Zbulohet pse Palmer u frustrua pasi u zëvendësua

Cole Palmer shfaqi qartë frustrim pas zëvendësimit gjatë humbjes 2-1 të Chelseat ndaj Aston Villës në “Stamford Bridge”, duke goditur ulësen në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të trajnerit Enzo Maresca.
Sipas gazetarit të brendshëm Kieran Gill, Palmer e vuri në diskutim vendimin me ndihmës-trajnerin Danny Walker në momentin e daljes nga loja, teksa rezultati ishte ende i barabartë në pjesën e dytë.
Irritimi i tij ishte i dukshëm edhe më herët, për shkak të shpërdorimit të rasteve nga bashkëlojtarët.

Ylli i Chelseat ishte rikthyer së fundmi pas një periudhe të gjatë dëmtimi, me Marescan që po menaxhonte minutat e tij me kujdes, një qasje e ngjashme me atë të ndjekur me Reece James.
Megjithatë, Palmer dukej se priste të aktivizohej për të gjithë 90 minutat në një përballje kaq vendimtare.
Chelsea kryesonte në pjesën e parë, por u shemb më pas, duke i lejuar Ollie Watkins të realizonte dy gola që i siguroi Aston Villës fitoren e 11-të radhazi.
Në këtë sezon, Palmer ka regjistruar tre gola në tetë paraqitje me fanellën e Chelseat. /Telegrafi/







































