LAJMI I FUNDIT:

Viti 1998: Thyerja e miteve nga Malcolmi dhe parashikimi i tij për Kosovën

Viti 1998: Thyerja e miteve nga Malcolmi dhe parashikimi i tij për Kosovën
Noel Malcolm

Intervistë e vitit 1998 me studiuesin Noel Malcolm, për Javoren Politike Shqiptare – “Zëri”
Intervistoi: Ines Sabalić

SERBIA DO TË MBETET PA KOSOVËN …

Dr. Noel Malcolm (1956) është autor i veprave të ndryshme, siç janë libri për teologun rebel Marco Antonio de Dominis, libri për kompozitorin rumun George Enescu, ndërkaq në Britaninë e Madhe njihet shumë nga fakti se merret me veprën e filozofit Thomas Hobbes ,por edhe për atë se shkroi monografinë “Histori e shkurtër për Bosnjën”. Libri i Malcolmit për Bosnjën është sot literaturë e domosdoshme e të gjithë diplomatëve dhe gazetarëve që merren me Ballkanin. Viteve të fundit, ai punoi në librin “Kosova: Një histori e shkurtër”, monografi e parë kjo për historinë e kësaj hapësire, dhe për të u shkruan shumë recensione pozitive në shtypin britanik. Mu sikur “Histori e shkurtër për Bosnjën”, edhe libri për Kosovën mahnit për mundin e bërë (Malcolmi punoi në arkivat e Venecias, Bolonjës, Romës, Vatikanit, Vjenës, Zagrebit, Uashingtonit, Tiranës, Firences, Parisit, Londrës, Oksfordit) në hulumtimin kritik të burimeve dhe në thyerjen e klisheve, por edhe nga fakti se është i shkruar me një gjuhë shumë të gjallë, shumë interesante. Një nga anekdotat e mira, por që janë të dorës së dytë në libër, është edhe udhëpërshkrimi i Edit Durhamit, e cila ishte dëshmitare e okupimit serb të Kosovës më 1912: “I thashë një mësuesi serb se britanikët pushtuan Kalenë në të njëjtën kohë kur e pushtuan edhe serbët Kosovën, por se kjo nuk na jep të drejtë neve britanikëve që ta marrim atë vetëm pse kemi dëshirë. M’u përgjigj: ‘Pse jo? Po, ju keni flotë”! Noel Malkolmi punoi edhe gazetar dhe ishte redaktor i politikës së jashtme në “Spectator” dhe kolumnist në “Daily Telegraph”. Për të punuar në historinë e Ballkanit atij i ndihmon edhe fakti se ka mësuar njëzet gjuhë, mes të cilave edhe të gjitha gjuhët që fliteshin në Austro-Hungari dhe në Perandorinë Turke. Me Noel Malkolmin biseduam në Londër, në banesën e tij të stërmbushur me libra, me CD-e dhe me pllaka të muzikës klasike


DO TË KEMI PAMJE KREJTËSISHT TJETËR TË RAJONIT

A mendoni edhe ju se kriza që ka filluar në Kosovë, edhe do të përfundojë atje?
Është paksa problematike të thuhet “atje edhe do të përfundojë”, sepse kjo sugjeron se në rrjedhën historike ekziston ndonjë fund, e ai nuk ekziston ngase historia ndryshon me ngjarjet që pasojnë më vonë. Kosova ishte e rëndësishme në fazën fillestare të zhbërjes së Jugosllavisë, në kuptim të asaj se Milosheviqi atje manipuloi me nacionalizmin serb, së pari me qëllim të dominojë me Jugosllavinë çfarë ekzistonte, e që më vonë të krijojë Serbinë e Madhe. Me atë “atje edhe do të përfundojë”, disa nënkuptojnë se në Kosovë do të ndodhë skenari i tmerrshëm, apokaliptik, sipas të cilit do të vriten dhjeta-mijëra vetë. Kjo mundësi është shumë e largët. Por, fundi i krizës së atjeshme mund të thotë se mund të arrihet ndonjë marrëveshje politike sipas së cilës Kosova do të ndahet nga Jugosllavia e tashme. Kosova do të mund të ishte stacioni i fundit i shtetit të Milosheviqit, në të cilin Serbia do të kthehet në kufijtë që ka pasur më 1912, para fillimit të luftërave ballkanike. Megjithatë, nuk do të kthehet në po ata kufij, sepse me gjasë ajo do të mbajë Sanxhakun dhe sigurisht Vojvodinën. Atje kanë ndërruar kushtet demografike deri në atë masë saqë askush as që mendon seriozisht në shkëputjen e Vojvodinës. Në fillim të krizës jugosllave, viteve të tetëdhjeta, diplomatët perëndimorë ishin të bindur se Serbia duhet të trajtohet me respekt të veçantë ngase ajo gjithmonë do të mbetej forca më e madhe rajonale. Në çdo konstruksion racional të rajonit ekziston forca rajonale dhe ata e morën për të gatshme punën se kjo do të jetë Serbia. Kjo hipotezë do të ndryshojë. Për nja dhjetë-njëzet vjet do të kemi para veti pamje krejtësisht ndryshe të tërë rajonit.

