Ylli i Barcelonës pranon se u tundua nga paratë dhe ishte pranë transferimit në Arabi sezonin e kaluar

Ylli i Barcelonës, Raphinha, ka pranuar se ai do ta kishte pranuar transferimin në Superligën e Arabisë në vitin 2024.
Raphinha ishte lidhur fortë me një largim nga Katalonia verën e kaluar në javët e para të Hansi Flick si trajner i blaugranasve.
Sidoqoftë, ish-trajneri i Bayern Munichut ishte i vendosur për ta mbajtur atë në ekip dhe kishte kërkuar nga pronarët që të bllokojnë çdo ofertë nga Lindja e Mesme.
Ky vendim doli të ishte i duhuri për të dyja palët, pasi Raphinha po e udhëheq Barcelonën drejt tripletës teksa është njëri nga kandidatët për Topin e Artë 2025.
15 gola dhe nëntë asistime në La Liga rrëmbejnë vëmendjen, por edhe më mbresëlënëse është fakti që ai është golashënuesi më i mirë në Ligën e Kampionëve me 12 gola dhe shtatë asistime.
Megjithatë, gjërat kanë mundur të jenë shumë më ndryshe për ish-sulmuesin e Leeds United, pasi ai pretendon se kishte marrë një ofertë nga Arabia e cila do të kishte qenë shumë e mirë për t’u refuzuar në rrethana të tjera.
“Dje jam informuar për ofertën nga Arabia Saudite dhe sinqerisht, isha shumë i befasuar sepse paratë e përfshira ishin shumë të mëdha”, ka thënë Raphinha për TNT Sports Brazil.
“Sinqerisht, nëse ata do të më kishin bërë këtë ofertë vitin e kaluar, mendoj se do të isha larguar. Në atë kohë, isha paksa i zhgënjyer dhe kjo ofertë do të kishte ndryshuar jetën time krejtësisht dhe për gruan dhe familjen time”.
“Ishte një shumë e cila do të kishte ndryshuar jetët tona plotësisht. Kushdo që thotë se nuk do të shkoja gënjen, sepse është e pamundur të shohësh shifra të tilla dhe mos të mendosh se mund të ndryshojë jetën tënde ose nëse do të shkoja”, përfundoi ai./Telegrafi/



















































