LAJMI I FUNDIT:

Xhunga kërcënohet, Jazexhiu thotë: Allahu na ruajt nga ekstremizmi dhe intoleranca fetare e skënderbegizmit! (Video)

Xhunga kërcënohet, Jazexhiu thotë: Allahu na ruajt nga ekstremizmi dhe intoleranca fetare e skënderbegizmit! (Video)

Gazetarja Rudina Xhunga njofton se ka marrë shumë mesazhe kërcënuese dhe të mbushura me ofendime për shkak të temës për Skënderbeun që realizoi në emisionin “Dritare”. Xhunga denoncon një shtetas të quajtur Skënder Ndosha.

Personi në fjalë është nga Fushë-Arrëzi dhe jeton në Greqi, shtet ku Xhunga paralajmëron se do të ngrejë padinë.


Reagimi i saj është si më poshtë:

“Pas emisionit për Skënderbeun, pata shumë mesazhe, shumica të pakënaqurish.

Të pakënaqur që kisha ftuar Imamin Armand Ali, të pakënaqur që dy profesorë, si Pëllumb Xhufi dhe Moikom Zeqo, flisnin përballë këtij imami, të pakënaqur që “i rrija me kurriz” përfaqësuesit të Komunitetit Mysliman Shqiptar, duke “shprehur hapur anshmërinë”, të pakënaqur që hoqa nga skenografia e studios sime Skënderbeun, të pakënaqur që kisha veshur fustan të kuq.

Secili ka të drejtë të jetë i pakënaqur dhe ta shprehë këtë, por e drejta e tij mbaron, kur shprehja e pakënaqësisë cenon, lëndon, dëmton, prek dhe vret tjetrin.

Sikundër mbaroi e drejta e një personazhi që zgjodha mes disave, të cilët më kërcënonin dhe masakronin në mesazhe.

Ky quhet Skënder. Jo SkënderBeu, por Skënder Ndosha.

Është nga Fushë-Arrëza, jeton në Greqi, ku është i vetëpunësuar.

Më akuzon që po shes gjakun e të parëve të tij, që unë nuk ia njoh dhe pastaj i kthehet të parëve të mi, të vdekurve të mi, të gjallëve të mi dhe më sqaron gjerë e shtruar, fantazinë e tij për ç’do u bëjë atyre.

Skënder Ndosha, nga Fushë-Arrëza, që jeton në Greqi dhe është i vetëpunësuar, mund të jetë një prej 1000 mesazheve që erdhën. Nuk është e vërtetë që unë nuk i lexoj, nuk është e vërtetë që nuk më lëndojnë, nuk është e vërtetë që nuk më ndikojnë.

Dhe nuk është e vërtetë që ky është çmimi i të qenit publik dhe mund ta lë veten të ma shenjojnë ditën, këta si ky.

Ndaj të them Skënder Ndosha, që do të të padis, por jo në Fushë-Arrëz. Në Greqi, aty ku je i vetëpunësuar dhe jeton në FB tënde.

Nuk do të të mbyll faqe FB. Mbaje ta kesh.

Unë kam kontribuar që ti të jetosh më mirë aty ky je, me gjithë emisionet e mia për shqiptarët e Greqisë.

Tani meqë i je vënë të gjallëve dhe të vdekurve të mi, unë vij e të gjej dhe të kërkoj deri në fund, ligjërisht. Dhe dua të jap një tjetër kontribut, për t’u treguar vendin, atyre si ty.

Atyre si ty që guxojnë të hyjnë në varret e të dashurve dhe dhomat e fëmijëve me fjalët e tyre të ndyra, atyre si ty, që po i lamë, do vijnë edhe me armët e tyre.

Dhuna nuk mbaron, kur të mbaroj unë, sepse unë vdes përditë, kur e lë dhunën të më pështyjë. Dhuna në fillim pështyn, pastaj vret.

Ndaj Skënder Ndosha nga Fushë-Arrëza dhe shokët e tij, duhet ta mendojnë mirë, kur guxojnë dhe lëshojnë të pëgërat e tyre në publik”. (sic.)

