LAJMI I FUNDIT:

Zeka: COVID-19 ka ndërprerë në tërësi aktivitetin e 40 për qind të bizneseve, pjesa tjetër rrezikohet të mbijetojë

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka në një intervistë për Telegrafin ka thënë se pandemia e COVID-19 ka shkaktuar mjaftë telashe në operimin e bizneseve, sidomos të sektorit privat.

Ai thotë se pas vendosjes së gjendjes emergjente në vend deri më tani 40 për qind e bizneseve e kanë ndërprerë në tërësi aktivitetin e tyre ekonomik.


Zeka tregon Pakoja Emergjente Fiskale është e mirë se ardhur për biznesin, por sipas tij, ka vonesa në ekzekutimin e saj.

“Jo vetëm ne si Odë Ekonomike Amerikane por edhe odat e tjera ekonomike ka në shprehur shqetësimin e tyre, jo vetëm për sa i përket shumës së Pakos Emergjente Fiskale, duke e pasur parasysh se ajo reflekton në buxhetin e vendit, por duke e ditur se ajo nuk mund t’i mbuloj të gjitha dëmet që u janë shkaktuar bizneseve. Pakoja është e mirë se ardhur, vonesa në zbatimin e saj, konkretisht në ekzekutimin e mjeteve, është shqetësuese gjendja ashtu siç është shqetësuese edhe shumë e të gjitha masave. Është e rëndësishme që mjetet të afektohen në këto ndërmarrje të goditura”, tregon Zeka.

Ai shton se të gjitha ndërmarrjet janë ndikuar në mënyrë jo të drejtpërdrejt nga kjo pandemi.

“Në ditët e para bizneset janë ballafaquar kryesisht me paqartësinë me vendimet e qeverisë, nga ana tjetër edhe pse është bërë korrigjimi kjo ka ndikuar në operacionet e biznesit dhe natyrisht një pjesë e madhe e bizneseve janë detyruar të mbyllen me vendimin e Qeverisë së Kosovës. Ajo çka është shqetësuese se të gjitha ndërmarrjet janë afektuar në mënyrë indirekte. Sipas një ankete të organizuar nga pesë oda ekonomike, del se 40 për qind e bizneseve e kanë ndërprerë në tërësi aktivitetin e tyre ekonomik, kurse pjesa tjetër është e rrezikuar, ose punojnë me kapacitetet të reduktuara, apo me orë të shkurtuara ose një pjesë e tyre i kanë aranzhuar punët e tyre të kryhen nga shtëpia”, shton ai.

Zeka thotë se duhet të hartohet një plan për rikuperimin e ekonomisë së vendit pas kalimit të pandemisë.

“Kur do që përfundon pandemia, atëherë kalojmë dhe flasim për zbatimin e një programi më të madh të rikuperimit, shuma e së cilës duhet të jetë më e madhe se sa që është kjo e Pakos Emergjente Fiskale dhe gjithçka do të varet nga vlerësimi i dëmeve reale që i ka shkaktuar edhe ndërmarrjeve të sektorit privat por edhe ekonomisë së vendit në përgjithësi. Pra, gjithçka do të varet nga kohëzgjatja e pandemisë”, tha Zeka.

Po ashtu, drejtori ekzekutiv i OEAK-ut në këtë intervistë ka folur edhe për informalitetin dhe rënien ekonomike të vendit në këtë kohë të pandemisë. /Telegrafi/