Sanksionet e BE-së dhe pezullimi i dialogut me SHBA, Vuçiq beson se mund të përfitojë politikisht

Serbia po përpiqet të shfrytëzojë situatën e dobësuar diplomatike të Kosovës për të forcuar pozicionin e saj në raport me SHBA-në dhe partnerët perëndimorë.
Kështu vlerësojnë analistët serbë pas deklaratave të ministrit të Jashtëm serb, Marko Gjuriq, i cili paralajmëroi ndryshime në qëndrimin e një pjese të bashkësisë ndërkombëtare ndaj çështjes së Kosovës.
Gjuriq, duke folur për vizitën e presidentit Aleksandar Vuçiq në Nju Jork për seancën e 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, tha se Serbia ka vite që përgatitet me kujdes përmes kontakteve të përditshme dhe raporteve për incidentet në Kosovë, me synim që të ndikojë tek vendet që kanë mbështetur pavarësinë e saj.
“Duke u lidhur me faktorë kyç ndërkombëtarë, kemi arritur që shtete që dikur mbështetën fuqimisht pavarësinë e Kosovës, sot të flasin qartë kundër veprimeve të regjimit të Kurtit”, deklaroi Gjuriq, pa dhënë detaje konkrete.
Sipas analistëve, ky diskurs lidhet me dy zhvillime kryesore: së pari, përpjekjen e Kosovës për ta shtyrë çështjen e anëtarësimit në OKB duke ndjekur valën e mbështetjes për Palestinën; dhe së dyti, me shtyrjen e dialogut strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së, që e ka thelluar izolimin ndërkombëtar të saj.
“Kosova përballet me sanksione nga BE-ja, SHBA ka pezulluar dialogun strategjik, ndërsa edhe Berlini e Brukseli kanë ulur nivelin e bashkëpunimit me kryeministrin Kurti. Në këtë situatë, Beogradi përpiqet ta paraqesë dobësimin e Kosovës si rezultat të suksesit të vet diplomatik”, thotë analisti Ognjen Gogić.
Ekspertët paralajmërojnë se, edhe pse deklaratat e Gjuriqit mbeten të paqarta, Vuçiq pritet ta përdorë fjalimin e tij në OKB për të theksuar izolimin ndërkombëtar të Kosovës dhe për ta paraqitur Serbinë si palë konstruktive në rajon, raporton Danas, transmeto Telegrafi.


































