Ish ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifimit Hapësinor në Maqedoni nga radhët e PDSH-së Xhelil Bajrami në një intervistë për gazetën Express ka folur për mundësinë që një shqiptar të jetë kryeministër i Maqedonisë, njofton Telegrafi Maqedoni.

Në pyetjen për idenë e një kryeministri shqiptar në Maqedoni dhe sa është e mundur kjo, Bajrami përgjigjet ''Ideja e një Kryeministri shqiptar në Maqedoni mund të them se ka gjetur mbështetje më të madhe sesa e kam menduar në fillim. Qarqe të shumta intelektuale në Maqedoni dhe jashtë saj e kanë parë realizimin ë kësaj ideje si një element shtesë për krijimin e besueshmërisë mes palëve në konfliktin politik dhe thyerjen e tabuve të së kaluarës. Faktori ndërkombëtar që në përgjithësi është i çliruar nga atavizmat prej të cilave vuan Ballkani, idenë e një Kryeministri shqiptar në Maqedoni e sheh si ide progresive nga e cila fitojnë të gjithë. Vini re çfarë ndodhi në një nga kryeqytetet më të vjetra, më të mëdha dhe më të civilizuara të Evropës, Londrën. Atje u zgjodh për herë të parë një mysliman. Ne duhet të frymëzohemi nga shembujt pozitiv dhe të inkurajohemi dhe besojmë më shumë njëri tjetrin. Unë jam i bindur që, në mos sot, nesër ka për të ndodhur që edhe Maqedonia ta ketë kryeministrin shqiptar, sepse kjo fundja reflekton një realitet të një vendi multietnik, ku shqiptaret janë pjesë shtet formuese.'' tha Bajrami.


Ai shprehet i gatshëm për të dhënë kontributin e tij, me një rikthim aktiv në jetën politike të Maqedonisë./Telegrafi/