LAJMI I FUNDIT:

Vetëvrasjet në Kosovë, psikiatri Abazi: Institucionet dhe shoqëria më shumë kujdes ndaj shëndetit mendor

Vetëvrasjet në Kosovë, psikiatri Abazi: Institucionet dhe shoqëria më shumë kujdes ndaj shëndetit mendor

Depresioni shpesh çon drejt vetëvrasjes shumë njerëz edhe në vendin tonë. Sipas të dhënave të policisë, në tre muajt e parë të këtij viti janë regjistruar 9 vetëvrasje. Ekspertët e fushës apelojnë institucionet por edhe shoqërinë në përgjithësi që të tregojë kujdesin e duhur për shëndetin mendor.

Psikiatri Besnik Abazi deklaroi se personave me çrregullime depresive duhet t’iu krijohet mundësia që ta trajtojnë sëmundjen prej të cilës vuajnë dhe të mos vijnë deri të akti i vetëvrasjes.


“Vetëvrasjet janë dukuri që paraqiten më së shumti të vendet e industrializuara të zhvilluara, mirëpo edhe në vendet të varfra. Vetëvrasja është momenti ksssur personi nuk gjen tjetër rrugëdalje, përveç ta vrasë vetën që t’i përfundojë vuajtjet, problemet që i ka. Në shoqërinë tonë vetëvrasja është shumë e stigmatizuar pasi që njerëzit mendojnë që ‘s’ka pas nevojë’, ‘s’ka qenë e arsyeshme’, ‘për asgjë nuk vritet vetja’, mirëpo nuk e trajtojnë në thelb problemin sepse çrregullimet depresive çojnë deri të vetëvrasja. Për atë arsye depresioni duhet të trajtohet aq mirë sa që njerëzve t’ju mundësohet të jetojnë me depresion, ta trajtojnë depresionin dhe në fund të mos vinë të akti i vetëvrasjes ”, theksoi Abazi, për KosovaPress.

Abazi vuri theksin tek kujdesi që duhet të kenë institucionet për shëndetin mendor dhe ta llogarisin si pjesë të gjithmbarshme të shëndetit, ndërsa për shoqërinë thotë se ndikon negativisht kur personat me depresion i largon në vend se të bëjë të kundërtën dhe t’i afrojë të njëjtit për t’i ndihmuar ta kalojnë periudhën e vështirë në të cilën gjenden.

“Si shoqëri apo si institucione është e nevojshme që të ketë më shumë kujdes për shëndetin mendor. Institucionet duhet ta kenë parasysh që shëndeti mendor është pjesë e shëndetit gjithmbarshëm të një shoqërie, kulture, një populli. Ndërsa shëndeti mendor të shoqëritë shqiptare, ballkanike është pak i stigmatizuar, d.m.th. ai që ka ngarkesa probleme psikike menjëherë largohet nga shoqëria, nga rrethi familjar, kështu që për ata të prekurit me këto çrregullime është diçka shumë më e rendë. Në atë mënyrë ne ndikojmë negativisht te ata persona. Si shoqëri dhe si familje duhet që personat me ngarkesa psikike t’i marrim afër vetës, t’i trajtojmë seriozisht”, tha ai.

Ditë më parë, Prishtina u trondit nga një vetëvrasje e paralajmëruar. Burri kishte njoftuar gruan përmes telefonit për aktin fatal që do të ndërmerrte. Edhe pse gruaja reagoi duke telefonuar policinë, kur mbërrin në vendngjarje, ishte tepër vonë.

Psikiatri Abazi thotë se njerëzit në Kosovë nuk kanë njohuri shumë për depresionin ndërsa vet të tjerët sillen vrazhdë ndaj atyre me ngarkesa psikike.

“Vetëvrasja është shumë ngarkesë e madhe për familje, për shoqërinë dhe për të gjithë ne. Nuk është vetëvrasja akt kriminal, nuk është diçka të trajtohet si ‘paska qenë i çmendur’. Personi që para pak ditësh bëri vetëvrasje (kanë thënë) i ka shkruar një mesazh gruas përpara, d.m.th. ka ditë të shkruajë mesazh, ai njeri ka qenë krejtësisht normal, me inteligjence normale, mirëpo sëmundja e depresionit në shoqërinë tonë kosovare që pak është e njohur, e detyron njeriun që nuk gjen tjetër rrugë të shërimit ose trajtimit të depresionit dhe bënë vetëvrasje… Populli nuk ka asnjë keqardhje për personin që vuan nga këto sëmundje, e trajton në mënyrë shumë të vrazhdë”, tha ai.

Abazi ka apeluar të gjithë duke iu rikujtuar që nuk është turp të shkohet të psikiatri apo psikologu për të kërkuar ndihmë.

“Këshilla ime për popullatën, për shoqërinë, është që sëmundjet psikiatrike, çrregullimet psikiatrike, ngarkesat, të trajtohen njëjte sikur çdo sëmundje tjetër… Nuk është turp të shkohet të psikiatri, psikologu, të kërkohet ndihmë. Është nder që ekzistojnë këto profesione që këtyre njerëzve t’ju ndihmohet”, tha ai.

Policia e Kosovës thotë se për tre vitet paraprake 2019-2021 kanë qenë 115 vetëvrasje, ndërsa në tre muajt e parë të vitit 2022 janë 9 vetëvrasje.