LAJMI I FUNDIT:

Viti në një fjalë: LLM

Viti në një fjalë: LLM
Ilustrimi: FT

Nga: Madhumita Murgia / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Në vitin 2023, inteligjenca artificiale [AI] pëlciti drejt zhvillimeve qendrore. Disiplina me dekada vjet e vjetër, në vitet e fundit përparoi me shpejtësi të madhe duke përmirësuar dukshëm aftësinë e kompjuterëve për t’i dalluar modelet nëpër grupet e mëdha të të dhënave, madje edhe për t’i parashikuar ato.


Këta hapa të mëdhenj, që rezultojnë nga shpërthimi i të dhënave në internet – së bashku me pajisjet dhe algoritmet më të fuqishme kompjuterike – kulmuan me shpikjen e modelit të madh gjuhësor ose LLM [Large Language Model]: softueri që mund të shkruajë tekst të besueshëm e të sofistikuar dhe të gjenerojë imazhet dhe kodet kompjuterike që imitojnë aftësitë njerëzore. Vetë LLM-ja nuk është krejtësisht risi, por e përforcon ChatGPT-në – çetbotin e AI-së që pushtoi botën pak më shumë se një vit më parë.

Qëkur OpenAI e lansoi ChatGPT-në që tani përdoret nga deri në 100 milionë njerëz në javë, LLM-ja ka rimodeluar industrinë e teknologjisë. Kompanitë më të mëdha po garojnë për dominim përmes lansimeve, duke përfshirë modelet GPT-së të OpenAI-së, Gemini të Google-it – i cili e fuqizon çetbotin e tij Bard dhe mund të përdoret në pajisjet celulare – LLaMA e Meta-s dhe Command e Cohere-s. Softueri mbështet çetbotët, mjetet për gjenerimin e imazheve – si Midjourney dhe Dall-E – dhe produktet që gjenerojnë dhe analizojnë kodin, audion, zërin dhe videon.

Është e jashtëzakonshme se sa shpejt konsumatorët dhe bizneset i kanë adoptuar modelet në vitin e kaluar. Studentët, mjekët, avokatët dhe shkencëtarët i kanë përdorur ato për të përshpejtuar detyrat e shkrimit dhe të analizës. Shumë besojnë se teknologjia e re mund ta transformojë pothuajse secilën industri.

Teksa LLM-ja po ndërthuret në jetën tonë, puna e disa viteve të ardhshme do të jetë peshimi dhe përmirësimi i të gjitha përfitimeve kundër kërcënimit të madh shoqëror që sot paraqet – domethënë, zhdukjes së mundshme të qindra miliona vendeve të punës. /Telegrafi/