Nga vrasja në Prishtinë ende asnjë i arrestuar - Prokuroria thotë se nuk dihen motivet

Nga të shtënat me armë zjarri ku për pasojë mbeti i vdekur një person dhe një tjetër u plagos mbrëmjen e së martës në Prishtinë, ende nuk ka ndonjë arrestim.
Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në një përgjigje për Telegrafin kanë thënë se deri më tani nuk ka të arrestuar, mirëpo Njësitet e Policisë së Kosovës nën udhëheqjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, janë duke bërë përpjekjet maksimale për zbardhjen e rastit në fjalë.
Por sipas prokurorisë as motivet e vrasjes nuk dihen dhe se hetimet janë duke vazhduar.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se deri më tani nuk ka të arrestuar, mirëpo Njësitet e Policisë së Kosovës nën udhëheqjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, janë duke bërë përpjekjet maksimale për zbardhjen e rastit në fjalë. Deri më tani, nuk janë bërë të ditura motivet e kësaj vrasje dhe hetimet janë në vazhdim. Për më shumë informata, do të ju mbajmë të informuar në vazhdimësi”, kanë thënë nga Prokuroria.
Ndërkaq, në raportin e policisë thuhet se personat që dyshohet se kanë kryer vrasjen kanë qenë të armatosur dhe të maskuar.
Ndryshe, brenda tri ditëve, ndodhen tri raste tragjike të vrasjeve.
Dy në rajonin e Vushtrrisë, ku një 19-vjeçar vrau një tjetër në Vushtrri dhe rasti tjetër në Stanovc të Vushtrrisë, ku një person vrau ish- punëtoren e tij dhe më pas veten. /Telegrafi/









