Si do të dukej, për shembull, ky rajon pas njëzet vjetësh?
Sipas të gjitha gjasave, Sllovenia do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, Kroacia gjithashtu, Bosnja do të mbijetojë si shtet unik dhe i pavarur, ndërkaq Serbia do të mbetet pa Kosovën. Dhe, mu siç do të zvogëlohet Serbia, asaj do t’i ndërrohet edhe statusi. Do të jetë kjo edhe në të mirë të Serbisë, sepse ajo do ta kuptojë vetveten në mënyrë më racionale dhe më reale. Serbët nuk do ta kenë lehtë me këtë ndryshim dhe duhet të kalojnë nëpër procesin e adaptimit psikologjik. Edhe ne në Britani e patëm vështirë të mësohemi me atë se më nuk jemi fuqi koloniale, por një shtet me madhësi dhe me forcë mesatare dhe se duhet të sillemi në pajtim me këtë. Serbët, gjithashtu, do ta kenë vështirë sepse nuk kanë pasqyrë të qartë rreth asaj se ku ndodhen kufijtë e shtetit të tyre. Ne, britanikët, e kishim shumë më lehtë, ngase Britania është ujdhesë – kështu që kemi problem vetëm me ujdhesën fqinje. Kombet e tjera janë të ndara qartë me gjuhën të cilën e flasin. Meqë nuk kanë siguri ideologjike dhe racionalitet historik rreth asaj se ku dhe në çfarë mënyre do të duhej të ishin, serbëve u mbeti t’u kthehen ditëve të lavdishme të historisë mesjetare, kur e kishin Maqedoninë dhe Kosovën dhe ata me këtë mburren dhe arsyetojnë tendencat pushtuese bashkëkohore.

I LEXOVA TË GJITHA MATERIALET E SHKRUARA

A e patët vështirë ta shkruani historinë monografike të atij rajoni, meqë s’keni mundur të kapeni për periodizimin e zakonshëm të historisë evropiane – në Kosovë nuk janë ndërruar me ritëm të duhur humanizmi, renesanca, baroku etj. Si i karakterizuat etapat e historisë së Kosovës?
Historia e Kosovës ka shumë momente të rëndësishme dhe dramatike dhe është dashur që së pari ta studioj tërë materialin e shkruar deri më tash. Nisa ashtu që së pari i lexova të gjitha këto materiale të shkruara. Në fillim të fillimit, doli dilema se cila është etnogjeneza e shqiptarëve – se a janë ata me prejardhje thrakas apo ilirë. Një vitrinë librash do të mund të shkruhej me librat e shkruara deri më tash për këtë problem, e dëshmitë janë linguistike, arkeologjike ose kanë të bëjnë me interpretimin e teksteve bizantine. Kjo ishte puna e parë që duhej të studiohej.

Në historinë e Kosovës ka edhe shumë çështje të ndryshme rreth të cilave zhvillohet debat: natyra e shtetit mesjetar serb, Beteja e Kosovës, natyra e pushtetit të Perandorisë Otomane. Pasqyra tradicionale për qeverisjen otomane është e karikuar ngase me shekuj përsëriten tregimet për tirani të tmerrshme dhe për kaos qeverisës. Në të vërtetë, mbase deri në shekullin XVII, pushteti turk ishte mjaft mirë i organizuar, e sigurisht edhe shumë më human se shtetet paralele evroperëndimore. Edhe për këtë ekziston literaturë e bollshme.