Ndërkohë pasi ka replikuar në emisionin “Dritare” të Rudina Xhungës me historianin Pëllumb Xhufi dhe me studiuesin Moikom Zeqo, Olsi Jazexhi ka preferuar ta vazhdojë debatin për mitin e Skënderbeut edhe në letër. Prandaj ai i është drejtuar të dyve me një shkrim të gjatë ku mbron idenë se deri në fundin e shekullit të XIX shqiptarët as nuk e njihnin heroin e tyre kombëtar, por se ai filloi të imponohej nga influenca e nacionalizmit romantik në Evropë dhe e masonerisë që kërkonte krijimin e kombeve mbi bazën e gjuhësisë, pastaj nga shtetet katolike si Austro hungaria, më pas nga nacionalkomunizmi i Hoxhës dhe së fundi nga revanshi i katolikëve pas rënies së Komunizmit…

Letra e Jazexhiut është si më poshtë:

“I dashur Pëllumb dhe Moikom,

Paqja qoftë mbi ju!

Në vijim të debatit që bëmë parmbrëmë në emisionin Dritare të Rudina Xhungës, sot po vazhdoj debatin (me letër siç sugjeroi Xhufi) që nuk mundëm të përfundonim në lidhje me rolin e Skënderbeut në historinë e Shqipërisë.

1.

Siç ua theksova edhe gjatë emisionit, Skënderbeu si hero i shqiptarëve për herë të parë në historinë e etnisë tonë shfaqet në shekullin e 19-të, kohë që tranzicioni nga albanë, turq, sllavë, vlleh etj. për ne shqiptarët kishte nisur udhë, kjo falë procesit të islamizimit dhe shqiptarizimit masiv, si në jug të Shqipërisë ashtu edhe në Kosovë. Edhe pse Skënderbeun e gjejmë të përmendur nga autorët evropianë që në shekullin e 15-të, ku disa e përshkruajnë si serb, disa si bullgar, disa si epirot e disa si Alban (termi Alban është i ndryshëm nga shqiptar), me rëndësi për etninë shqiptare është që Skënderbeu fillon të njihet nga shqiptarët në kohën e Rilindjes, pasi më herët ai u harrua. Popullatat myslimane dhe të krishtera që jetuan nën sistemin e miletit në Turqinë evropiane nuk arritën ta kujtojnë më rebelin Skënderbe, i cili ishte një nga shumë rebelët e Perandorisë Osmane.

Popullatat Albane (arnaute, arvanite) u integruan fuqishëm në Perandorinë Osmane dhe arnautët që nga Gedik Ahmed Pasha i cili pushtoi Brindisin e deri te Gjakovali Ahmed Pasha që pushtuan Hungarinë, apo vetë Qyprilijtë që rrethuan Vjenën, ishin në krye të Perandorisë së Islamit e cila shtrihej nga Jemeni e deri në dyert e Vjenës. Integrimi i arnautëve në Perandorinë Osmane ishte aq i madh sa që në shekullin e 19 dhe fillimin e shekullit të 20 ne gjejmë arnautët jo vetëm që e shikonin veten si osmanë dhe mbrojtës të Islamit, por edhe si turq (në konceptin fetar). Ndryshe nga sot që shqiptarët mësojnë nëpër shkolla se janë evropianë dhe iliro-pellazgë dhe se heronjtë e tyre janë katolikët Skënderbe e Nënë Tereza, në vitin 1908 rilindësi Lap Martallozi përmendte në gazetën Drita që botohej në Sofje, se në Shqipëri myslimanët mësonin nëpër medrese, se ishin arabë që kishin ardhur në Arnautllëk që në kohën e hazreti Umerit, ndërsa të krishterët ortodoks mësonin nëpër skolitë e tyre se ishin grekë, sikur ishin grekë edhe Filipi, Aleksandri i madh, Pirroja, Skënderbeu dhe vetë Krishti!

Evlija Çelebiu, i cili vizitoi qytetin e themeluar nga sulltan Mehmet Fatihu, El-Basanin (e Mentor Kikisë) në vitin 1670 tregon që arnautët në kohën e tij besonin se ishin arabë pasardhës të fiseve arabe që erdhën në tokat e Bizantit në kohën e hazreti Umerit. Besonin se ishin kurejshë nga fisi i profetit Muhamed dhe në Elbasan kishin ndërtuar edhe një tyrbe të madhe për Xhabali Hamën, fisnorin e profetit Muhamed që u largua nga Arabia në kohën e Kalifit Umar. Ashtu sikur edhe bektashijtë që sot e kësaj dite shkojnë në Mal të Tomorrit ku besojnë se ka rënë stërnipi i profetit Muhamed, Abaz Aliu që fluturoi nga Qerbelaja, edhe atëherë arnautët besonin në rrënjë turko-arabe. Çelebiu tregon se në malet e Dukatit, Progonatit dhe Frëngjisë në zonën e Vlorës dhe në Delvinë, popullata besonte se ishte arabe, dhe se gjuha arnaute ishte një miksje mes gjuhës franke dhe arabe.

