LAJMI I FUNDIT:

Violinistja dhe docentja Ervis Gega Dodi nderohet me çmim në Gjermani

Violinistja dhe docentja Ervis Gega Dodi nderohet me çmim në Gjermani

Universiteti Johannes Gutenberg Mainz në Gjermani, ka nderuar violinisten dhe docenten Ervis Gega Dodi me çmimin më të lartë për mësimdhënësit e muzikës.

Ambasada e Shqipërisë në Gjermani, bën të ditur se çmimi iu dha me motivazionin “rezultate të shquara” në veprimtarinë mësimdhënëse. I gjithë bordi i rektoratit votoi njëzëri për profesoreshën studentët e së cilës fitojnë prej vitesh çmime të njohura kombëtare në Gjermani dhe në botë.


Me veprimtarinë 18-vjeçare si mësimdhënëse ndër të tjera në Universitetin Johannes Gutenberg, në Konservatorin e Muzikës Peter Cornelius, në Akademinë më të madhe të Muzikës së Dhomës Villa Musica, në kurse të suksesshme masteri në Gjermani dhe në Itali, Ervis Gega Dodi ka bërë një emër të shquar dhe të vlerësuar në komunitetin e docentëve të muzikës në Evropë.

Televizione kombëtare gjermane si ZDF, SWF kanë theksuar në disa emisione të veçanta punën e saj shumë të suksesshme si mësimdhënëse.

Loja e saj virtuoze në violinë është vlerësuar gjithashtu me çmime të larta. /ATA/