Çështje tjetër e rëndësishme në historinë e Kosovës është Dyndja e Madhe serbe, për ç’gjë, në anën serbe, ekziston literaturë shumë e madhe. Pastaj, në shekullin XIX, ndodh lëvizja nacionale shqiptare që është, pa konkurrencë, moment qenësor i shtetit modern shqiptar dhe i popullit shqiptar. Vitrina të tëra librash, kryesisht në gjuhën shqipe, ekzistojnë edhe për Lidhjen e Prizrenit. Në shekullin XX ishin të rëndësishme luftërat ballkanike dhe programi i kolonizimit të Kosovës viteve të njëzeta. Në Luftën e Dytë Botërore hapet çështja e rezistencës dhe e kolaboracionizmit. Çuditërisht, për këtë është shkruar shumë pak, por ka dokumente shumë të rëndësishme në Uashington. Pra, ngjarjet kanë pasur rrjedhën e tyre dhe, mbi të gjitha, për to ekziston literaturë çuditërisht voluminoze.

NË KOSOVË JETONTE FISI ILIR – DARDANËT

Cili është përfundimi juaj rreth prejardhjes së shqiptarëve? Cili është populli shqiptar, prej nga e ka prejardhjen?
Ballkanologu i madh, Gustav Weigand, nën ndikimin e të cilit isha edhe unë, përfaqësonte teorinë thrakase. Ky vlerësim mbizotërues ishte i mbështetur edhe në librin impresiv, të botuar kohë më parë, të profesorit gjerman Schram. Mirëpo, duke hulumtuar dëshmitë linguistike – ato nuk tregojnë në aspektin arkeologjik se me cilën gjuhë flisnin njerëzit, ndërkaq kronikat fillojnë me vonesë – fillova të bindem përditë e më shumë me versionin tjetër. Në territorin të cilin sot e quajmë Kosovë ka jetuar fisi ilir i dardanëve. Ata mund t’i quajmë paraardhës të shqiptarëve. Edhe pse ekzistojnë dilema se si mund të klasifikohen dardanët, dimë se ata kanë folur në ilirishte. Në pjesët e tjera të Jugosllavisë, ilirët u romanizuan. Në kohën e dyndjes së sllavëve, në shekullin VI, në tërë hapësirën kishte vetëm disa pjesë të vogla ku flitej me gjuhën e vjetër ballkanike, të cilën shkrimtarët grekë e quajtën gjuhë barbare. Për shembull, gjuhën barbare e fliste një fis i vogël thrakas në Bullgarinë veriperëndimore. Për atë se ruajtën gjuhën e tyre, shqiptarët duhet t’iu falënderohen pjesëve kodrinore në të cilat jetonin. Qytetet, siç janë Shkodra e Durrësi, ishin romanizuar, por malësorët nëpër kodra e male, përfshirë këtu edhe malet në Kosovë e Mal të Zi – nuk u romanizuan. Kështu që shqiptarët, në radhë të parë falë asaj se ruajtën gjuhën, ruajtën edhe identitetin e tyre të veçantë. Emri me të cilin quhen – squip apo squiptar – sipas një teorie rrjedh nga fjala “shqiponjë”, ndërkaq sipas teorisë tjetër – nga fjala “të kuptosh”. Ne të gjithë i quajmë shqiptarë, fjalë kjo që sigurisht rrjedh nga rrënja e fjalës indoevropiane për njëlloj terreni malor, që është i njëjti në fjalën Alpe, në fjalën Albion, që është emër poetik për Britaninë, mu sikur edhe në fjalën Alben, fjalë gale për Skocinë.

SERBËT KANË MË SHUMË MITE PËR KOSOVËN

Duke shkruar librin modern historiografik, ju është dashur t’i shmangeni shumë miteve të cilat në vend të historisë ekzistojnë për Kosovën. Cilat mite ju duken veçanërisht të gjalla?
Mite kanë edhe serbët, e edhe shqiptarët. Por, serbët kanë krijuar shumë më shumë mite. Në shekullin XIX, në periudhën e krijimit të kombit serb, që të arsyetohej pushtimi i sërishëm (rekonkvista) i Kosovës, ku jetonin pak serbë, duhej të ekzistonte prapavijë e fortë ideologjike. Shqiptarëve nuk u duhej miti aq shumë, sepse kishin realitetin e vet demografik – ishin shumicë gjatë tërë atij shekulli. Veç kësaj, serbët kishin universitete dhe elitën e arsimuar akademike para shqiptarëve dhe kishin më shumë kohë e mundësi të merreshin me Kosovën.

