LAJMI I FUNDIT:

Vitet e shtetësisë në favor të importit

Vitet e shtetësisë në favor të importit
-->

Edhe 10 vjet pas shpalljes së pavarësisë Kosova, nuk arriti të fuqizojë sektorin e prodhimtarisë. Vendi vazhdon të importojë gati të gjitha produktet duke filluar nga ato të konsumit e deri te produktet strategjike.

Struktura e importit në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare të Doganave të Kosovë, ka një llojshmëri të madhe, por, kryesisht në aspektin e të hyrave dhe vlerës prijnë nafta dhe derivatet e saj, duhani, automjetet, industria e ushqimit dhe tekstilit, e të tjera.

Kontributi i eksporteve në volumin tregtar në vit mbetet shumë i ulët, me rreth 300 milionë euro, kurse importi rreth 3 miliardë euro.

Importuesi më i madh në Kosovë mbetet Serbia, ku sipas të dhënave zyrtare janë mesatarisht rreth 400 milionë euro në vit produkte të ndryshme që importohen nga ky shtet.

Megjithatë, janë disa produktet të importuara që sipas të dhënave të Doganave të Kosovës gjatë kësaj periudhe 10-vjeçare nuk importohen në masë çfarë kanë qenë më parë.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci thotë për Radion Evropa e Lirë se disa produkte janë zëvendësuar me produktet vendore, pasi që importi i atyre produkteve ka shënuar rënie nëpër vite.

“Në bazë të statistikave ka një progres. Nëse kthemi në vitin 2006 apo 2007, importi i ujit të ambalazhuar ka qenë një nga importet më të mëdha deri në 50 milionë litra brenda vitit, derisa 10 vite më vonë ky import është vetëm deri në 8 milionë litra brenda një viti, pra kemi një zëvendësim të atij produkti”.

“Po ashtu, edhe importi i lëngjeve ka pasur import me miliona litra, derisa tani kemi një pjesë të madhe të importit që është zëvendësuar. Viteve të fundit kemi parë një ulje të importit të perimeve, që ka një indikator që kemi rritje të produkteve bujqësore”, thotë Stavileci.

Përfaqësues të bizneseve në Kosovë dhe ekspert të fushës thonë se përgjatë këtyre 10 viteve janë një varg faktorësh që kontribuuan në moszhvillimin e duhur të këtij sektori.

Eksperti i çështjeve ekonomike Naim Gashi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se sektorit i prodhimtarisë është duke i bartur pasojat e një privatizimi jo të duhur që ishte bërë ndërmarrjeve shoqërore.

“Një shkaktar kryesor i ngecjes së sektorit të prodhimit është privatizimi i korruptuar që ka ndodhur në Kosovë, ku asetet kryesore publike kanë kaluar në duart të politikës ose njerëzve të afërt të tyre dhe ata nuk kanë pasur aftësi dhe as qëllim që të rikonsolidojnë fabrikat dhe kapacitet prodhuese të cilat i ka pasur Kosovë. Për pasojë, fabrikat kryesore të Kosovës janë shndërruar në ndërtesa banimi, i është ndërruar destinimi dhe kishim një shkatërrim të trashëgimisë prodhuese që kishim në Kosovë”, thotë Gashi.

Edhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka thotë për Radion Evropa e Lirë se është bërë shumë pak gjatë këtyre 10 viteve në aspektin e politikave fiskale.

Bilanci negativ tregtar më të cilin përballet vendi, sipas Zekës, është reflektim i 100 për qind i politikave të gabuara fiskale që janë aplikuar nga institucionet e vendit gjatë këtyre 10 viteve.

“Diku në vitin 2010 në Kosovë ndryshon legjislacioni tatimor dhe nuk preket asgjë për sa i përket lehtësirave për prodhueseve. Ne vitin 2013 nxirret një ligj për mallrat e liruara nga detyrimet doganore, që liron një pjesë shumë të kufizuar të lëndës së parë, kjo është bërë mënyrë selektive për t’i sjell përftime vetëm një grupi të bizneseve. Në vitin 2014, Qeveria vendos që të lirojë nga detyrimet doganore një pjesë të makinerive dhe në të njëjtën kohë nxjerr një vendim ekzekutiv për pushime tatimor një vendim ky i cili nuk zbatohet kurrë”.

“Pastaj në shtator të viti 2015 ndryshon sërish legjislacioni tatimor dhe aty prezantohen pushimet tatimore ku asgjë nuk ndodh deri në qershor të viti 2017, atëherë kur Qeveria në largim aprovon e ashtuquajturën 2.0, e cila sërish nuk zbatohet nga Qeveria e re dhe tani në vitin 2018 kemi masa të reja fiskale të cilat po zbatohen në mënyrë gjysmake dhe si të tilla lënë hapësirë që pas 2 viteve të merren vendime tjera”, sqaron Zeka.

Por, pavarësisht të gjitha vështirësive, disa kompani prodhuese të Kosovës kanë bërë hapa pozitiv dhe kanë arritur që disa produkte që janë importuar t’i zëvendësojnë me produkte vendore.

Kompania “Frutex” nga Suhareka është një ndër kompanitë më të mëdha për prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjetike. Pronari i saj Shaqir Palushi, thotë për Radion Evropa e Lirë se me një përkrahje më të fuqishme shtetërore, bizneset prodhuese do të ishin më të suksesshme dhe do të kontribuonin më shumë në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Ashtu siç ka mundur të bëhet më tepër në të gjitha segmentet e shoqërisë në Kosovë, edhe në sektorin e prodhimit ka mundur të bëhet shumë më shumë. Mospërkrahja më e madhe e Qeverisë na ka dëmtuar, megjithatë sot qëndrojmë shumë më mirë se para 10 viteve”, thotë Palushi. /Rel /Telegrafi/