Policia e Kosovës ka dhënë sot detaje të rastit në Hajvali, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri një person ka vdekur.

Policia njofton se rasti ka ndodhur në ora 21:46 në Hajvali të Prishtinës.


“Një i dyshuar mashkull kosovar, dyshohet se kishte shtënë me armë zjarri në drejtim viktimës mashkull kosovar. Si pasojë e plagëve të marra viktima ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK”, thuhet në raportin policor.

Tutje, bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes në cilësi të provave materiale është gjetur një gëzhojë e armës së zjarrit.

I dyshuari pas kryerjes së veprës është larguar nga vendi i ngjarjes dhe i njëjti është në kërkim policor.

Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente, ndërkaq, me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për autopsi.

Ndryshe, brenda dy ditëve vendi u trondit nga vrasja e pesë personave.

Përveç vrasjes në Hajvali, të dielën e 10 gushtit tre persona u vranë në Gjilan, ndërsa edhe një tjetër është ther për vdekje në Prizren. /Telegrafi/