Dy mite janë të rëndësishme ideologjikisht në anën serbe. Njëri ka të bëjë me Betejën e Kosovës, për të cilën dimë se vështrohet në mënyrë shumë romantike e kjo vërehet më së miri përmes personalitetit të Milosh Obiliqit, gjegjësisht Kopiliqit. Miti i dytë është ai i Dyndjes së Madhe serbe, gjegjësisht parafytyrimi se ka ekzistuar një eksod i madh, i organizuar, po thuaj se i tërë popullatës serbe të Kosovës, me ç’rast flitet për 400 mijë veta. Ky është moment shumë i rëndësishëm sepse, siç shpjegojnë serbët, shpjegon atë se shqiptarët kanë ardhur aty dhe janë bërë shumicë. Sipas historianëve serbë, kjo ka ndodhur pas krijimit të vakumit pas shpërnguljes së serbëve. Dyndja e Madhe serbe, e udhëhequr nga Arsenie Çarnojeviqi, paraqitet si akt i qartë i vullnetit, si deklarim që, edhe pse po largoheshin, po lenin tokën e tyre të cilën mund ta kërkojnë kur të duan. Ky ishte një mit i fuqishëm, i cili gati sa nuk pati paralele teologjike në procesin e të menduarit serb. Në atë sistem, Beteja e Kosovës shërben për të mbërthyer Krishtin në kryq, në kohën kur serbët ishin të kurdisur si pre ultimative e planit hyjnor. Dyndja e Madhe serbe është, më tutje, vdekje dhe varrim i Krishtit, ndërsa ringjallje është viti 1912. Ky është pasqyrim shumë i fortë.

Miti i dytë, shumë i rëndësishëm, është teoria për arnautasin. Derisa arnauti është shqiptar, arnautasi është sllav i albanizuar. Miti shfrytëzohej për të sqaruar se prej nga aq shumë shqiptarë në Kosovë. Erdhën në përfundim se shqiptarizma është vetëm një shtresë sipërfaqësore, shtresë në krye, dhe se nën këtë shtresë ndodhen serbët shumë të mirë. Ky mit ndihmoi që të aplikohet politika e viteve të njëzeta të këtij shekulli. Dhe, meqë kishin nënshkruar marrëveshjen për garantimin e të drejtave standarde për pakicat, ata e anashkaluan këtë marrëveshje duke thënë se në Kosovë nuk ka pakica dhe se të gjithë ata janë serbë që flasin shqip.

Sa i përket shqiptarëve, mitet te ta u zhvilluan shumë vonë dhe mendoj se miti më i paqëndrueshëm është ai se shqiptarët gjithmonë kanë qenë shumicë në Kosovë, bile edhe në kohën e Car Dushanit. Kjo është fantazi, e jo histori.

E kujt ishte Kosova në kuptim të kontrollit politik mbi të?
Çështja e kontrollit politik është shumë e rëndësishme për periudhën e hershme, sepse miti tjetër i madh serb është se Kosova është djep i shtetit serb. Ky është shtrembërim i plotë. Nukleusi i shtetit serb ishte, siç e dimë, Rashka, e quajtur sipas qytetit Ras afër Novi Pazarit, qytet ky që ndodhet jashtë Kosovës. Nemanjiqi filloi ta ndërtojë dinastinë e tij nga territori që sot quhet Sanxhak, në veriperëndim të Kosovës. Duke shikuar tërë periudhën mesjetare, që nga ardhja e sllavëve e deri te inkorporimi i plotë turk i këtij territori, flasim për tetëqind vjet. Kosova ishte në shtetin serb vetëm në 250 vjetët e fundit. Prandaj, të thuash se Kosova është djep i popullit serb, është gabim tepër i madh. Disa sllavë, mbase domosdoshmërisht jo serbë, sigurisht asokohe u vendosën në Kosovë. Dy fiset kryesore në Ballkan ishin serbët dhe kroatët, mirëpo në fillim kishte edhe sllavë të tjerë që nuk ishin pjesë e këtyre dy grupacioneve fisnore dhe vetëm më vonë, gradualisht, u integruan në dy bashkësitë kryesore. Por, gjithsesi, Kosova në kohën e krijimit të shtetit serb nuk ishte aq e mbushur me sllavë.

Mes tjerash, kjo është arsye se pse ekziston ndarje aq e madhe linguistike mes serbishtes e kroatishtes, në njërën anë, dhe bullgarishtes e maqedonishtes, në anën tjetër. Po të ishin shpërndarë sllavët gjithkund njësoj, nuk do të ndodhnin ndasi të tilla linguistike në gjuhën sllave. Tingëllon bindshëm se mes tyre ka ekzistuar barriera e gjuhës josllave, sigurisht i popullatës që ka folur latinisht. Mes këtyre duhet kërkuar prejardhjen e vllahëve dhe të rumunëve. Këto pjesë të të folmes latine mbuluan një pjesë të madhe të Kosovës, veçanërisht rrafshinat ku ndodheshin qytetet. Më vonë, në kohën e shtetit mesjetar serb, Kosovën e kontrolluan sundimtarët serbë.