Ekzistenca deri sot e kësaj dite në Shqipëri e fshatrave me emrat tip Arapaj (Arabë), Çekrezë, apo në zonat e jugut dhe veriut toponomia serbe dhe bullgare, apo ekzistenca e etnive jo-shqiptare ende sot e kësaj dite në Shqipëri tregon sesa larg ka qenë ideja e kombit, Skënderbeut dhe mitet e tjera të nacionalizmit shqiptar. Turqia evropiane si pjesë e Perandorisë Osmane e cila shtrihej nga Jemeni dhe Algjeria e deri në Hungari ishte një perandori pa kufij, ku popullatat lëviznin e shkonin ku të donin dhe kishin mundësi. Arsyeja pse sot ka shqiptarë me mbiemra turq e arabë sikur Kureshi, Arapi, Tatari, Konjari, Anadolliu, Uzuni, Kibtiu, Jemeni, Turani, Karamani, Shkjau, Metohu etj, apo mbiemra Nikshiqi, Tedeskini, Tarabulusi, Kadare, Vllahiu, Çerkezi, Muhaxheri etj tregon për origjinat turke, tatare, çerkeze, greke, gjermane, italiane, malazeze, boshnjake, romune, serbe, maqedone, hungareze etj të shumë shqiptarësh.

2.

Skënderbeu nisi të imagjinohet si mit kombëtar nga intelektualët arnautë, arbëreshë, vllehë e grekë të vilajeteve osmane në fund të shekullit të 19të. Influenca e nacionalizmit romantik në Evropë dhe e masonerisë që kërkonte krijimin e kombeve mbi bazën e gjuhësisë, influencoi edhe shumë intelektualë shqipfolës. Duke nisur që me arbëreshë sikur Vincezo Dorsa, e dalë në Shqipëri te Rilindasit vlleho-shqiptarë sikur Naum Veqilharxhi e kulminuar me vëllezërit Frashëri nga Stambolli, Skënderbeu që përmendej në Perëndim për luftën e tij anti-turke, nisi të pranohet si hero i komunitetit të imagjinuar shqiptar edhe nga disa intelektualë anti-turq. Propaganda kristjane evropiane kundër Islamit, romanticizmi evropian dhe nacionalizmi, i përzierë ky me imperializmin katolik austro-hungarez dhe italian në Ballkan i cili kulminon pas Kongresit të Berlinit me punën e konsullit Ippen në vitin 1897, sjell edhe shfaqjen e Skënderbeut në mesin e popullatave shqipfolëse.

Por, nëse Skënderbeu deri në vitin 1897 do të ishte thjesht një hero i krishterë i cili përmendej nga fanatikët evropianë që vuanin nga islamofobia dhe turkofobia, prezantimi i tij nga myslimanët sikur vëllezërit Frashëri dhe libri që Ludvig von Thallcozy harton me titull Tnnollunat e Shqypniis¸ i cili do të jetë edhe teksti i parë i historisë së shqiptarëve, më në fund e prezanton Skënderbeun në mesin e shqiptarëve si një hero dhe të parin e tyre. Austriakët që donin ti jepnin një identitet pro-katolik shqiptarëve, financuan futjen e Skënderbeut si hero në mesin e pasanikëve dhe intelektualëve të vilajeteve me popullsi shqiptare, si një virus katolik i cili në momentin kur Turqia do të dëbohej nga Ballkani, do i prodhonte Vjenës besnikët e saj dhe do siguronte që shqiptarët do kishin një identitet modernist kombëtar dhe nuk do e shikonin veten si turq apo sllavë.

