LAJMI I FUNDIT:

Von Cramon: BE-ja të kryej detyrat e veta, Kosova duhet të marrë liberalizimin e vizave

Von Cramon: BE-ja të kryej detyrat e veta, Kosova duhet të marrë liberalizimin e vizave

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon në një konferencë për media ka thënë se në takimin që ka zhvilluar me kryeministrin Albin Kurti ka folur për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

E pyetur se a është diskutuar për çështjen e krijimit të Asociacionit, Von Cramon u shpreh se biseduan për dialogun në tërësi.


“Po kemi biseduar për dialogun dhe tërë portofolin e dialogut por nuk jemi fokusuar në ndonjë çështje specifike. Në fillim të kësaj faze të dialogut, presim nga të dyja palët që të ngirisn pritjet e tyre shumë lartë. Unë shpresoj që në javët e muajt e ardhshëm do të shohim një afrim të qëndrimeve. Kjo është diçka që mund të bëhet vetëm përmes bisedimeve”, u shpreh Von Cramon.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian ka folur edhe për çështjen e liberalizimit të vizave , ku tha se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret.

“Shpresoj që në një moment do të shohim qëndrime më pak të polarizuara. Kam shpresuar që gjatë udhëheqjes së presidencës së BE-së nga Gjermania do ta kemi në agjendë këtë çështje sepse të gjithë e dimë që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret. Në fund të fundit është çështje e Këshillit të Evropës, sepse ka ende disa anëtarë të këshillit që hezitojnë”, tha Von Cramon.
Von Cramon theksoi se është një gabim që po bëhet për regjionin.

Ajo ka shtuar se Bashkimi Evropian nuk i ka bërë detyrat e veta.

“Për këtë arsye BE-ja po e humb kredibilitetin në këtë rast. Është koha që BE-ja të kryej detyrat e veta. Kushtet janë përmbushur dhe Kosova duhet të marrë liberalizimin”, tha Cramon. /Telegrafi/