LAJMI I FUNDIT:

Viti përfundon me qeveri në largim, pa marrëveshje politike mes LVV-së e LDK-së dhe pa liberalizim të vizave

Viti përfundon me qeveri në largim, pa marrëveshje politike mes LVV-së e LDK-së dhe pa liberalizim të vizave

Ka gjashtë muaj që kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje pasi ai kishte marrë ftesë nga Gjykata Speciale në Hagë për tu intervistuar.

“Arsyeja e këtij vendimi është se kam marrë thirrje të paraqitem për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar”, kishte thënë më 19 korrik Haradinaj.


Si rrjedhojë e kësaj Kosova ka mbajtur zgjedhjet më 6 tetor 2019. Tre muaj pas, as sot nuk kemi qeveri të re të formuar. 

Haradinaj dhe koalicioni PAN vazhdojnë të jenë në krye të Qeverisë dhe ministrive përkatëse, dhe ky vit po përmbyllet kështu.

Ani pse Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës fituan zgjedhjet dhe deklaruan se shumë shpejt do të merren vesh për bashkëqeverisje, nuk doli të jetë e vërtetë.

Zyrtarët më të lartë të dy partive politike deklaruan në publik se ky do të jetë ‘koalicion i shpresës’ dhe se janë pajtuar për harmonizim të programit qeverisës mbi 90 për qind, por realiteti po tregon ndryshe.

Javën e kaluar u bë konstituimi i legjislaturës së shtatë, por që këto dy parti i gjeti pa pajtim dhe Glauk Konjufca nga LVV pa marrëveshje paraprake me LDK-në u zgjodh kryetar i Kuvendit.  

LDK këtë e quajti veprim të njëanshëm.

Por, një ditë para ndërrimit të moteve ata as afër nuk janë për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje, të paktën për publik. Komunikimi tash mes dy liderëve të LVV-së dhe LDK-së vazhdon me mesazhe nëpër media e rrjete sociale.

Kurti deklaroi dje se datën e mandatarin e cakton LDK-ja, e jo presidenti Hashim Thaçi, ndërsa duke reaguar për këtë kreu i LDK-së ka thënë se përgjegjësinë e ka LVV si parti fituese dhe se LDK nuk cakton data për formimin e Qeverisë.

Në anën tjetër, ka pasur shumë thirrje nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ambasadat tjera në Kosovë që qeveria të formohet sa më shpejtë dhe të përkushtohet në luftë kundër korrupsionit dhe në reforma ekonomike. 

Ambasadori amerikan, Philip Kosnett, shefja e BE-së, Natalya Apostolova dhe ambasadori gjerman, Christian Heldt në intervista speciale për Telegrafin kanë bërë thirrje për formim të qeverisë dhe nisjen e punës në reforma në drejtësi, ekonomi dhe përmirësim të jetës së qytetarëve.

SHBA-ja dhe BE-ja kërkojnë nga Qeveria e re rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi me një qasje proaktive
Lexo po ashtu SHBA-ja dhe BE-ja kërkojnë nga Qeveria e re rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi me një qasje proaktive

Thirrje të tilla kanë bërë edhe shumë njohës të rrethanave politike në Kosovë, duke thënë se mos arritja e një marrëveshje mes LVV-së dhe LDK-së është papërgjegjësi e këtyre dy partive që janë kap për ndarjen e posteve publike.

Ky vit për popullin e Kosovës po përmbyllet edhe pa liberalizim të vizave, ani pse liderët institucionalë kishin dhënë premtime të shumta.

Më së shumti shpresa kishte dhënë kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj duke thënë që ‘liberalizimi ka ndodh’.

Përgjegjësinë edhe fajin më të madh për këtë e kanë institucionet e Kosovës, por edhe Bashkimi Evropian dhe shtetet e saj që nuk ishin në favor të liberalizimit këtë vit, duke Kosovën të vetmin vend në Evropë pa liberalizim të vizave. /Telegrafi/