Por Skënderbeu, përveç nga një pakicë, u prit me urrejtje dhe inat nga popullatat shqipfolëse. Sikur tregon Hafiz Ibrahim Dalliu, në Tiranë ideja e Skënderbeut u përhap nga konsullata austriake dhe njerëzit që paguheshin nga Vjena. Paria intelektuale myslimane e Tiranës, por edhe në Kosovë dhe dërrmueshëm në Gegëri i refuzoi dhunshëm idetë e nacionalizmit skënderbegist (i cili perceptohej si tradhti ndaj Turqisë dhe Islamit).

Nëse dikush lexon librin e Ibrahim Hoxhës, “Vjershëtar të Hershëm Çamë”, dhe lexon gjuhën e çemërve në shekullin 19 dhe fillim 20, do e kuptoj që shqipja e Çamërisë p.sh. ishte një miksje ndërmjet turqishtes, greqishtes dhe dialekteve shqipe. Në konferencën e ambasadorëve në Londër, Venizelosi gjuhën shqipe e quante “myslimanishte” dhe termi që përdornin himariotët me Spiro Milon ndaj shqiptarëve ishte turko-allvanos. Skënderbeu për këtë popullatë myslimane ishte një armik, hajdut dhe dindushman. Pak a shumë, ashtu sikur e tregon Kasem Trebeshina në ditët tona.

3.

Idetë e nacionalizmit shqiptar me Skënderbeun në krye u pritën me mëri jo vetëm nga shumica e myslimanëve por edhe e të krishterëve. Arsyeja pse principata e Princ Vidit që Fuqitë e Evropës krijuan në vitin 1914 u rrëzua brenda 7 muajsh nga kryengritja e Haxhi Qamilit dhe popullatat myslimane të Elbasanit, Tiranës, Shijakut, Kavajës, Durrësit dhe Peqinit, dhe rebelimi i të krishterëve të jugut kundër shtetit të Vidit lidhej ndërmjet të tjerash edhe me figurën e Skënderbeut. Myslimanët shqiptarë nuk pranonin jo vetëm që princ Vidi, një sharlatan i krishterë evropian të bëhej mbreti i tyre, por edhe që Skënderbeu të kthehej në hero të tyre, pasi heroi i myslimanëve në atë kohë ishte sulltan Mehmet Fatihu dhe të gjithë sulltanët, gazilerët dhe evlijatë e Myslimanizmit. Ndërsa të krishterët ortodoksë modernizmin e tyre e shikonin të lidhur me Greqinë.

Skënderbeu nisi të imponohet me dhunë, e theksoj, me dhunë si hero kombëtar në Shqipëri vetëm pas Konferencës së Paqes në Paris dhe Kongresit të Lushnjes, kur qeveria e komanduar nga Zogu, sidomos në vitet 1920 – 1923 nëpërmjet terrorit, vrasjeve, dëbimeve dhe kërcënimeve arriti që ti imponoj shqiptarëve myslimanë, orthodhoksë dhe katolikë jo vetëm ndarjen e tyre nga Turqia dhe Greqia, por edhe figurën e Skënderbeut. Tekstet e historisë të shkruara nga protestanti Kostandin Çekrezi që u botuan nga Federata Vatra në Amerikë ishin librat e parë që sollën legjendën e Skënderbeut në shkollat që u hapën në Shqipëri pas Kongresit të Lushnjes.

Por ndërsa në kohën e mbretërisë së Zogut Skënderbeu u portretizua si heroi legjendar i kombit i cili luftonte kundër Turqisë për ta sjellë Shqipërinë në “ditët e ndriçuara” të mbretërisë së Lartmadhnisë së tij Zogut I, në tekstet që u shtypën në Firence në kohën e Italisë fashiste, Skënderbeun e tregonin si heroin legjendar të shqiptarëve i cili luftoi turkun për ta bashkuar Shqipërinë me Italinë fashiste të Musolinit. Skënderbeu u manipulua edhe nga nazistët, të cilët edhe krijuan me kosovarët divizionin famëkeq nazist Scanderbeg i cili depërtoi hebrenjtë për në kampet e përqendrimit.

4.

