LAJMI I FUNDIT:

Zbulohet vaksina kundër HIV-it?

Zbulohet vaksina kundër HIV-it?

Pasi që ende nuk ka ilaç efikas për AIDS-in, shkencëtarët kanë filluar të përqendrohen në parandalimin, respektivisht, në vaksinën kundër HIV-it. Hulumtimet klinike në njerëz do të nisin në Belgjikë. Prova e kësaj vaksine tek një majmun veç ka pasur efekt.

Kompania Mymetics, me seli në Nyon të Zvicrës, ka bërë të ditur, të mërkurën në Gjenevë se, për një viti, do të fillojë fazën e parë të testimit klinik të vaksinës së mundshme kundër HIV-it.

Testimi i kësaj vaksine e cila nxit prodhimin e anti-trupave në mukozë, anti-trupave të ngjashme të cilat ekzistojnë tek njerëzit me imunitet natyror, do të kryhet në Belgjikë, duke filluar qysh në vjeshtën e vitit 2008, me 30 deri në 40 gra, ka thënë Sylvain Fleury, drejtor shkencor i Mymetics.


Kompania i kryen hulumtimet e saja shkencore në bashkëpunim me laboratorët farmaceutikë. Ajo thekson se vaksina e saj ka nxitur prodhimin e anti-trupave në mukozën e organeve seksuale dhe zorrëve tek më shumë se 90 për qind të majmunëve makaki që janë vaksinuar.

Për imunizim nevojiten dy deri në tri doza të vaksinës, në periudhën kohore prej gjashtë muajsh, para ekspozimit ndaj virusit.