Afrohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe për këtë partitë politike në Maqedoni kanë filluar retorikën dhe aktivitetet e tyre në terren për të tërhequr sa më shumë votues. Interesant është fakti se tanimë Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë ka zhvilluar një retorikë parazgjedhore ku preken votuesit shqiptarë me premtimin e kryetarit të kësaj partie se gjuha shqipe do të jetë zyrtare, përkrah gjuhës maqedone.

Telegrafi Maqedoni ka biseduar me Petrit Saraçinin si aktivist i shoqërisë civile, me analistët Xhelal Neziri dhe Xhenis Sulejmani, dhe profesorin universitar Sefer Tahiri.

Petrit Saraçini, aktivisti i shoqërisë civile, kërkon që në Maqedoni të zhduken partitë etnike dhe të dalin në pah partitë qytetare.
”Përderisa nuk artikulohen kërkesat e votuesve shqiptarë që jetojnë në Maqedoni atëherë votuesit shqiptarë medoemos se do të kërkojnë alternativa. Ose me formimin e partive të reja politike me parashenjë shqiptare para tyre ose të votojnë të ndonjë opsioni ideologjik që është më i përafërt për ta. E shohim në vitet e fundit se vota shqiptare është devalvuar dhe ata për të cilët shqiptarët kanë dhënë votën ju janë bërë shërbëtorë të klasave politike maqedonase. Dikush mund të thotë se pse të bëhesh shërbëtor indirekt kur mund të bëhesh shërbëtor i drejtëpërdrejtë. Unë kisha pasur dëshirë që partitë etnike të zhduken në Maqedoni dhe të dalin në pah partitë qytetare. Mendoj se nuk jemi larg kësaj gjendje. Të shohim si do të shkojnë këto zgjedhje dhe si do të vlejë procesi politik më tej. Ndoshta disa prej partive që pretendojnë të jenë multietnike, nuk është vetëm aty LSDM-ja por ka edhe parti tjera, do të na tregojnë diçka tjetër. Nëse jo, do të vazhdojmë me rrugën e vjetër.” tha për Telegrafi Maqedoni, aktivisti i shoqërisë civile, Petrit Saraçini.

Analisti politik Xhenis Sulimani votën shqiptare për ndonjë parti maqedonase e vlerëson si papërgjegjësi e madhe nga partitë shqiptare.

”Elektorati shqiptarë në Maqedoni mund të kishte pritur gjithçka nga një parti e dalur nga lufta, por nuk besoj se ndonjëherë po i njëjti elektorat ka menduar se do të “detyrohet” të votojë parti maqedonase. Kuptohet se një revoltë e tillë vjen vetëm pas një dështimi të madh. Përkrahës të së njëjtës parti tanimë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose në mënyrë indirekte janë me Lidhjen Social Demokrate të Maqedonisë. Papërgjegjësia e madhe e partive shqiptare ka ndikuar që shqiptarët të mendojnë për opsione të ndryshme. Elektorati është varfëruar dhe tani ideali i vetëm ka mbetur mirëqenia sociale, nuk do të dëgjojë retorika nacionaliste me të cilat partitë shqiptare parlamentare deri më tani i kanë ushqyer votuesit e tyre.
Megjithatë, personalisht, kam shpresë te partitë shqiptare jashtëparlamentare, të cilat kanë leksione të mjaftueshme nga partitë e mëparshme dhe do të dinë ta kanalizojnë votën shqiptare dhe popullit t’i ofrojnë diçka ndryshe, jo të njëjtën që e kanë konsumuar deri më tash. Kulmi i tragjedisë do të arrihet nëse elektorati shqiptarë dëshpërohet edhe nga partitë shqiptare jashtëparlamentare. Në këtë rast do të rritet apatia politike, ndërsa pjesa tjetër si dënim do të votojë parti maqedonase.” thotë për Telegrafin e Maqedonisë analisti politik, Xhenis Sulimani.

Analisti politik Xhelal Neziri thotë se korrupsioni i dëshmuar edhe me përgjimet është faktor nxitës që të ndodh kjo, pra votuesit e një etnie të votojë kandidatë apo parti të etnive tjera.
”Nëse një parti del me ofertë serioze për të gjithë qytetarët atëherë ka gjasa të fitojë vota nga të gjitha etnitë. Nëse kthehemi në të kaluarën kemi raste kur parti apo kandidatë shqiptarë kanë marrë vota maqedonase dhe anasjelltas. Tani, kur pakënaqësia ndaj partive shqiptare është në kulmin e saj, vota e shqiptarëve për parti maqedonase mund të jetë si rezultat i ndëshkimit për subjektet e etnisë së tyre. Megjithatë, varfëria dhe gjendja e mjerueshme në të gjitha sferat, e shkaktuar nga korrupsioni masiv i dëshmuar edhe me përgjimet, është një faktor që do të nxisë votuesit e një etnie të votojë kandidatë apo parti të etnive tjera.” thotë për Telegrafin e Maqedonisë analisti politik Xhelal Neziri.

Profesori universitar Sefer Tahiri thotë se votat shqiptare për partitë maqedonase do të jenë simbolike.

”Para së gjithash nuk mendoj se vota shqiptare për partitë maqedonase, qoftë LSDM-në apo edhe më pak OBRM-PDUKM, do të jetë aq masive duke pasur parasysh se sistemi politik në Maqedoni është i ndarë në baza etnike dhe sëkëndejmi edhe gjatë zgjedhjeve të ardhshme vota do të jetë etnike. Në këtë kuptim, vlerësoj se numri i votave shqiptare për partitë maqedonase do të jetë simbolik, në rastin konkret për LSDM-në sepse ajo ka promovuar idenë e targetimit politik elektoral të shqiptarëve. Konsideroj se në këtë drejtim, kjo votë do të jetë një lloj sinjali dhe revolte e shfaqur ndaj partisë politike shqiptare në pushtet, BDI.”

”Për mendimin tim, kjo votë duhet të reflektojë te kjo parti të rishqyrtojë pozicionin e saj politik, jo vetëm brenda qeverisë por edhe në të ardhmen në skenën politike. Në një farë mënyre, kushtimisht thënë, sado simbolim është kalimi apo ekskurzioni politik i shqiptarëve tek partitë maqedonase është i imponuar dhe për këtë meritore janë partitë shqiptare, më shumë BDI-ja. Dëgjoj zëra të intelektualve shqiptarë të cilët thonë që në të ardhmen do të mund të ketë vota të shqiptarëve për partitë maqedonase sepse ata mendojnë se kjo ështe më profitabile, pasi do të bëjnë marrëveshje e drejtëpërdrejtë me partitë maqedonase për interesa konkrete jetësore, pra jopolitike. Kjo sepse partitë shqiptare kanë bërë kontrabandimin e votave të shqiptarëve, duke bërë marrëvehshje me partitë politike maqedonase.”

”Këto vota të shqiptarëve, që besoj se do të jenë mbi në 10 mijë dhe ato i shoh në prizmin se njerëzve, kushtimisht thënë, ju ka ardhur “deri te hunda” që të votojnë për partitë shqiptare, që premtojnë interesa kombëtare dhe se do të realizojnë këto interesa dhe gjithçka përfundon me interesa grupore, interesa tendero-kratike apo klanore dhe interesi i përgjitshëm apo interesi kombëtar lihet anash.” tha për Telegrafin e Maqedonisë profesori universitar Sefer Tahiri.

Përndryshe, zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen më 11 dhjetor. Kjo është vendosur nga kryetarët e katër partive parlamentare OBRM-PDUKM, LSDM, PDSH dhe BDI./Telegrafi/