LAJMI I FUNDIT:

Votimet me gogla të vitit 1945

Votimet me gogla të vitit 1945

Gazmend A. Bakiu

Pasi kishte vendosur pushtetin e saj me armë, Partia Komuniste e kishte të nevojshme ta legjitimonte dhe ta pudroste atë me “zgjedhje të lira”; kjo sipas modelit jugosllav. Këta të fundit kishin vendosur të mbanin votimet më 11 nëntor 1945, ndërsa në Shqipëri u caktua data 2 dhjetor 1945. Ato njihen si “votimet me gogla”, për arsye të goglave që u përdorën në zgjedhjet e para. Votimet u zhvilluan në një situatë terrori dhe pas një fushate elektorale, ku merrte pjesë vetëm Fronti Demokratik. Rezultati ishte i paracaktuar, pasi komunistët i kishin marrë masat e duhura, dhe votimet do të ishin një hap tjetër i rëndësishëm në instalimin e diktaturës.


Fushata elektorale e vitit 1945 u hap ditën e diel, më 14 tetor. Këtë e lajmëronte dy ditë më vonë gazeta “Bashkimi”, ku në faqen e parë dhe me germa kapitale shkruhej: “Populli kudo kërkon Republikë Demokratike”. Shënojmë se, që nga 10 gushti i vitit 1945, gazeta “Bashkimi” ishte “organi central i Frontit Demokratik”, praktikisht edhe gazeta e vetme në treg. Fronti Demokratik ishte formacioni i vetëm, politik, (pas të cilit maskohej Partia Komuniste), që konkurronte në zgjedhje.

Disa nga parullat e përdorura gjatë fushatës së Frontit Demokratik ishin: “Të gjithë për Republikën dhe për pushtetin popullor”, “Vota provë patriotizmi” dhe “Asnjë të mos mbetet pa dhënë votën e tij”, d.m.th. “asnjë të mos mbetet pa na e dhënë votën”.

Fushata elektorale filloi me një miting të madh, në sheshin “Skënderbej”. Nga ndërtesa e Këshillit të nënprefekturës, foli ministri i Jashtëm, Omer Nishani, në emër të Komitetit Ekzekutiv të Frontit Demokratik. Ndër të tjera ai tha: “Për neve Front do të thotë popull, dhe popull do të thotë qeveri, pushtet, liri e demokraci”. Pas Nishanit foli edhe Gogo Nushi, në emër të Këshillit të Frontit Demokratik të Nënprefekturës së Tiranës. Fjalimet u ndërprenë nga brohoritjet për Republikën Demokratike, Frontin Demokratik, gjeneralkolonel Enver Hoxhën dhe udhëheqësit e tjerë të popullit. Po atë ditë në Shqipëri u bënë mitingje edhe në Shkodër, Korçë, Gjirokastër, Berat, Elbasan. Në 45 ditët në vazhdim, e deri në ditën e zgjedhjeve, Fronti vazhdoi fushatën, i vetëm, drejt fitores. Ai pati edhe një “ndihmë” nga jashtë, e cila, gjithsesi, nuk luajti ndonjë rol në fitoren e paracaktuar të Partisë komuniste.

Në gazetën “Bashkimi”, datë 28 tetor 1945 u botua një letër që Fan Noli i kishte shkruar Enver Hoxhës, në përgjigje të një mesazhi që ky i fundit i kishte dërguar peshkopit, ku i kërkonte të kandidonte për deputet. Ja letra e Fan Nolit:

“Me kënaqësi të madhe mora mesazhin t’uaj të nxehtë dhe bujar, si edhe letrën e mikut t’im të mirë dhe kolegut tuaj Sefulla Malëshova. Kam dëshirë të madhe të jem aty me juve, po sot për sot nukë munt, pse udhëtimet janë të kufizuara, përveç që ka edhe pengesa të tjera. Mundet të ju bëj një vizitë pas Pashkëve, kështu do të takoj përsëri me miqtë e mij të vjetër. Kam shumë arësye që më pengojnë të vë kandidaturën në Shqipëri. Ju siguroj se ju kini përkrahjen t’ime të plotë dhe munt të përdorni emrin t’im në fushatën elektorale që populli të votojë për Frontin. Bashkë me këtë ju lutem të drejtoheni tek unë për çdo gjë që unë munt të bëj për këtë çështje. Si juve ashtu dhe kolegeve t’uaj Ju uroj sukses, sikundër e meritoni, në zgjedhjet për Asamblenë Kushtetonjëse. Perëndija qoftë me juve. Peshkop Fan Noli, 13.X.1945”

Shënojmë se arsyeja kryesore që e pengonte të vinte kandidaturën për deputet në Shqipëri, ka qenë shtetësia e tij amerikane. Mosardhja dhe moskandidimi e shpëtoi Nolin nga një pushkatim i sigurt, i mëvonshëm, gjë që e pësuan shumë deputetë të tjerë.

