuhet në përgjigjen e Zekës për Telegrafin.

Ai shton se investimi në infrastrukturën e gazit do të ndihmonte fuqizimin e kapaciteteve industriale.

“Investimi në zhvillimin e infrastrukturës së gazit do të rriste efikasitetin e energjisë në vend, dhe rrjedhimisht do të ndihmonte edhe në fuqizimin e kapaciteteve industriale, meqë do të ndikonte në rritjen e përparësive konkurruesve të ndërmarrjeve prodhuese që operojnë në Kosovë”, shton ai.

Sipas Zekës, Kosova do të duhet ta shfrytëzoj këtë përkrahje financiare që vijnë nga agjencitë amerikane.

“Kosova do të duhej të shfrytëzonte përkrahjen financiare që ofrohet nga agjencitë shtetërore amerikane, meqë kjo do të lehtësonte edhe barrën financiare të investimit të përgjithshëm”, përfundon Zeka.

Projekti për Zhvillimin e Sektorit të Gazit Natyror do t’u jepte përdoruesve të energjisë një mundësi më efikase të përdorimit të energjisë termike dhe do të kontribuonte në përmirësimin e cilësisë së ajrit. /Telegrafi/