Xabi Alonso ka tri opsione për ta zëvendësuar Huijsen ndaj PSG-së

Të shtunën, Real Madrid kaloi në gjysmëfinalet e Kupës së Botës për Klube me fitoren ndaj Borussia Dortmund, por do të jetë pa Dean Huijsen për përballjen me Paris Saint-Germain.
Mbrojtësi, i transferuar nga AFC Bournemouth më herët gjatë verës, u ndëshkua me karton të kuq në minutat shtesë, që do të thotë se do të mungojë në ndeshjen kundër kampionëve të Europës.
Huijsen ka performuar shkëlqyeshëm në SHBA, por nuk do të jetë në dispozicion për ndeshjen më të rëndësishme të Real Madrid në këtë turne.
Kjo është një kokëdhimbje e madhe për Xabi Alonson, i cili është tashmë pa Eder Militao dhe David Alaba për shkak dëmtimi.
Sipas Mundo Deportivo, Alonso ka tre alternativa për të zëvendësuar Huijsen në formacionin startues të Real Madrid për sfidën ndaj PSG-së, që do të zhvillohet të mërkurën në 'MetLife Stadium', ku 'Los Blancos' luajtën kundër Borussia Dortmund.
Më i mundshmi për të startuar është Raul Asencio. Ai ishte pjesë e formacionit në ndeshjet kundër Al-Hilal dhe Pachuca, ndaj së cilës u ndëshkua vetë me karton të kuq.
Aurelien Tchouameni ka luajtur si mbrojtës qendre në disa raste gjatë 12 muajve të fundit, madje ka luajtur në këtë rol edhe në Kupën e Botës për Klube me një sistem me tre mbrojtës.
Opsioni i tretë, dhe më pak i mundshmi, është Jacobo Ramon, i cili la përshtypje pozitive në fazat përmbyllëse të sezonit në La Liga në ndeshjet kundër Mallorcas dhe Sevillas.
Megjithatë, edhe pse ka luajtur 23 minuta deri tani në Kupën e Botës për Klube, Alonso ndoshta nuk do të rrezikojë ta startojë atë në një ndeshje me një kundërshtar me cilësinë e PSG-së./Telegrafi/



















































