LAJMI I FUNDIT:

Veton Berisha: Nuk votuam Qeverinë Kurti, ministria e 13-të na takonte neve jo Listës Serbe

Veton Berisha: Nuk votuam Qeverinë Kurti, ministria e 13-të na takonte neve jo Listës Serbe

Deputeti i Partisë Liberale Egjiptiane (PLE), Veton Berisha ka deklaruar se nuk e kanë votuar Qeverinë Kurti për shkak se ministri i dytë u takonte atyre e jo Listës Serbe.

Berisha,  këto deklarata i ka bërë menjëherë pas votimit në Kuvend ku Qeveria Kurti mori 66 vota pro dhe 10 abstenime.


“Nuk pati nevojë, ishin votat e mjaftueshme, nuk do ta pengonim po të ishte e nevojshme krijimi i qeverisë, meqenëse pati vota të mjaftueshme atëherë nuk ishte e nevojshme që të jepet një votë, e që nuk jemi të përfaqësuar. I uroj Kurtit punë të mbarë edhe pse unë nuk kam qenë pjesë e votimit, shpresoj që kjo nuk do të ndikoj tek iniciativat e tij për komunitetin egjiptian”, u shpreh më tej ai.

Për qeverinë kanë votuar 29 deputetë të LVV-së, 28 nga LDK-ja dhe dy deputetët e AKR-së, përcjell Telegrafi.

Para seancës, dyshime se si do të votonte kishte edhe deputetja boshnjake Duada Balje.

Votimi i Qeverisë Kurti është bërë përmes procedurës së hapur me ngritje dore, me ç’rast ka pasur edhe vështirësi në leximin e saktë.

Nagavci në fillim deklaroi se qeveria u votua me 86 vota pro por më pas ka përmirësuar këtë lëshim duke thënë se për kabinetin qeveritar ka pasur 66 vota pro dhe 10 abstenime.

Kujtojmë që PDK dhe AAK në momentin kur po votohej kanë lëshuar sallën e Kuvendit./Telegrafi/