Aktori amerikan James Ransone, i njohur për rolin e tij si Ziggy Sobotka në serialin legjendar të HBO-së The Wire, ka ndërruar jetë në moshën 46-vjeçare në Los Angeles.

Sipas Zyrës së Mjekut Ligjor të Qarkut të Los Angeles, vdekja e tij është cilësuar si vetëvrasje, shkruan DailyMail.


Ransone u bë i njohur për audiencën televizive me paraqitjen e tij në sezonin e dytë të The Wire në vitin 2003, serial që konsiderohet gjerësisht si një nga dramat më me ndikim në historinë e televizionit.

Ai u shfaq gjithashtu në disa prodhime të tjera të njohura, përfshirë Generation Kill, Treme, Bosch, si dhe në filma si Sinister, It Chapter Two dhe The Black Phone.

Në vitet e fundit, aktori kishte folur hapur për sfidat personale, përfshirë varësinë dhe traumën nga abuzimi seksual, duke u bërë zë i rëndësishëm për ndërgjegjësimin rreth shëndetit mendor.

Ai ishte i martuar me Jamie McPhee dhe la pas dy fëmijë. Pas lajmit tragjik, bashkëshortja e tij ka nisur një fushatë mbledhjeje fondesh në mbështetje të Aleancës Kombëtare për Sëmundjet Mendore (NAMI).

Vdekja e James Ransone ka shkaktuar reagime të shumta nga fansat dhe kolegët, të cilët e kanë kujtuar atë si një aktor të talentuar dhe një njeri të ndershëm që foli hapur për betejat e tij personale. /Telegrafi/