Wesley Fofana ka ngritur pikëpyetje mbi të ardhmen e tij te Chelsea, pasi ka hequr të gjitha referencat për klubin nga llogaria e tij në Instagram.

Mbrojtësi, i transferuar për 75 milionë euro, ka fshirë çdo postim që lidhet me “Blutë”, ndërsa ende ruan fotografi nga periudha te Leicester City, Saint-Etienne dhe kombëtarja franceze. Ky veprim ka mjaftuar që tifozët të ngrenë dyshime mbi marrëdhënien e tij me klubin.


Megjithatë, burime pranë lojtarit kanë theksuar për Daily Mail se nuk bëhet fjalë për ndonjë konflikt me Chelsean. Sipas tyre, ndryshimet janë pjesë e rregullimeve që po bëhen në profilin e tij në rrjetet sociale.

24-vjeçari ishte në stol gjatë barazimit 0-0 kundër Crystal Palace fundjavën e kaluar. Trajneri Enzo Maresca preferoi të aktivizonte Josh Acheampong dhe Trevoh Chalobah në qendër të mbrojtjes, ndërkohë që Levi Colwill mungon për shkak të një dëmtimi serioz në ligament. Strategu italian pritet të kërkojë edhe një mbrojtës tjetër para mbylljes së merkatos, gjë që mund të kufizojë hapësirat e Fofanës këtë sezon.

Kjo nuk është hera e parë që francezi përdor Instagramin për të dërguar sinjale. Në vitin 2022, gjatë kohës te Leicester City, ai fshiu postimet që lidhnin atë me klubin si formë presioni për një kalim te Chelsea.

Madje, atëkohë publikoi një mesazh enigmatik në frëngjisht: “Babai im më tha se do të mërzisësh shumë njerëz kur të fillosh të bësh atë që është më e mira për ty, dhe unë kam filluar ta kuptoj këtë”.

Transferimi i tij drejt Stamford Bridge u finalizua atë verë për shifrën e majme prej 75 milionë euro. Mirëpo që nga mbërritja në Londër, karriera e Fofanas është shoqëruar nga dëmtime të njëpasnjëshme. Ai ka humbur plot 73 nga 115 ndeshjet e Ligës Premier me Chelsean dhe nuk luajti asnjë minutë sezonin e kaluar pas operacionit në ligamentin e gjurit.

Kjo situatë e bën të pasigurt të ardhmen e mbrojtësit te Chelsea, pavarësisht investimit të madh që klubi londinez ka bërë për të. /Telegrafi/

telegrafi sport app