LAJMI I FUNDIT:

Vonesat e Ministrisë së Punës, lënë pa pension familjen e dëshmorit

Vonesat e Ministrisë së Punës, lënë pa pension familjen e dëshmorit

Pavarësisht se janë shpallur familje e dëshmorit të kombit edhe kanë marr certifikatë nuk po mund të përfitojnë pensionin prej 450 euro, që u takon edhe me ligj.

Krejt kjo ka ndodhur për shkak neglizhencës në ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS).

Një anëtar i një familje të dëshmorit, që për Telegrafin është e ditur, mirëpo për shkak të mos ndikimit të vlerësimit për aplikim për pensionin nuk kanë preferuar të përmendet emri e mbiemri.

“Ne si familje e dëshmorit të kombit kemi aplikuar në dhjetor të vitit të kaluar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, për përfitimin e pensionit, mirëpo një gjë e tillë ende nuk është bërë e mundur. Arsyet nuk i dimë dhe jemi në pritje t’i gëzojmë të drejtat si gjithë familjet e tjera që përfitojnë nga ky status”, ka thënë një anëtar i kësaj familje.

Kurse në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), kanë thënë për Telegrafin se të gjitha certifikatat janë valide për këtë ministri dhe janë në proces të shqyrtimit të aplikimeve për pensionin e familjes së dëshmorit.

“Certifikatat dhe vërtetimet për familjet e dëshmorëve janë valide për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Kur ata aplikojnë, MPMS i shqyrton ato lëndë”, kanë thënë në përgjigjet e MPMS-së.

Në MPMS kanë premtuar se deri në muajin shkurt do tu japin një përgjigje të gjitha familjeve të dëshmorëve që presin për pension.

“Aktualisht, lëndët janë duke u shqyrtuar dhe jemi në afat kohor dhe përgjigjen e marrin nga muaji shkurt. Jemi në fazën e llogaritjeve dhe të përmbylljes së pensioneve për këtë muaj, prandaj ende nuk mund të japim shifra”, është thënë në përgjigjet me shkrim të kësaj ministrie.

Ndërkaq, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari ka thënë për Telegrafin se të gjitha familjet e dëshmorëve që e kanë të përfituar këtë status duhet të përfitojnë beneficionet e shtetit.

“Çdo familje e cila e ka të shpallur anëtarin e familjes Dëshmorë të Kombit, duhet t’i përfitojë beneficionet e pensionit dhe të tjera qoftë për shërim, shkollim e punësim. Por duhet të aplikojë në Departamentin e Familjeve të dëshmorëve dhe Invalidëve të luftës në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale”, tha Jashari.

Pensioni i një familje të dëshmorit aktualisht është 450 euro në muaj. /Telegrafi/