LAJMI I FUNDIT:

Vezët nga Serbia shiten në Kosovë pa vula “RKS” (Foto)

Vezët nga Serbia shiten në Kosovë pa vula “RKS” (Foto)

Kontrabanda dhe importi i vezëve nga Serbia, që nuk i plotësojnë kriteret për treg, po i shqetëson mbi 160 fermerë kosovarë.

Sipas kryetarit të Shoqatës së Shpezëtarëve të Kosovës, Sabit Rama vezët nga Serbia që po shiten në tregun kosovar janë të pa vulosura me kodin ‘RKS’.

Këto produkte sipas tij, përveç që po krijojnë konkurrencë të pabarabartë në treg, janë të rrezikshme edhe për shëndetin e qytetarëve konsumatorë.

“Ne jemi të shqetësuar me sasinë e importit të vezëve dhe kontrabandës me këto produkte nga Serbia, të cilat nuk i plotësojnë kushtet, nuk janë të vulosura dhe po krijojnë konkurrencë jo të barabartë në treg”, ka thënë Rama për KosovaPress.

Ai tutje ka thënë se ka import të vezëve në mënyrë ilegale prej Serbisë, veçanërisht nga veriu i Mitrovicës.

“Shqetësuese është, sepse produktet tona i kemi të vulosura në treg, ndërsa vezët nga Serbia shiten pa vulë në tregun kosovar. Import në mënyrë ilegale ka pasur edhe më herët, por tash kanë filluar të bëhen në sasi të mëdha”, theksoi ai.

Ndër të tjera, Rama tha se Kosova mbulon 100 për qind tregun me prodhime të vezëve.

Në fund ai tha se për këto importe dhe shitje të pa rregullta, janë ankuar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës ditë më parë.
Ndërsa, zyrtarë të AUV nuk janë përgjigjur për KosovaPress lidhur me këtë temë. /Telegrafi/