Emerald Fennell ka prezantuar trailerin e parë të adaptimit të saj më të ri, “Wuthering Heights”, një version i mbushur me tension seksual, pasion dhe imazhe të guximshme që shkojnë përtej kufijve të romanit gotik të Emily Brontë-s të vitit 1847.

Regjisorja, e njohur për suksesin me “Promising Young Woman” (fitues i çmimit Oscar) dhe “Saltburn”, ka sjellë në qendër të projektit aktorë të mëdhenj si Margot Robbie, producentja e Barbie-t, Jacob Elordi nga “Saltburn” dhe aktori i ri Owen Cooper.


Pamjet e para përfshijnë Elordi-n pa këmishë, skena sugjestive si brumosja e bukës dhe detaje të tjera të ngarkuara me sensualitet, të cilat nënvizojnë qasjen e re artistike të Fennell, shkruan BBC.

Historia mbetet besnike në thelb ndaj romanit klasik – dashuria shkatërruese dhe obsesive midis Catherine Earnshaw dhe Heathcliff, e ndërlidhur me temat e klasës dhe marrëdhëniet mes familjeve Earnshaw dhe Linton. Por trailer-i i ri e shtyn tregimin drejt një atmosfere më erotike dhe vizualisht më provokuese.

Projekti, i cili vitin e kaluar ndezi një garë ofertash të mëdha mes platformave, përfundimisht u sigurua nga Warner Bros për 80 milionë dollarë, me premtimin e një distribucioni të gjerë kinematografik dhe një fushate masive marketingu.

Filmi pritet të dalë në Shën Valentin 2026, dhe tashmë ka filluar të promovohet në SHBA dhe Britani me sloganin “më çmend”.

Muzika do të përfshijë këngë origjinale nga Charli XCX dhe një partiturë nga kompozitori Anthony Willis. Ndërsa Elordi e ka cilësuar projektin si një “romancë epike vizualisht të mrekullueshme”, kastingu i tij për rolin e Heathcliff ka hapur debat në rrjetet sociale, duke rikthyer diskutimet për besnikërinë ndaj përshkrimeve të librit.

Megjithatë, me stilin e veçantë të Fennell dhe pritshmëritë e larta pas “Saltburn”, ky adaptim i “Wuthering Heights” pritet të jetë një nga filmat më të komentuara të vitit të ardhshëm, tashmë i përshkruar nga kritikët si një “50 hijet e Brontës”. /Telegrafi/