LAJMI I FUNDIT:

“Vita” donacion për edukimin e 650 fëmijëve si dhe heq qumështin dhe lëngjet për një vit

“Vita” donacion për edukimin e 650 fëmijëve si dhe heq qumështin dhe lëngjet për një vit

SOS Fshatrat e Fëmijëve të Kosovës, kanë organizuar një mbrëmje me moton “Unë jap shpresë”. Në këtë organizim shumë donatorë kanë dhënë kontributin e tyre për fëmijët të cilët jetojnë në SOS Fshatra, të kenë kushtet e jetesës dhe shkollimit.

Donatori më i madh në këtë organizim, ka qenë nga Qumështorja “Vita”, për shkollimin e 650 fëmijëve në rrezik të humbjes së familjes si dhe ka siguruar qumësht “Vita” dhe lëngjet “Tango” për një vit pa pagesë për 77 fëmijë. Këtë aksion e kanë përkrahur edhe biznese të tjera.

Përgjegjësja për Mbledhjen e Fondeve në SOS Fshatrat e Fëmijëve të Kosovës, Albana Zogu – Morina, ka thënë se organizimi i aksionit “Unë Jap Shpresë” ka mundësuar realizimin e disa ëndrrave dhe nevojave të fëmijëve pa përkujdesje prindërore dhe për ata që rrezikojnë të humbin kujdesin prindëror.
Të gjitha të hyrat nga kjo mbrëmje, sipas saj, janë të dedikuara për fëmijët. “Këto të hyra dedikohen për ushqim, veshmbathje, higjienë, edukim dhe mirëqenie të fëmijëve përfitues të programeve të SOS Fshatrave të Fëmijëve të Kosovës”, tha ajo.

Zogu –Morina tregon se Sos Fshatrat e Fëmijëve ofrojnë strehim dhe përkujdesje për 77 fëmijë pa përkujdesje prindërore dhe të braktisur nga i tërë vendi, si dhe mbështesin 650 fëmijë në rrezik të humbjes së familjes nga Prishtina, Fushë Kosova dhe Graçanica

Sipas saj, aksionin e SOS Fshatrave “Unë Jap Shpresë”, është përkrahur mirë.

“Qumështorja ‘Vita’ ka kontribuar me mbulimin e shpenzimeve për nevojat e edukimit për 1 vit për 650 fëmijë në rrezik të humbjes së familjes duke dhënë donacion para si dhe duke ofruar falas qumësht dhe lëngje për 77 fëmijë pa përkujdesje prindërore të cilët jetojnë në familjen e madhe Sos Fshatrave”, ka treguar Albana Zogu-Morina përgjegjëse për mbledhjen e fondeve në SOS Fshatra të Fëmijëve.

Aksionin sipas saj, e kanë përkrahur edhe Banka Ekonomike, Meridian, Knauf, Redoni, Cacttus, Toyota.

Ndërkaq, Argjira Lluka nga Qumështorja “Vita”, e cila kompani ka përkrahur më së shumti këtë aksion, ka thënë se kanë përkrahur aksionin e organizuar nga SOS Fshatrat me një donacion në vlerë prej 7176 euro.

“Donacioni për SOS Fshatrat nga qumështorja ‘Vita’ ka vlerë prej 7176 euro ku përkrahim edukimin e 650 fëmijëve në Prishtinë e te cilët janë pjesë e programit fuqizimi i familjes nga SOS Fshatrat, të cilën ne me kënaqësi kemi vendosur ta përkrahim”, ka treguar Lluka.

Sipas saj, Qumështorja “Vita” edhe më herët ka japur donacione për SOS Fshatrat e Fëmijëve.

“Është viti i 4-të me radhë që ne përkrahim SOS Fshatrat në forma të ndryshime, mirëpo është viti i parë që e bëjmë një hap më të madh dhe e përkrahim këtë pako specifike, e cila për ne ka një rëndësi të madhe sepse i rrit vlerat e popullit tonë dhe të ardhmen e fëmijëve të vendit tonë”, është thënë në përgjigjët e qumështores Vita.

Përveç donacioneve në të holla, Argjira Lluka ka thënë se i kanë përkrahur SOS Fshatrat për një vit me qumësht dhe lëngje. “Përpos donacionit në të holla Qumështorja ‘Vita’, do të furnizojnë me qumështin ‘Vita’ dhe lëngjet ‘Tango’, SOS Fshatrat për 1 vit me gjithë sasitë e nevojshme për konsumim, e gjitha kjo pa pagesë”, ka thënë Lluka.

Por, pavarësisht donacioneve me organizmin e kësaj mbrëmje sipas SOS Fshatrave, janë siguruar vetëm 13% e nevojave për vitin 2017 të SOS Fshatrave. /Telegrafi/