Votimi me postë, Elezi: Deri tani janë miratuar 29 mijë pako, refuzohen mbi 3 mijë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është duke vazhduar me vlerësimin e pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi përmes postës, të cilat janë sjellë në Kosovë, deri më tani.
Kështu tha për Telegrafin zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili tha se deri premten, në orën 10:00, nga pjesa e pakove me fletëvotime që janë pranuar, procesit të vlerësimit i janë nënshtruar më shumë se 33 mijë prej të cilave janë aprovuar më shumë se 29 mijë, ndërsa janë refuzuar rreth 3,900.
“Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako, në 3,328 pako, është sepse mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument, me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ-ja”, ka thënë Elezi.
Tutje ai tha se në fund të këtij procesi të vlerësimit, do të publikojnë të dhënat për numrin e pakove me fletëvotime të supozuara, të cilat do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
“Të martën është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime që i takojnë votimin jashtë Kosovës përmes postës në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale. Tërheqja e pakove me fletëvotime është bërë nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë”.
Ndërkaq, siç tha Elezi, nga 23 kuti postare, janë tërhequr 33,841 pako të supozuara me fletëvotime, një pjesë prej të cilave janë sjellur në Kosovë.
Ndërsa, sipas informacioneve nga Qendrat Komunale të Numërimit, deri në orën 10:00 të ditës së sotme (e premte), janë verifikuar rezultatet për 1,903 vendvotime nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe rezultatet për subjetet politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale nga 1,882 vendvotime.
Elezi tha se nga po kaq vendvotime, 1,882, janë numëruar votat e kanidatëve nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale.
“Pra, deri më tani, nga 5,142 kuti votimi që i takojnë dy llojeve të zgjedhjeve, janë procesuar 3,785. Deri më tani (e premte, ora 10:00), aktivitetet në QKN janë përmbyllur në 24 komuna: Hani i Elezit (e hënë), Junik, Mamushë, Zveçan (e martë), Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime, Klinë, Shtërpcë, Obiliq, Istog, Skenderaj (e mërkurë), Viti, Rahovec, Suharekë, Dragash, Kaçanik, Lipjan, Fushë Kosovë, Ferizaj, Kamenicë, Drenas dhe Vushtrri (e enjte)”, ka thënë ai.
Tutje Elezi tha se në përgjithësi, në Qendrat Komunale të Numërimit zhvillohen 3 aktivitete të rëndësishme: verifikimi i rezultateve nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave, verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale dhe numërimi i votave të kandidatëve për anëtarë të Kuvende Komunale.
Në platformën e KQZ-së për rezultate https://resultslocal2025.kqz-ks.org/ janë duke u prezantuar rezultatet nga QKN-të, vendvotim pas vendvotimi. /Telegrafi/




















































