LAJMI I FUNDIT:

Zbulohet ora biologjike në ADN

Zbulohet ora biologjike në ADN

Shkencëtarët amerikanë kanë zbuluar orën biologjike të bazuar në ADN, e cila mat shpejtësinë e plakjes së indeve dhe organeve në trupin tonë.

Kjo orë tregon se shumica e indeve plaket me shpejtësinë e njëjtë si edhe i gjithë trupi, por ekzistojnë pjesë të trupit që plaken shumë më shpejt ose shumë më ngadalë. Organet e sëmura, për shembull, mund të jenë deri në dhjetë vjet më "të vjetra" sesa organet e shëndosha dhe atë në të njëjtin trup.

Ekipi i hulumtuesve nga Universiteti i Kalifornisë në Los Angjelos (UCLA) beson se deshifrimi i mekanizmit të punës së kësaj ore do t’u mundësonte shkencëtarëve që ta kuptojnë më mirë procesin e plakjes, dhe në këtë mënyrë edhe të dalin me ilaçe dhe terapi të reja të cilat do të mund ta ngadalësonin plakjen.


“Do të ishte shumë interesante nëse do të zhvilloheshin terapi të reja të cilat do ta "resetonin" orën dhe do të na mbanin më gjatë të rinj”, tha udhëheqësi i ekipit Steve Horvath, profesor i gjenetikës dhe biostatistikës.

Në një studim të botuar në revistën “Genome Biology”, studiuesit amerikan theksuan se kanë ekzaminuar ADN-në e 8.000 mostrave nga 51 qeliza dhe inde të shëndosha dhe kancerogjene, transmeton Koha.net. Në veçanti, ata analizuan se si metilimi, një proces i natyrshëm i cili në mënyrë kimike e modifikon ADN-në, ndryshon me moshën.

Horvath dhe kolegët e tij arritën në përfundimin se metilimi i 353 markerëve të ADN-së ndryshon vazhdimisht gjatë plakjes, dhe se ai mund të shërbejë si një orë biologjike.

Ora rrah më shpejt deri në moshën 20-vjeçare, dhe pastaj ngadalëson. Deri më tani nuk dihet nëse ndryshimet në ADN janë ato që shkaktojnë plakjen apo janë në fakt pasojë e plakjes.

“Shfaqja e flokëve të thinjura është një shenjë e plakjes, por askush nuk do të thoshte se ajo e shkakton plakjen”, tha Horvath.

Hulumtimi deri më tani ka çuar në rezultate interesante. Testet në inde të shëndosha të zemrës treguan se janë rreth nëntë vjet “më të reja”, ndërsa indi i gjirit ishte më i vjetër se pjesa tjetër e trupit, në një mesatare prej dy vitesh.

Indet e sëmura plaken me një ritëm të ndryshëm. Kanceri, për shembull, përshpejton orën me një mesatare prej 36 vitesh.

Studimi i Horvath tregoi gjithashtu se ora biologjike mund të kthehet në zero kur qelizat e një personi të rritur riprogramohen përmes qelizave embrionale.

Procesi i konvertimit të qelizave të personave të rritur në qeliza të ngjashme embrionale, të cilin e zbuluan John Gurdon nga Universiteti i Cambridge dhe Shinya Yamanaka nga Universiteti i Kyotos, u shpërblye me Çmimin Nobel vitin e kaluar.

“Ky koncept është dëshmi se kthimi mbrapa i orës biologjike është i mundur”, thekson Horvat, hapi i ardhshëm i të cilit është studimi i mënyrës se si sëmundjet neurodegjenerative dhe infektuese ndikojnë në orën biologjike dhe anasjelltas. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Tetë mënyra efektive për të ndaluar dhimbjen e dhëmbit në kushte shtëpie

Tetë mënyra efektive për të ndaluar dhimbjen e dhëmbit në kushte shtëpie

Shëndetësi
Kalo në kategori