LAJMI I FUNDIT:

Zbulohet një shpellë në malin Sharr nga pjesa e Tetovës (Foto)

Zbulohet një shpellë në malin Sharr nga pjesa e Tetovës (Foto)

Masivi i malit Sharr që prek trekëndëshin kufitar Kosovë-Maqedoni-Shqipëri, njihet për bukuritë natyrore, botën bimore dhe shtazore. Ky masiv paraqet një potencial të madh ekologjik dhe turistik për të tre shtetet.

Vlera e malit Sharr përfshihet edhe në aspektin e rekreacionit sportiv, pra skijimit, por edhe në atë bujqësor. Mali Sharr paraqet një vend mjaft të volitshëm dhe të rëndësishëm për sferën e blegtorisë.


Megjithatë, duket se mali Sharr nuk është edhe aq i hulumtuar, sidomos në aspekt të nëntokës, pra të hulumtimit të shpellave. Kështu, një grup spelologësh italianë, të shoqëruar nga alpinistë tetovarë të shoqatës bjeshkatare Alpine Guides – Klubi Alpin Tetova, kanë arritur që të zbulojnë shpellën e quajtur të shqiponjave, në pjesën malore të Maqedonisë, në afërsi të fshatit Bozofcë.

Sipas tyre, dimensionet e shpellës janë deri 80 metër thellësi, 20 metër gjërësi, si edhe 10 deri 20 metër lartësi. Shpelologët bëjnë të ditur se shpella është e pasur me stalagtite, stalagmite dhe zbukurime tjera.

Spelologët janë befasuar nga prania e një numri të llojeve të ndryshme të zogjve në hyrje të shpellës. Për shkak se arritja dhe hyrja në shpellë është mjaft e rrezikshme, respektivisht terreni është mjaft i ashpër, spelologët nuk bëjnë të ditur vendndodhjen e saktë të shpellës, në mënyrë që të pengohet shkuarja e njerëzve të cilët mund të pësojnë keq, nëse nuk kanë së paku njohuri elemetare se si të ngjiten nëpër terrene të vështira malore.

Ky zbulim tregon se mali Sharr nuk është i hulumtuar sa duhet dhe se ia shton edhe më tej rëndësinë dhe vlerën që ka ky vargmal./Telegrafi/