LAJMI I FUNDIT:

Vrasja në Bon Vivant, Andi Pajazitit i vazhdohet paraburgimi edhe dy muaj

Vrasja në Bon Vivant, Andi Pajazitit i vazhdohet paraburgimi edhe dy muaj

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar edhe për dy muaj masën e paraburgimit të dyshuarit për vrasjen në lokalin “Bon Vivant”, Andi Pajazitit, i njohur si “Italiani”.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi, e cila ka bërë të ditur se Pajaziti po mbahet në Burgun e Sigurisë së Lartë.


Në disa prej aktakuzave të Prokurorisë të ngritura kundër Andi Pajazitit përmendet se ai përdori armë
Lexo po ashtu Në disa prej aktakuzave të Prokurorisë të ngritura kundër Andi Pajazitit përmendet se ai përdori armë

Gashi tutje ka njoftuar se “Italiani” më datë 1 shtator ka qenë në Klinikën e Ortopedisë në QKUK për vizitë specialistike.

“Ju njoftojmë se bazuar në lejen e Gjykatës Themelore Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda si dhe nga rekomandimi mjekësorë, me datë 01.09.2023 i pandehuri A.P ka qenë në Klinikën e Ortopedisë të QKUK-së për vizitë specialistike.

Pas vizitës mjekësore, të njëjtin e kanë kthyer prapë në Institucionin e Burgut të Sigurisë së Lartë. Me datë 04.09.2023, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.P, ashtu që masa e paraburgimit i është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy)muaj”, ka thënë ajo.

“Italiani” është i dyshuari kryesor për vrasjen e rëndë që ndodhi me 4 gusht në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri vdiq K.R., 39-vjeç dhe u plagosën disa të tjerë.

29-vjeçari edhe më parë ishte i njohur për institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë.

Dosjet e prokurorisë dhe aktakuzat e ngritura ndaj Pajazitit janë kryesisht për armëmbajtje pa leje, lëndim të lehtë trupor, kanosje, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, përdorim i armës. /Telegrafi/