SHQIPTARËT RUAJTËN GJUHËN E TYRE

Kush erdhën të parët aty – serbët apo shqiptarët? Kjo nuk do të thotë asgjë në kuptim të të drejtës për tokë, mirëpo do të ishte e rëndësishme të dihej.
Personalisht jam i lodhur nga argumentet se dikush që ka ardhur në shekullin IV ka përparësi në raport me atë që ka ardhur në shekullin VI. Mirëpo, është e qartë se në një hulumtim serioz njeriu duhet të përgjigjet edhe në këtë pyetje. Mendoj se deri-diku është e qartë se shqiptarët tashmë ishin në atë territor, kur dihet se dardanët e atjeshëm janë paraardhës të shqiptarëve. Kjo ndodhi shumë, shumë më herët para se të vinin sllavët, gjegjësisht serbët. Është e mundur që shqiptarët të jenë tërhequr nëpër viset malore, sepse disa nga ata ishin gjysmënomadë, blegtorë. Por, ata ruajtën gjuhën e tyre! Të tjerët, paraardhësit e romanizuar të vllahëve, ndodheshin nëpër qytete dhe kohë pas kohe zëvendësoheshin nga sllavët. Pas disa shekujsh, në Kosovë gjejmë vendbanime të mëdha agrare, kryesisht të sllavëve, ndonëse jo ekskluzivisht të tyre. Ndërsa në kohën kur serbët bëhet sundimtarë politikë, atje sigurisht shumica ishte serbe. Mirëpo, burimet e vetme që kemi janë nga manastiret e ato të dhëna s’është e thënë të ishin detyrimisht objektive. Ashtu siç forcohej shteti i Nemanjës, sigurisht se forcohej edhe sllavizimi i një pjese të popullit shqiptar që dëshironte të jetonte i qetë në rrafsh duke u marrë me bujqësi. Në atë periudhë, serbët ishin shumicë, siç tregojnë edhe toponimet në Kosovë. Po të flisnin shqip, emrat e fshatrave nuk do të ishin sllave e ato, në atë kohë, kryesisht ishin sllave. Nëse qyteza quhet Suva Reka, sigurisht nuk gabojmë nëse themi se banorët e saj flisnin sllavisht e jo shqip.

Mendoj se procesi me të cilin shqiptarët u bënë shumicë në Kosovë nuk ishte nën ndikimin e Dyndjes së Madhe serbe, më 1619. Asokohe u vranë shumë serbë, dhe kjo ishte periudhë e represionit të madh otoman. Disa, përfshirë edhe katolikët shqiptarë, i ikën kësaj ndërsa të tjerët u vranë in situ. Shpesh lihet pas dore shtimi i popullatës shqiptare brendapërbrenda Kosovës, së pari rreth Prizrenit, Pejës, Gjakovës. Shumë shqiptarë katolikë kaluan në fenë islame. Një nga arsyet për këtë është se kisha e atjeshme katolike ishte shumë e dobët dhe nuk mund të prodhonte priftërinj të mjaftueshëm që do të shërbenin popullin. Në një lloj të tillë të shoqërisë, religjioni thuajse pati vetëm rol magjik: nevojitej për lindje, për vdekje, për mbrojtjen e të lashtave … Dhe, meqë nuk kishte mjaft priftërinj, ata zëvendësuan krishterimin me fe tjetër. Kur kësaj ia shtojmë edhe trysninë e pushtetit dhe mirëqenien ekonomike që kishin, nuk është e çuditshme që katolikët shqiptarë kalonin më shumë sesa serbët ortodoksë. Zaten, kisha ortodokse serbe nuk ishte aq vrazhdë e përndjekur, siç duan të tregojnë nganjëherë historianët tradicionalë serbë. Manastiret mbajtën pjesën më të madhe të pasurisë që kishin dhe shfrytëzuan privilegjet që kishin.