Në foton e parë shikojmë dy nga kutitë e votimit, të përdorura në zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese, më 2 dhjetor 1945. Kutia e parë mbante përsipër fotografinë dhe emrin e kandidatit të “Frontit Demokratik”, në këtë rast të Enver Hoxhës. Tek kutia nuk është shkruar as kryeministër, as sekretari i parë, por “gjeneralkolonel Enver Hoxha”, sepse asokohe gradat ushtarake ishin më mbresëlënëse në popull (siç është tani bie fjala titulli “profesor doktor”, paçka se personi mund të jetë larg të qenit i tillë). Kutia e dytë ishte pa emër, ose kutia e “armikut”, megjithëse asnjë formacion tjetër politik përveç “Frontit Demokratik” (d.m.th. Partisë komuniste), nuk u lejua të merrte pjesë në zgjedhje, sido që formalisht kjo ishte e mundur.

Votuesit paraqiteshin, së pari, tek komisioni i votimit, i cili përbëhej nga besnikë të partisë. Pasi u verifikohej identiteti, zgjedhësve u jepej në dorë një gogël, të cilën duhet ta mbulonin në grushtin e mbledhur, që të mos dukej. Pas kësaj, ata votonin duke futur dorën edhe tek kutia e parë edhe tek kutia e dytë e votimit. Kutitë ishin prej dërrase, por kutia e armikut e kishte fundin prej llamarine. Kështu, nëse gogla hidhej aty, bënte zhurmë dhe merrej vesh se votuesi kishte votuar kundër “Frontit Demokratik”, pra për armikun. Pikërisht këtë po bëjnë “dy komisionerët” në foton e dytë. Njërit nuk i duket krejt fytyra, por tjetri duket qartë se sa me interes po vëzhgon, apo më mirë po përgjon, votuesin me qeleshe. Vetëm shtatë për qind e popullit u tregua i padjallëzuar dhe bëri të kërciste llamarina, ndërsa 93 për qind e tij votoi plot dëshirë për Frontin Demokratik. Por, nuk ishte tamam kështu: Një pjesë e popullit votoi me trimëri kundër Frontit Demokratik. Ne nuk do ta mësojmë kurrë rezultatin real të “votimeve me gogla” dhe se sa vota u vodhën.

Në këtë mënyrë u zgjodh Asambleja Kushtetuese, e cila më 11 janar 1946 shpalli Republikën Popullore të Shqipërisë. Suksesi i zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945 bëri që zgjedhjet me gogla të përdoren edhe 3 herë të tjera: 28 maj 1950 në votimet e përgjithshme, në shkurt 1948 dhe qershor 1949 në zgjedhjet për këshillat popullore.

Siç thamë, rezultati i votimeve me gogla vetëm një herë ka qenë i “diskutueshëm”: Më 2 dhjetor 1945, 90 për qind e votuesve ka marrë pjesë në votim dhe vetëm 93 për qind ia kanë dhënë votën Frontit Demokratik! Duke filluar nga zgjedhjet e dyta, standardet janë arritur plotësisht: Marrin pjesë në votime 99 për qind dhe votojnë për kandidatët e Frontin Demokratik 99 për qind e votuesve.

Më pas, kutia e armikut u eliminua fare dhe u kalua në zgjedhjet me daulle. Shumëkujt i kujtohet daullja që na zgjonte në pesë të mëngjesit, në ditën e votimeve. Dhe, ne të gëzuar shkonim me vrap të votonim, se mos na raportonin spiunët e lagjes, për vonesën. Ndërsa qendrat e votimit duhet të hapeshin zyrtarisht në ora 8.00, që në 7:30 të mëngjesit votimet kishin përfunduar. Fatmirësisht, ajo kohë ka mbaruar, dhe çdo tentativë për ta risjellë, në çfarëdo mënyre është e kotë. Por, votimet me gogla do të mbeten aty, si një histori e turpshme që shkroi Partia Komuniste, e cila në vitin 1948 ndryshoi emrin në Partia e Punës.

Në trend Kultura

Më shumë
Karnavalet, origjina dhe domethënia

Karnavalet, origjina dhe domethënia

Kulture
“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

Kulture
Biznesi i filmave ... mbaroi!

Biznesi i filmave ... mbaroi!

Kulture
Trim mbi trima kish qenë gjithmonë Gjergj Elez Alia

Trim mbi trima kish qenë gjithmonë Gjergj Elez Alia

Fjala+
RUBAIRAT

RUBAIRAT

Poezi
Thënie të Anton Chekhovit

Thënie të Anton Chekhovit

Fjala+
Kalo në kategori