Për një kohë tani dihet se Xiaomi ka një telefon të ri të lojrave në përgatitje.

Është pasardhësi i Xiaomi Black Shark-ut të parë dhe me gjasë do të quhet Black Shark 2. Kompania tashmë ka konfirmuar zyrtarisht se ky telefon do të lansohet më 18 mars në Kinë.

Konfirmimi vjen përmes një imazhi që kompania ka postuar në Weibo, ekuivalenti i Twitter në Kinë. Imazhi konfirmon se telefoni i ri i gjeneratës së lojrave do të lansohet  më 18 mars.

Raportet sugjerojnë se ky telefon do të mundësohet nga platforma Qualcomm Snapdragon 855, me së paku 8GB RAM dhe 128GB hapësirë magazinimi.

Mund të ketë edhe një konfigurim tjetër me 256GB hapësirë ruajtëse dhe 12GB RAM. Ashtu si modeli ekzistues Black Shark Helo, mund të ketë gjithashtu një variant që ka 10GB RAM.

Për më tepër, tani nuk dihet shumë për këtë pajisje. Mund të ketë gjithashtu një bateri të fuqishme, prandaj presim një kapacitet prej të paktën 4,000mAh.

Xiaomi mund ta bëjë pajisjen në dispozicion vetëm në Kinë përpara se të shpaloset në tregje të tjera anembanë Evropës. /Telegrafi/