Skënderbeu u përdor edhe nga komunistët. Enver Hoxha e përdori mitin e tij për të legjitimuar pushtetin e tij, dhe treguar atë si pararendësin e kombit “trim shqiptar” i cili do kulminonte me Shqipërinë socialiste. Statuja e Skënderbeut e cila u “mbulua” nga ekranet e Komunitetit Mysliman për të cilën qarqet reaksionare katolike kanë protestuar në ditët e fundit, u vu në sheshin e Tiranës pasi Enver Hoxha u prish me sovjetikët dhe hoqi bustin e Stalinit për ta zëvendësuar me Skënderbeun. Nëse në kohën e Zogut shqiptarët do të mësonin nëpër shkolla mbi Skënderbeun të cilin ata nuk e njihnin më parë, komunistët sovjetikë ishin ata që vizualizuan imazhin e heroit legjendar që deri më sot mitomanët dhe reaksionarët katolik e përdorin si simbolin e tyre. Fytyra e Skënderbeut që ne shohin nëpër sa e sa postera katolik dhe në filmin “Skënderbeu” nuk është fytyra e një shqiptari katolik. Ajo është fytyra e një aktori sovjetik, Akaki Horavas.

Por nëse komunistët Skënderbeun e kthyen në një hero laik-kombëtar sipas linjave që ju shoku Pëllumb Xhufi doni, dhe në linjat që Naim dhe Sami Frashëri parashikuan, pas rënies së komunizmit aksioni katolik në Shqipëri, Kosovë dhe në botë e ka degjeneruar imazhin e heroit mitik të shqiptarëve. Ju nacionalistët shekullaristë jeni mundur nga ofensiva katolike e cila sot ka pushtuar çdo cep të shtetit, institucioneve dhe shkollave të Shqipërisë dhe Kosovës. Ofensiva katolike e ka shkatërruar laicizmin shqiptar, dhe ashtu sikur Zogu dhe Enver Hoxha që nuk mundën ti bëjnë dot ballë Vatikanit në kohën e tyre, edhe sot ju nuk i bëni dot më ballë. Shqipëria sot nuk ka laicistë sikur Hilë Mosi i kohës së Zogut, dhe as pavarësinë që ajo kishte në kohën e Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut.

Shkrimet, librat, dokumentarët etj që historianët fondamentalistë katolik që nga Aurel Plasari e deri te Virgjil Kule, dhe deklaratat e klerikëve katolik në Kosovë e Shqipëri në këto 25 vitet e fundit e kanë degjeneruar figurën e Skënderbeut duke e kthyer atë në një kryqtar katolik që vret myslimanët ashtu sikur Abu Bakr al-Bagdadi vriste të krishterët e Sirisë dhe Irakut. Jo më kot kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e mbrojti heroin zyrtar të Shqipërisë dje në Katedralen Katolike të Prishtinës dhe jo në parlamentin laik të Kosovës. Për Hashim Thaçin i cili nuk e ka idenë e historisë së Rilindjes dhe laicizmit shqiptar, por për Skënderbeun ka mësuar nga rrëfimet e klerikëve katolik, Skënderbeu nuk shihet si heroi laik i Shqipërisë, i cili bashkon myslimanët dhe të krishterët, por si heroi katolik i Kosovës sipas versionit rikonkuistador të Dodë Gjergjit, Shan Zefit dhe bajraktarëve të katolicizmit kosovar, të cilët e thonë hapur dhe pa frikë që kosovarët duhet të konvertohen në “fenë e të parëve”, por jo në pravosllavë por në katolikë.

Shkrimet dhe librat për atletin e Krishtit që shpesh promovohen nga Vatikani dhe institucionet e tij kanë krijuar një Skënderbe anti-mysliman te shqiptarët. Një Skënderbe të frikshëm i cili të rri me shpatë mbi kokë për të të kthyer në “fenë e të parëve” sipas formulave të Ismail Kadaresë me shokë.

Në këtë atmosferë të frikshme që shumë grupe kristjane nxisin, ku nëpër meshat e tyre në shumë famulli katolike por edhe protestante, besimtarët nuk i luten Jezu Krishtit, princit të paqes por Skënderbeut princit të luftës, një mysliman shqiptar nuk ka si të ngeli pasiv. Ashtu sikur shumë të krishterë trembeshin me të drejtë nga myslimanët e radikalizuar që i luteshin Abu Bakr al-Bagadid për luftë dhe jo Allahut për paqe, edhe myslimanët shqiptarë ndjejnë frikë kur shohin grupe të krishterësh nëpër internet që Skënderbeun e portretizojnë me shpatë në dorë që pret koka myslimanësh. Ata tremben kur lexojnë ekstremistë sikur Agron Gjekmarkaj që i shpallin talebanë dhe terroristë vetëm e vetëm pse falin Bajramin në qendër të Tiranës, apo pse nuk duan që kur ti luten Zotit të tyre përballë vetes të kenë idhullin e Skënderbeut.