Pjesa e dytë e sqarimit se pse ishin shqiptarët shumicë në Kosovë është migrimi nga Shqipëria Veriore, ndonëse ai nuk ishte i madh. Për këtë kemi raporte të priftërinjve katolikë në kancelaritë Propaganda Fide në Romë. Pjesa më e madhe arrin aty në shekujt XVIII dhe XIX. Shumica, pas ardhjes në Kosovë, islamizohen, ngase janë larg strukturave të veta familjare dhe shoqërore që ruajtën traditën katolike. Prandaj, nuk është e saktë shema sipas së cilës Kosova ishte me popullatë serbe dhe të cilën e vërshuan migrimet shqiptare. Shumë sllavë nga Maqedonia, nga Bosnja, nga pjesët sllave të Shqipërisë, e veçanërisht të Malit të Zi, migruan në Kosovë. Ata bënin jetë krejtësisht identike mu sikur edhe shqiptarët e viseve malore – ruanin bagëtinë, kishin gjakmarrjen dhe natalitetin e madh. Vasojeviqët, bratanoviqët, bjelopavliqët, vazhdimisht vinin në Kosovë përmes Sanxhakut.

SERBËT NUK IKËN VETËM NGA KOSOVA

Mbi ç’gjë mbështetet miti për Dyndjen e Madhe serbe dhe cili është versioni juaj për këtë çështje?
Miti ka atë bëjë me atë se 400-500 mijë serbë lëshuan Kosovën të udhëhequr nga patriarku Arsenie Çarnojeviq dhe ata ishin të ftuar të vendoseshin në Vojvodinë dhe në Hungari. Secili prej këtyre tre elementeve është i gabueshëm. Kjo dokumentohet në mënyrë të detajizuar në dokumentet austriake dhe venedikase.

Numri prej 400 mijë apo 500 mijë serbëve që ikën nga Kosova rrjedh nga kronika serbe e shkruar shumë, shumë më vonë nga kjo ngjarje dhe atje përmenden 37 mijë familje të shpërngulura. Historianët serbë konstatuan se familja është bashkësi dhe e shumëzuan këtë numër me shtatë, dhjetë, tridhjetë … sa të doni. Kështu edhe erdhën te shifrat e mëdha. Realisht, ajo kronikë nuk ka validitet historik. Por, janë të rëndësishme dy dokumente që i ka shkruar vetë patriarku Arsenie Çarnojeviq, menjëherë sapo arriti në territorin hungarez. Në dokumentin e parë thuhet se në dyndje morën pjesë 30 mijë veta, ndërsa dokumentin e dytë e shkroi dhjetë vjet më vonë dhe aty përmend shifrën prej 40 mijë vetash. Për më tepër, aty precizon dhe thotë: 40 mijë veta. Në burimet paralele gjithashtu theksohet se në dyndje morën pjesë rreth 30 mijë veta.

Si u bë që historianët serbë nuk ishin të interesuar për shifrat që përmenden në dokumentet e Çarnojeviqit?
Ato dokumente nuk janë sekrete. Ato ndodhen në arkiv të Vjenës. Mirëpo, me gjasë ato ishin të pakëndshme për serbët dhe kryesisht ata i anashkaluan e i lanë në harresë ato. Gjithashtu, të gjithë të shpërngulurit nuk ishin vetëm nga Kosova, por kishte shumë edhe nga Serbia qendrore, nga Shumadia – njerëzit iknin ashtu siç përparonte armata turke.

Komponentë tjetër e mitit është se Dyndjen e Madhe e udhëhoqi Arsenie Çarnojeviqi. Mirëpo, nga dokumentet është e qartë se nuk ishte kështu. Arsenie e braktisi Patriarkanën e Pejës në nguti të madhe, në përcjellje të vetëm disa murgjve. U nis nga Peja në drejtim të veriut, drejt Sanxhakut, kaloi përgjatë Serbisë dhe kështu, në fund, arriti në Hungari në qershor të vitit 1690. Të ikurit vetë depërtuan dhe u vunë nën pushtetin e Arsenies në periudhën e fundit kur Beogradi tashmë kishte rënë, që nga shtatori i vitit 1690 e tutje.

Dhe, krejtësisht në fund, nuk doli saktë as komponenti i fundit i mitit në bazë të të cilës serbët u ftuan në territorin hungarez me privilegjin që vetë të zgjedhin dukën e tyre – nga atje vjen Vojvodina dhe kërkesa serbe për këtë territor. Në esencë, dokumenti që ia lëshoi cari Leopold, Arsenies, e që ruhet në Vjenë, tregon shumë qartë se nuk është fjala për ftesën që u është bërë serbëve për të ardhur dhe për të mbetur në Austro-Hungari. Zaten, ajo është ftesë që ata të bëjnë kryengritje (kundër pushtetit turk) atje ku janë, në Kosovë. Kur Leopoldi thotë “Garantojmë privilegjin që vetë të zgjidhni dukën tuaj”, ai mendon se serbët, atje, në Kosovë, nëse çlirohen nga turqit, do të gëzojnë vetadministrimin. Fjalia esenciale në atë dokument, në përkthim do të thotë: “MOS i lëshoni shtëpitë tuaja”, ndërsa në latinishte – nun deseriter. Dikush nga historianët serbë të shekullit XIX, kur u botua teksti, harroi të përmend fjalën nun – jo.

