Apple mund të jetë duke përgatitur një hyrje të papritur në botën e gaming-ut.

Referenca të zbuluara në kodin e macOS 26.7 tregojnë se kompania po punon mbi të paktën dy kontrollorë të rinj për lojëra, një lëvizje që mund të sinjalizojë planet e Apple për të zgjeruar më tej ekosistemin e saj gaming.


Referencat u gjetën në versionin macOS Tahoe 26.7 Release Candidate dhe lidhen me dy pajisje me emërtimet T6502 dhe T1057, të cilat identifikohen si game controllers.

Të dy modelet duket se kanë një konfigurim modern, me butonat ABXY, dy leva analoge të klikueshme, butona në pjesën e sipërme, trigger-a analogë, si dhe butona Home dhe Menu.

Por dy kontrollorët nuk janë identikë. T6502 duket si modeli më bazik dhe raportohet se përdor lidhje USB. Ai nuk duket të ketë sensorë lëvizjeje, touchpad, mikrofon apo altoparlant.

Megjithatë, kontrollori përfshin një buton Options dhe një sistem interesant haptik me katër kanale, që lidhen me motorët në të majtë dhe të djathtë. Kjo mund të mundësojë reagime haptike më të avancuara gjatë lojërave.

Ndërkohë, T1057 duket të jetë modeli më i avancuar. Ai mund të lidhet përmes USB dhe Bluetooth, ndërsa përfshin edhe akselerometër dhe xhiroskop, të cilët mund të përdoren për kontrolle përmes lëvizjes.

Ky model nuk raportohet të ketë butonin Options dhe përdor vetëm një motor haptik.

Apple aktualisht nuk ka në katalogun e saj një kontrollor të dedikuar për lojëra. Kompania, megjithatë, ka investuar prej kohësh në mbështetjen e kontrollorëve të palëve të treta, duke ofruar kompatibilitet me pajisje nga PlayStation, Xbox dhe Nintendo, si dhe prodhues të tjerë.

Ironikisht, Apple ka pasur edhe më herët një kontrollor të lidhur me platformën Pippin, por kjo mbetet një pjesë shumë e largët e historisë së kompanisë.

Interesante është se referencat për këta kontrollorë u shfaqën fillimisht në macOS 26.7, por më pas u hoqën nga versioni i dytë i Release Candidate. Ende nuk dihet nëse Apple i ka eliminuar pajisjet nga planet e saj apo thjesht i ka fshehur referencat në kod.

Nëse kontrollorët bëhen realitet, pyetja e madhe është pse Apple po investon pikërisht tani në këtë kategori.

Zbulimi mund të jetë një sinjal se kompania po përgatit iniciativa të reja në gaming, veçanërisht në një kohë kur Apple po përpiqet të zgjerojë më tej përdorimin e lojërave në Mac, iPhone dhe pajisjet e tjera të saj.

Për momentin, Apple nuk ka konfirmuar zyrtarisht ekzistencën e këtyre kontrollorëve.

Por fakti që emërtimet dhe karakteristikat e tyre janë shfaqur në kodin e sistemit operativ ka mjaftuar për të ndezur spekulimet: Apple mund të jetë duke përgatitur një surprizë të madhe për gamer-at. /Telegrafi/