Për shumë myslimanë shqiptar Skënderbeu është transformuar tashmë nga heroi i kombit që imagjinoi Naimi dhe Samiu, në heroin e kryqit dhe të Papës. Dokumentarët që Virgjil Kule nxjerr në Digitalb që tregojnë sesi Skënderbeu i vrau të gjithë myslimanët shqiptarë pasi pushtoi Krujën dhe sesi do bënte kryqëzatë me Papët etj kundër Islamit, e bëjnë çdo shqiptar mysliman krenar që t’i thonë siktiret këtij terroristi të dhunshëm fetar.

Kjo është arsyeja Pëllumb dhe Moikom pse shumë shqiptarë myslimanë nuk e duan më Skënderbeun. Kjo apati për Skënderbeun nuk do të thotë se myslimanët nuk janë më shqiptarë dhe nuk e duan atdheun e tyre, por duan Turqinë. Shqiptarët nga Kosova e deri në Konispol janë dërrmueshëm myslimanë, dhe e duan shumë atdheun e tyre, qoftë ai në Kosovë e qoftë në Shqipëri apo edhe Maqedoni. Edhe pse shumë sish kanë simpati për Turqinë pasi e shohin si një vatan të madh ku myslimanët nuk diskriminohen sikur në Ballkan, kjo nuk i bën ata jo-patriotë. Simpatia e myslimanëve shqiptarë për Turqinë është njësoj sikur ajo e serbëve për Rusinë, apo e katolikëve për Italinë. Ndërsa ironitë dhe shkrimet e tyre kundër Skënderbeut janë njësoj sikur protestat e zezakëve, latinëve dhe socialistëve amerikanë që po bëjnë në javët e fundit në Amerikë kundër statujave të heronjve racistë të Amerikës që mbronin skllavërinë dhe supremacinë e racës anglo-saksone.

Që myslimanët shqiptarë (e kam fjalën për ata që nuk e duan Skënderbeun) të pranojnë Skënderbeun si heroin e tyre do të ishte tamam sikur pushteti jugosllav t’i kërkonte kosovarëve që të pranonin si heroin e tyre Car Llazarin dhe Millosheviçin, apo sikur qeveria greke t’u kërkonte çamëve që të pranonin si hero të tyre Napoleon Zervën dhe Venizellosin. Kuptohet që shumë myslimanë shqiptar që jetojnë në Greqi dhe në Serbi janë të detyruar dhe pranojnë nëpër pasaportat dhe dokumentet e tyre simbolet e Car Llazarit, Kara Gjorgjes, Kolokotronit, Marko Boçarit, Venizelosit, Jani Kapodistrias dhe “heronjve” apo kriminelëve të tjerë anti-mysliman greko-serbë. Edhe në Shqipëri myslimanët shqiptarë e pranojnë Skënderbeun nëpër monedhat dhe pasaportat e tyre, sikur pranojnë me zor edhe posterat e Nënë Terezës nëpër gjykata, spitale dhe institucionet laike-publike. Edhe indianët aborigjenë e pranojnë Xhorxh Uashingtonin nëpër dokumentet e tyre në Amerikë, pasi grupet e margjinalizuara nuk kanë opsion tjetër por të ulin kokën.

Por nëse shikoni forumet online, në ditët tona ka një hasmëri të madhe ndërmjet myslimanëve dhe të krishterëve fanatikë. Ndërsa disa myslimanë ironizojnë Skënderbeun (por ka edhe shumë që e mbrojnë nga frika apo nga që mendojnë ndryshe), shumë të krishterët fanatikë e rrëfejnë jo vetëm si hero të kombit por edhe të kryqit. Kur përballen me institucionet shtetërore, myslimanët shqiptarë që sot për kryeministër kanë një katolik të rilindur që sjell Papën në Tiranë dhe çon ministrat e tij t’ia bekojë Papa, ata nuk kanë rrugë tjetër por të ulin kokën dhe të kenë frikë të thonë atë që mendojnë në privat apo në internet.

