LAJMI I FUNDIT:

Vlera e koeficientit të pagave pritet që javën tjetër të dërgohet për miratim në Kuvend, opozita e quan proces jo-transparent

Vlera e koeficientit të pagave pritet që javën tjetër të dërgohet për miratim në Kuvend, opozita e quan proces jo-transparent

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se vlera e koeficientit në Ligjin e Pagave do të shkojë javën tjetër në Kuvend për miratim nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Kusari-Lila në një konferencë për medie, nuk ka treguar se sa do të jetë kjo vlerë por se sipas saj do të bëhet një plotësin ndryshim i Projektligjit për Buxheti që të përcaktohet saktë koeficienti.


“Koeficientin shumë shpejtë Qeveria brenda pak ditësh, nëse jo këtë javë atëherë javën tjetër gjithsesi do ta përcjellin në Kuvend të miratuar në kuadër të Projektligjit të Buxhetit. Do të bëhet një ndryshim në buxhet, në mënyrë që të jetë fiks vlera e koeficientit, një praktikë që do ta lehtësojë trajtimin e koeficienteve të pagave gjatë viteve në vijim”, tha ajo.

Ndërsa, për shefin e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri procesi i përcaktimit të koeficientit të pagave është jo-transparent.

“Këtë proces e ka karakterizuar një proces jo-transparent. Pra, përcaktimi i koeficientit të pagave do të duhej të mendohej si një debat i gjerë ndërmjet Qeverisë dhe akterëve të ndryshëm të shoqërisë, grupeve të interesit dhe përfaqësuesve të sindikatave”, tha Tahiri në konferencën për medie, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

“Ky përcaktim nuk mund të jetë i një individi, qoftë ai kryeministër apo ministër, por të arsyetohet se pse po vendoset ky koeficient”, ka shtuar ai.

Tashmë po hyjmë në javën e tretë prej se presidentja Vjosa Osmani ka dekretuar Ligjin e Pagave, por se deri më sot ende nuk është caktuar vlera e koeficientit për kategoritë e përfshira.

Dy javë nga dekretimi i Ligjit të Pagave – ende nuk dihet vlera financiare e koeficientit të kategorive
Lexo po ashtu Dy javë nga dekretimi i Ligjit të Pagave – ende nuk dihet vlera financiare e koeficientit të kategorive

Më 22 dhjetor 2022, Ligji ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës, i cili parasheh ndryshim të pagave për punëtorët e sektorit publik.

Pas dekretimit nga presidentja, ky Ligj është publikuar në Gazetën Zyrtare, e që do të jetë i gatshëm për zbatim brenda 30 ditëve.

Koeficienti më i lartë, pra 18 i takon vetëm presidentit të Kosovës, derisa më i ulëti është 2 dhe ai iu takon pozitave për rekrut/kadet të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kadet policor, doganor dhe korrektues. /Telegrafi/