Vizita e presidentes së Komisionit Evropian në Kosovë – çka u diskutua në takimet e Ursula von der Leyen me Osmanin dhe Kurtin

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në kuadër të një turneu në Ballkan ka qëndruar të mërkurën në Kosovë.
Von der Leyen është takuar me presidenten e shtetit, Vjosa Osmani dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, takim ky që u mbajt në Kuvendin e Kosovës.
Presidentja e KE-së në një postim në platformën "X" pas takimit me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, theksoi përkushtimin e Bashkimit Evropian ndaj integrimit të plotë të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane.
"Ne mbetemi të përkushtuar për një të ardhme ku të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Bashkimit Evropian," shkroi von der Leyen.
Ajo theksoi se për të ecur përpara drejt integrimit, është thelbësore që Kosova të vazhdojë ndërtimin e institucioneve të forta dhe funksionale, të punojë për uljen e tensioneve të brendshme dhe të përmbyllë hapat e nevojshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes ekonomike për Ballkanin Perëndimor, një iniciativë e rëndësishme e BE-së për zhvillimin dhe konvergjencën rajonale.
Plani i Rritjes prej 6 miliardë eurosh përfshin investime dhe reforma si pjesë e agjendës reformuese për periudhën 2024-2027, prej tyre dy miliardë janë në formë granti, ndërsa katër miliardë janë në formë kredie me këste të favorshme.
Kosova nuk ka përfituar nga ky Plan, pasi për shkak të mungesës së krijimit të institucioneve deri më tani nuk janë miratuar marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare.
Osmani në takimin me Von der Leyen kërkoi heqjen e masave ndaj Kosovës
E në njoftim të Presidencës së Kosovës bëhet e ditur se Osmani theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës ndaj agjendës së reformave në kuadër të Planit të Rritjes, duke nënvizuar rëndësinë e zbatimit të tyre dhe bashkëpunimit të ngushtë me Bashkimin Evropian në këtë proces.
"Tani që Kuvendi është konstituuar, Presidentja shprehi pritjet e saj që miratimi i Planit të Rritjes të jetë ndër vendimet e para të Kuvendit. Presidentja Osmani theksoi se reformat e suksesshme dhe përparimi i vazhdueshëm i Kosovës në indekset ndërkombëtare të demokracisë dhe sundimit të ligjit janë dëshmi e qartë e përkushtimit të vendit tonë ndaj integrimit evropian. Në këtë kontekst, ajo ritheksoi rëndësinë që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke gjetur mënyra për thyerjen e bllokadës aktuale që ekziston në BE", thuhet në komunikatë.

Po ashtu siç bëhet e ditur në njoftim, në takim Osmani theksoi domosdoshmërinë e heqjes së masave të padrejta ndaj Kosovës, duke rikujtuar se edhe vetë Komisioni Evropian ka konfirmuar se këto masa duhet të hiqen, që nga propozimi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së në qershor 2024.
Duke folur për përpjekjet e Kosovës drejt përafrimit me Bashkimin Evropian, Osmani theksoi se mbështetja e Komisionit Evropian në këtë proces mbetet thelbësore.
Ajo ritheksoi përkushtimin e popullit të Kosovës, popullit më pro-evropian në botë, për të ardhmen evropiane të vendit tonë.
Përveç kësaj, Presidentja ngriti gjithashtu çështjen e rritjes së bashkëpunimit me BE-në për të mbështetur sektorin e shëndetësisë në Kosovë, si një domosdoshmëri për zhvillimin e vendit dhe ngritjen e cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Përgjatë takimit u diskutua për procesin e formimit të qeverisë pas konstituimit të Kuvendit, si dhe për zhvillimin e zgjedhjeve lokale, një ushtrim i rëndësishëm demokratik që edhe një herë dëshmoi profesionalizmin e institucioneve tona dhe përkushtimin e qytetarëve ndaj demokracisë. Ajo gjithashtu shprehu shqetësimin për ndërhyrjet e vazhdueshme dhe të paligjshme të Serbisë në proceset zgjedhore në Kosovë, janë veprime destabilizuese që bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare.
Me presidenten e Komisionit Evropian është takuar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Takimi është mbajtur në Kuvendin e Kosovës.
Në njoftimin e Kryeministrisë thuhet se Kurti shprehu mirënjohjen për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Presidentes von der Leyen për rrugëtimin evropian të Kosovës.

“Gjatë takimit u diskutua për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe BE-së, reformat dhe progresin tonë në sundim të ligjit dhe fushën e sigurisë, përparimin demokratik dhe rritjen ekonomike. Kryeministri ritheksoi nevojën që Komisioni Evropian të dorëzojë sa më parë pyetësorin për anëtarësim dhe dhënien e statusit të vendit kandidat për Kosovën.
Kryeministri foli edhe për zhvillimin e zgjedhjeve lokale të mbajtura të dielën e kaluar, të cilat ishin të lira, demokratike dhe në përputhje me standardet më të mira evropiane. Theksoi rëndësinë për një tranzicion të rregullt të pushtetit në komunat ku do të ketë ndërrim të qeverisjes, në respektim të plotë të kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës si dhe përkushtimin e qeverisë për të mbrojtur proceset demokratike nga çdo ndërhyrje e jashtme”, thuhet në njoftim.
Për të forcuar bashkëpunimin ekonomik me BE-në në kuadër të iniciativës “Single Market Highway” Kryeministri i dorëzoi Presidentes von der Leyen tri letra zyrtare me interesin e Kosovës për të nisur dialogun strategjik në tre sektorë kyç, Bujqësi, Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit (TIK), si dhe Industri të Mbrojtjes, fusha ku Kosova sheh avantazh krahasues dhe potencial të lartë zhvillimi. /Telegrafi/




















