Pushteti, mediat dhe politika në Shqipëri imponojnë mitet që ata duan. Kryetari protestant i Bashkisë së Tiranës, Lali Eri, dje shpërndau dekoratën e Nënë Terezës dhe përmendi trimëritë e Skënderbeut në Bashkinë laike të Tiranës. Edi Rama vitin 2018 e ka shpallur vitin e Skënderbeut. Unë jam i bindur se një pjesë e buxhetit tonë laik shtetëror për vitin 2018 do të harxhohet jo për ta treguar Skënderbeun laik sipas versionit të Enver Hoxhës, Naim Frashërit dhe sovjetikëve – që luftonte edhe Venedikun, edhe sulltanin. Skënderbeu që kryeministri ynë dhe qeveria e tij do tregojnë në vitin 2018, do jetë një Skënderbe katolik që lufton për Vatikanin kundër Islamit, dhe që na lidh me Evropën pasi lufton Turqinë. Nëse larg qoftë, Edi Rama na risjell sërish Papën në Shqipëri në vitin 2018 për të rikujtuar besëlidhjen e Skënderbeut me Papën, të jeni të sigurt që me qindra myslimanë do të bëhen kurban duke u arrestuar gjatë kësaj vizite, ashtu sikur u arrestuan edhe në vitin 2014 kur Papa Françesku erdhi në Tiranë apo sikur ndodhi edhe gjatë ndeshjes me Izraelin.

5.

Pas gjithë këtyre gjërash që thashë më lartë, që t’u qetësoj, duhet t’u them që Komuniteti ynë i mirë dhe i moderuar Mysliman do të vazhdojë të uli kokën dhe do thotë që Skënderbeu është heroi ynë kombëtar, edhe pse kryeministri ynë në vitin 2018 ka për ta rrëfyer atë si Atlet të Krishtit që luftoi për të mbrojtur Katolicizmin dhe mposhtur Islamin. Sikur qeveria Rama edhe vetë Jezitin dhe Shejtanin ta shpallin hero kombëtar, Komuniteti Mysliman i cili kontrollohet direkt apo indirekt nga SHISH-i dhe antiterrori (i cili arreston vetëm myslimanë por asnjë katolik që kërcënon me vrasje myslimanët në internet), do të uli kokën dhe do thotë amin. Në vitin 2014 kur Edi Rama korrigjoi Papën i cili e përshkroi Shqipërinë si vend mysliman, krerët e Komunitetit Mysliman që ishin prezent në këtë takim ranë sus dhe thanë të gjithë amin ndaj marrëzisë së Ramës!

Megjithatë, jashtë instancave zyrtare me mijëra myslymanë shqiptarë, që janë shqiptarë sikur të gjithë ne, do të vazhdojnë të mos e duan Skënderbeun, atletin e Krishtit. Si rrjedhojë ky Skënderbe që me shembullin e tij nxit dhunë dhe urrejtje fetare kundër myslimanëve nuk do të jetë një simbol bashkues, por përçarës. Myslimanët shqiptarë (d.m.th ata që do guxojnë) për sa kohë që Shqipëria do të jetë një vend liberal-demokratik ku liria e mendimit dhe e besimit garantohen në Kushtetutë, do të ushtrojnë të drejtën e tyre për të refuzuar, të paktën moralisht që të pranojnë si heroin e tyre një figurë të njëanshme fetare. Myslimani shqiptar e ka shumë më kollaj të pranoj si hero të tij kombëtar mbretëreshën e Londrës, apo gjethen e rrapit të Kanadasë, sesa Skënderbeun, Atletin e Krishtit.

Prandaj të dashur miq, kur të shikoni myslimanë që do përqeshin Skënderbeun në të ardhmen apo që do mbulojnë me ferexhe statujat e tij, mos u mërzisni. Fajin për këtë e ka Rilindja jonë kombëtare, austro-hungarezët dhe italianët që na bën peshqesh një figurë përçarëse fetare sikur Skënderbeu. Sikur Moikom Zeqoja t’u thoshte shqiptarëve që për hero të tyre kombëtar të merrnin malin e Tomorit, Pirron e Epirit, Mujin dhe Halilin, Gjergj Elez Alinë apo edhe Bajlozin Amerikan të rrugës së Elbasanit, apo edhe ndonjë mit tjetër, apo pse jo, sikur Kanadaja edhe ne simbol të bënim gjethen e fikut dhe të ullirit, mendoj se këto simbole do të ishin më të pranueshëm sesa Skënderbeu kryqtar.

