LAJMI I FUNDIT:

VV-së iu bashkohen dy shkencëtarë të rinj

VV-së iu bashkohen dy shkencëtarë të rinj

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka njoftuar se VV-së sot i janë bashkuar dy shkencëtarët të rinj, Namik Durmishi dhe Ismail Ferati.

Kurti përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se anëtarësimi i Durmishit dhe Feratit në Vetëvendosje, e plotëson dijen për një fushatë tejet të rëndësishme në ditët e sotme siç është ajo e teknologjisë ushqimore, transmeton Telegrafi.

“Namik Durmishi dhe Ismail Ferati janë dy shkencëtarët më të rinj që i bashkohen Lëvizjes VETËVENDOSJE! Ata janë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut. Namiku ka doktoruar në Gjermani në lëminë e Teknologjisë Ushqimore, Agroushqim, kurse Ismaili ka doktoruar në Universitetin Bujqësor të Tiranës në fushën e Mikrobiologjisë.

Që të dy kanë titullin akademik Profesor i Asocuar, ligjërojnë në Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe janë bashkëpunëtorë të jashtëm në Universitetin për Biznes dhe Teknologji – UBT, në Departamentin e Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë në Prishtinë.

Namiku ka krijuar shumë produkte ushqimore dhe mentoron shumë fabrika ushqimore në Maqedoni dhe rajon. Ismaili temën e doktoratës e ka mbështetur mbi një studim mikrobiologjik të djathit të Sharrit, gjendjes së tij në formën e prodhimit tradicional dhe atij të fabrikuar.

Namiku dhe Ismaili janë aktivë si me punime shkencore ashtu edhe me ligjërata të rregullta që mbajnë në Maqedoni, Shqipëri e Kosovë.

Ardhja e tyre në Lëvizjen VETËVENDOSJE! e plotëson dijen për një fushë tejet të rëndësishme në ditët e sotme siç është ajo e teknologjisë ushqimore”, ka shkruar Kurti në Facebook.