LAJMI I FUNDIT:

Ymeri i reagon Bislimit: Manipulimi me shifra nuk është zhvillim

Ymeri i reagon Bislimit: Manipulimi me shifra nuk është zhvillim

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Visar Ymeri ka thënë se prezantimi i shifrave të nga ana e ministrit në detyrë të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi për ulje të papunësisë është manipulim me shifra

Sipas Ymerit, është e pamundur që papunësia të bie në mes të mbylljes totale të aktivitetit publik për shkak të pandemisë së COVID-19.


“Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi paska deklaruar se papunësia na qenka ulur për 6.6 për qind (që i bie 1.8 pikë të përqindjes) gjatë këtij muaji. Aferim. Ky vërtetë do të kishte qenë një sukses i madh. Po të kishte qenë i vërtetë. Por jo. Ministri këtu luan me numra në mënyrë goxha manipulative dhe keqinformuese. Së pari natyrisht që është e pamundur që papunësia të bie në mes të mbylljes totale të aktivitetit publik për shkak të pandemisë. Këtë e di e tërë bota. Sigurisht se e di edhe z. Bislimi”, ka shkruar Ymeri në Facebook.

Ai shton se, nëse në të vërtet ka rënie të papunësisë, atëherë kjo është meritë e qeverive të kaluara.

“Së dyti nëse papunësia na paska rënë për 6.6% atëherë ky do të kishte qenë rezultat i politikave ekonomike të qeverive të kaluara, kur e kemi parasysh se kjo Qeveri është në pushtet prej fillimit të shkurtit, ndërsa Ministri po flet për muajin prill. Është më tepër se naive të mendosh që mund ta ndikosh papunësinë me një muaj mirëqeverisje (edhe kur kjo është superqeverisje siç po e mendojnë zyrtarët qeveritar). Edhe këtë besoj e di z. Bislimi”, shton ai.

Një ditë më parë, Bislimi kishte deklaruar se, Qeveria Kurti është në rrugë të mbarë për uljen e shkallës së papunësisë në nivel vendi.

“Sipas statistikave zyrtare në fund të vitit që lamë pas, 130,289 individë kanë qenë të regjistruar si të papunë, dhe shkalla zyrtare e papunësisë ka qenë 25.9 për qind. Ndryshimi mes të regjistruarve të rinj dhe atyre që kanë humbur vendin e punës bënë që numri i të papunëve brenda vetëm një muaji të ulet për 6.6 për qind që përbën uljen më të madhe në 20 vitet e fundit. Kjo, nëse merret si ndryshimi i vetëm në këtë periudhë nënkupton që shkalla e papunësisë zyrtare (ende e nënvlerësuar) do të binte në nivelin e 24.1 për qind”, kishte shkruar Bislimi në Facebook. /Telegrafi/