Megjithë mërinë tonë me realitetin, unë u këshilloj që të mos mërziteni. Ne shqiptarët myslimanë do të vazhdojmë të jemi shtetas besnik të Shqipërisë. Megjithatë, nëse fushata për të katolicizuar institucionet e Shqipërisë me Skënderbej dhe Nënë Tereza vazhdon, duke zbythur laicitetin dhe ndarjen e fesë nga politika, unë kam frikë se pas disa dekadash Shqipëria mund të përfundojë sikur Jugosllavia apo Mianmari sot, ku një fe do të kërkojë të diskriminoj një fe tjetër. Arsyeja pse boshnjakët, kosovarët e kroatët u rebeluan kundër serbëve në Jugosllavi ishte shovinizmi serbomadh i cili kërkonte që të konvertonte myslimanët në pravosllavë apo serbë. Alija Izetbegoviçi, librin “Deklarata Islame” e shkroi për të kundërshtuar procesin e asimilimit të boshnjakëve myslymanë për në jugosllavë dhe tezat serbe se boshnjakët duhej të ktheheshin në “fenë e të parëve”. Shovinizmi katolik që promovohet nga njerëz që nga Kadareja e deri te kleri katolik, dhe padurueshmëria që shumë ekstremistë kristjanë shfaqën kundër Komunitetit Mysliman vetëm pse ai guxoi dhe u fal në sheshin e Tiranës ndërsa ekranet fshehën Skënderbeun, tregon që një sahat i lig intolerance fetare po i afrohet Shqipërisë. Sahati i intolerancës kundër myslimanëve.

Unë mendoj që shekullarizimi i jetës publike në Shqipëri, është arma e vetme që mund të ruajë bashkëjetesën dhe tolerancën tonë ndërfetare. Dhe ky shekullarizëm duhet që të pastrojë historinë, institucionet dhe politikën tonë nga simbolet e fetarizmit militant dhe nga idhujt fetar që nga Skënderbeu e deri te Nënë Tereza. Dhe në këtë debat, unë jam i mendimit që ata myslimanë që refuzojnë Skënderbeun, Ateatin e Krishtit nuk bëjnë edhe aq keq. Ky është një hap përpara për të avancuar shekullarizëm në shoqërinë shqiptare.

Allahu na ruajtë nga ekstremizmi dhe intoleranca fetare e skënderbegizmit!”. (sic.)

Në trend Lajme

Më shumë
Anëtarësimi i Kosovës në KiE, Knaus: Disa shtete, përfshirë Francën e Gjermaninë po përgatiten ta bllokojnë votimin në maj

Anëtarësimi i Kosovës në KiE, Knaus: Disa shtete, përfshirë Francën e Gjermaninë po përgatiten ta bllokojnë votimin në maj

Lajme
Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Lajme
Anëtarësimi i Kosovës në KiE dhe çështja e Asociacionit - si e parasheh Tahiri procesin në Komitetin e Ministrave?

Anëtarësimi i Kosovës në KiE dhe çështja e Asociacionit - si e parasheh Tahiri procesin në Komitetin e Ministrave?

Lajme
Reshjet e shiut vështirësojnë komunikacionin në magjistralen Prishtinë - Ferizaj, Policia apelon për kujdes gjatë vozitjes

Reshjet e shiut vështirësojnë komunikacionin në magjistralen Prishtinë - Ferizaj, Policia apelon për kujdes gjatë vozitjes

Lajme
“5 euro për një kafe”, arrestohet shtetasi i Maqedonisë pasi tentoi ta korruptonte policin në Vërmicë

“5 euro për një kafe”, arrestohet shtetasi i Maqedonisë pasi tentoi ta korruptonte policin në Vërmicë

Kronika e Zezë
Vdes një grua në Repartin e Gjinekologjisë në Prizren

Vdes një grua në Repartin e Gjinekologjisë në Prizren

Kronika e Zezë
Kalo në kategori