JETA NË SIMBIOZË

Cilat janë konstatimet tuaja për Betejën e Kosovës?
Shkurtimisht, kam gjetur dëshmi se ka pasur shqiptarë, ndonëse jo të shumtë, siç e teprojnë nganjëherë historianët shqiptarë, të cilët kanë luftuar në anën e car Lazarit. Gjithashtu, kishte shqiptarë që luftuan në anën e otomanëve, e sigurisht kishte edhe serbë. Po përkujtoj se kishte sundimtarë serbë, në jug të Kosovës, përfshirë edhe Marko Kraleviqin e Konstantin Dejanoviqin, që ishin vasalë otomanë dhe që duhej të jepnin ushtarë dhe pajisje për fushatat ushtarake të sundimtarit të tyre. Pra, serbët e shqiptarët ishin në të dy anët.

Diçka rreth pyetjes së moçme për tradhtinë e Vuk Brankoviqit … Një autor anonim dalmatin a venedikas përmend “kapitenin tradhtar”, Dragoslav Probishiq, i cili i ktheu njerëzit e vet kundër serbëve, si dhe një gjeneral boshnjak i cili braktisi Fushë-Kosovën me njerëzit e vet kur dëgjoi lajme të këqija për zhvillimin e betejës. Për Milosh Kopiliqin nuk ka mjaft dëshmi të qëndrueshme, por dëshiroj t’u tregoj për një tekst katalonian, të shkruar trembëdhjetë vjet pas betejës, dhe i cili nuk është shfrytëzuar sa duhet në historiografinë e deritashme për këtë betejë. Kemi të bëjmë me një roman heroik të asaj kohe, me një biografi romantike të Jakupit, djalit më të madh të Muratit të cilin Bajaziti e vrau pas betejës me qëllim që të sigurojë fronin. Mirëpo, ashtu siç vërejtën shumë historianë katalonas të literaturës, në fund të romanit është teksti që dallon rrënjësisht nga pjesa e përparme fiktive. Duket se është fjala për një dëshmi historike, sepse kemi të bëjmë me dëshmi shumë faktike të Betejës së Kosovës, me njohje pazakonshmërisht të saktë të toponimeve, të zakoneve otomane dhe të detajeve historike. Sipas autorit katalonas, forcat e car Lazarit përbëheshin edhe “Nga shumë gjermanë e hungarezë”. Një “hungarez i madh” kërkoi nga Lazari që ta bëjë atë njërin nga komandantët e ushtrisë. Dy komandantët e tjerë ishin vetë Lazari dhe “dhëndri” i tij, gjegjësisht Vuk Brankoviqi. Autori jep detaje të ndryshme për dy ushtritë, e edhe detajin se Murati vendosi, njërin pas tjetrit , tri rende me deve “të lidhura mes veti me zinxhirë”. Devetë, duke shkruar për betejën, i përmend edhe senatori fiorentinas. Autori katalonas përshkruan ngjarjen dramatike kur kalorsiaku i krishterë (qartë e thotë se ai ishte hungarez), “udhëheqësi i hungarezëve”, vret Muratin. Mua kjo më duket mjaft e sigurt. Një vajzë e Lazarit ishte e martuar me hungarezin në zë të asaj kohe Miklosz Garai. Nuk ka dyshim se ai i ndihmoi ushtarakisht Lazarit në Kosovë, dhe mendoj se ka mundur të ndodh që ai ta ketë vrarë Muratin e që pastaj është shkrirë në personalitetin e Milosh Kopiliqit. Në librin tim ofroj disa shpjegime të mundshme për këtë.

