LAJMI I FUNDIT:

​Vjedhja në Thesar përplas deputetin Uka me ish-ministren Bajrami, përfshihet edhe ministrja Haxhiu

​Vjedhja në Thesar përplas deputetin Uka me ish-ministren Bajrami, përfshihet edhe ministrja Haxhiu

Vjedhja e 2.1 milionë eurove nga Thesari i shtetit ka përplasur deputetin e LVV-së Fitim Uka me ish-ministren e Financave, Hymete Bajrami, ndërsa më pas në debat është përfshirë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Deputeti Uka, në replikën e tij ndaj ish-ministres Bajrami rreth gjendjes në arsim tha se nuk e kupton, derisa tha se ai nuk foli për 2.1 milionët e humbur në qeverinë e kaluar, ku Bajrami ishte ministre e Financave.


“Unë nuk fola për 2.1 milionët që kanë humbur në qeverinë e kaluar, nuk e kuptoj pse ky reagim. Ajo që thash është plotësisht e qëndrueshme dhe jam i gatshëm t’ua dokumentoj sido që ju e dëshironi. Nëse ju pretendoni që 52 ditë të qeverisë Kurti janë të barabarta me 21 vjetët e keqqeverisjes suaj, atëherë unë nuk kam ndonjë koment tjetër”, tha ai.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i ish-ministres Bajrami, e cila tha se për këtë rast është e pastër dhe me përmendjen e 2.1 milionë eurove nuk mund t’ia mbyllin gojën. Ndërsa, ka kërkuar nga ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu që të autorizojë të gjithë mekanizmat për hetimin e rastit.

“Hykmete Bajrami jeton në Prishtinë, vjen sa herë që ka seanca dhe komisione në Parlamentin e Republikës së Kosovës dhe nuk fshihet asnjëherë.

Ministrja e Drejtësisë e cila dje tha se e kam autorizuar prokurorinë që të merret me rastin e drogës, është mirë ministre të autorizohet Prokuroria dhe organet e drejtësisë që të merren me rastin e 2.1 milionë eurove dhe rastin e Hykmete Bajramit, sepse duhet pastruar një herë e përgjithmonë kjo çështje.

Unë qëndroj ballë hapur, jo për veç kohën sa kam qenë në Ministri të Financave, por për kohën sa kam qenë pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës që nga viti ‘99 e këndej. Kështu që, zbardheni këtë rast dhe mos u mundoni të ma mbyllni gojën me 2.1 milionë, sepse janë pikërisht ata njerëz që po vazhdojnë të jenë drejtor të Thesarit, keqbërësit janë në burg dhe ju tani që i keni krejt nivelet e pushtetit, asgjë nuk po bëni. Ju lutem, krejt pushtetin e keni në dorë, me prokurori, me gjyqësi me krejt, të gjithë mund t’i ndërroni në bashkëpunim me presidenten, por pastrojeni këtë rast, a mos provoni të ma mbyllni gojën se nuk ma mbyllni asnjëherë, pasi që jam e pastër”, tha Bajrami.

Në reagimin e saj, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, tha se ajo kishte autorizuar autoritetet tjera të vijnë për hetime në Kosovë, derisa tha se uron që “kjo të jetë hera e fundit që deputetja Bajrami keqinterpreton dhe shpif në foltore të Kuvendit”.

“Më vjen keq që ju nuk jeni në dijeni për përgjegjësitë që ka ministri i Drejtësisë në raport me rastet që hetohen nga prokuroria dhe nëse nuk e di, më lejo t’ju njoftoj që ministri i Drejtësisë dhe në asnjë rrethanë nuk ka të drejtë të kërkojë ose të autorizojë prokurorinë për të bërë hetime.

Një rast flagrant ka ndodhur në Republikën e Kosovës që të paktën e kemi parë të gjithë e që ka qenë rasti kur ish-kryeministri Haradinaj i pati kërkuar ish-prokurorit special Elez Blakaj me vendim afat 30 ditë për t’i kryer hetimet. Ajo ka qenë skandaloze dhe pikërisht në atë kohë Haradinaj është dashur të jep dorëheqje, por ai nuk dha dorëheqje dhe e detyruan prokurorin të largohet nga Kosova. Kjo nuk do të ndodhë me Qeverinë Kurti”, tha ajo, raporton Kp.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Kosovës deri më tani ka ngrirë rreth 600 mijë euro që lidhen me vjedhjen nga Thesari i Kosovës. Po ashtu, janë sekuestruar 4 automjete vlera e përafërt e të cilave është 100,000 euro.

Prokuroria thotë se janë duke vijuar hetimet për këtë rast dhe se deri më tani janë ngrirë 34 llogari bankare të bizneseve në të cilat ishin transferuar paratë.

Në kuadër të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, sipas Prokurorisë Speciale janë bërë dy kërkesa adresuar autoriteteve të Turqisë, lidhur me transferin prej 440.000 eurove, të realizuara nga llogaria e “LDA Group Sh.p,k”.

Për këtë rast, dy persona janë në paraburgim si të dyshuar për veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe autorizimit” dhe “Shpëlarja e parave”, lidhur me veprën penale “Pastrimi i parave” për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.

Më 23 tetor 2020, i dyshuari për transaksionin e paligjshëm të mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Kosovës, Labinot Gruda u deklarua i pafajshëm në gjykatë. Në paraburgim është edhe Kadri Shala, njëri nga pronarët e ‘LDA Group’, kompani në të cilën u transferua një pjesë e parave.

Lajmi për zhdukjen e më shumë se 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit ishte bërë i ditur nga ish-ministrja Bajrami më 20 tetor të vitit të kaluar.