Në “Historinë e Bosnjës” keni theksuar argumentet kundër mendimit se lufta në ish-Jugosllavi ka qenë rezultat i “urrejtjeve të ndërsjella qindvjeçare” dhe se, në fund të fundit, vetë popujt, të mbushur plot mllef, i kanë futur në luftë prijësit e tyre. Në “Historinë e Kosovës” gjithashtu pohoni se gjatë shekujve mes shqiptarëve e serbëve nuk ka pasur ndonjë mllef të veçantë?
Nuk dua t’i romantizoj periudhat e mëhershme, por faktikisht nuk mund të gjeni dëshmi se serbët i kanë vrarë shqiptarët vetëm pse janë shqiptarë apo e kundërta. Dy bashkësitë bënë mënyrë simbioze të jetës. Konfliktet nacionale fillojnë në shekullin XIX. Pjesërisht nga fakti se në këtë kohë zhvillohet kuptimi identitet nacional e, pos kësaj, situata politizohet për shkak të interesit të jashtëm të fuqive të mëdha. Në njërën anë, zhvillohen shtete gjysmë të pavarura, si Serbia. Në anën tjetër, fuqitë mbrojtëse: Austro-Hungaria për katolikët, Rusia për serbët dhe Turqia për shqiptarët, krijojnë atmosferën e mosbesimit të ndërsjellë. Politika otomane në Luftën e Krimesë, dhe përndjekjet masive të shqiptarëve dhe myslimanëve të tjerë nga territoret që pushtuan serbët, krijuan te shqiptarët besimin se serbët janë kërcënim për të qenmen e tyre. Sa më shumë që insistonin serbët në atë se Kosova është tokë e tyre e shenjtë, shqiptarët për aq largoheshin nga shteti serb. Nga këndi serb, ajo që ndodhi më 1912, kuptohet krejtësisht ndryshe – ishte ai shembulli më i ndritshëm i luftës për çlirim me qëllim që serbët e Kosovës të shpëtoheshin nga kthetrat e fuqisë së huaj imperialiste – Turqisë.

BADINTERI U KEQINTERPRETUA QËLLIMSHËM

Shumica e recensentëve të librit tuaj janë të fascinuar me “Historinë e Kosovës”, por disa ua zënë për të madhe se nuk i keni shfrytëzuar sa duhet burimet serbe. Sa është e vërtetë kjo dhe, nëse po, pse nuk i shfrytëzuat ato?
Kritikët e mi nuk janë historianë dhe sinqerisht nuk janë kompetentë të gjykojnë për këtë. Po të ishin kompetentë, do të dinin se studimi i historisë së Ballkanit të shekullit XVII është shumë specifik. Nuk kam punuar nëpër arkivat serbe, sepse thjesht në to nuk ka asgjë për këtë periudhë. Nuk ka ekzistuar institucioni serb i cili ka grumbulluar dokumentet serbe të shekullit XVII. As kisha ortodokse serbe gjithashtu nuk ka kurrfarë lënde historike. Ajo ka 150 dorëshkrime mesjetare, por ato janë tekste liturgjike e jo historike. Pas themelimit të arqipeshkvisë në Karlovc, e kjo ndodhi pas Dyndjes së Madhe, mblodhën disa dokumente, ndonëse mendoj se ato nuk mund të quhen lëndë arkivore. Në ato dokumente edhe ashtu nuk ka asgjë për Dyndjen e Madhe. Pas kësaj keni arkivin që është themeluar në shekullin XIX, ndërsa në shekullin XX edhe kisha ortodokse serbe ka arkivin e vet të përgjithshëm, administrativ.

Dhe, krejtësisht në fund, a ka Kosova, sipas jush, të drejtë të barabartë për pavarësi mu sikur edhe të gjitha republikat jugosllave?
Statusi i Kosovës nuk ishte identik me statusin e republikave, por kur Komisioni i Badinterit kumtoi se Jugosllavia është zhbërë u theksua se nuk është fjala për secesion të Sllovenisë, të Kroacisë e të Bosnjës, por për ndarjen e saj në njësi konstituive. Dhe, Badinteri kurrë nuk i përmendi me emër veç e veç ato njësi konstituive, por Perëndimi mori vendim politik që shpjegimi për këtë të jetë se është fjala për republikat. Kosovarët mund të thirren në argumentin juridik të Komisionit të Badinterit dhe në Kushtetutën e Jugosllavisë si dhe në funksionimin real të federatës jugosllave. Diplomatët perëndimorë mendojnë se kosovarët kërkojnë ndryshimin e kufijve me qëllim që ato të reflektojnë gjeografinë etnike, e ky është precedent me të cilin Perëndimi, për shumë arsye, nuk do të pajtohet. Mirëpo, kërkesa e Rugovës nuk bazohet në këtë, por ata kërkojnë për veti territorin e ish-provincës autonome. /Telegrafi/