Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi dhe Getoar Mjeku gjatë të enjtes kanë dorëzuar në gjykatë një parashtresë në kontestin me Zyrën e Rregullatorit të Energjisë në kuadër të kërkesës së vazhdueshme për mos-shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Këtë e kanë bërë të ditur nga Lëvizja Vetëvendosje, përmes një komunikate për medie, duke shtuar se sistemi i drejtësisë, duhet të veproj dhe ta mbroj të drejtën dhe interesin e qytetarëve të Republikës.

“Pas disa tentimeve të dështuara të mëparshme gjatë vitit 2019, të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për ti aprovuar tarifat nxitëse (feed-in-tariffs) për prodhimin e energjisë elektrike nga panelet solare — tërësisht të panevojshme, të padrejta dhe kundër çdo logjike të tregut — më datën 27 nëntor 2019, Bordi i ZRrE-s, i ka aprovuar tarifat nxitëse në lartësi prej 85.5 EUR /MËh për grupin DEVOLLI për 12 vitet e ardhshme. Për më tepër, ZRrE e mori këtë vendim përkundër rekomandimeve të Sekretariatit të Komunitetit Europian të Energjisë, Ambasadës Gjermane, USAID dhe eksperteve përbrenda ZRrE-s”, thuhet në komunikatë.

Në fund të kësaj komunikate, LVV-ja ka bërë thirrje që qytetarët t’i përdorin të gjitha mjetet demokratike për të pamundësuar vazhdimin e sistemit të krimit.

“Ne iu bëjmë thirrje mekanizmave shtetëror, mediave, shoqërisë civile, palëve të ndryshme të interesit, si dhe qytetarëve të Republikës, që t’i përdorin të gjitha mjetet demokratike dhe ligjore për të pamundësuar vazhdimin e sistemit të krimit dhe regjimit të vjetër të parapolitikës”, bën thirrje LVV-ja.

Komunikata e plotë:

Sot, si përfaqësues të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Sami Kurteshi dhe Getoar Mjeku dorëzuan në gjykatë edhe një parashtresë në kontestin me Zyrën e Rregullatorit të Energjisë në kuadër të kërkesës sonë të vazhdueshme për mosshtrenjtim të energjisë elektrike.

Si duket, përpëlitjet e praktikave korruptive, keqpërdorimit të pozitës publike dhe ndërlidhjet kriminale të biznesit me organet dhe autoritetet rregullative po vazhdojnë edhe më tej nga mbetjet e regjimit të parapolitikës. Sistemi i drejtësisë duhet të veproj dhe ta mbroj të drejtën dhe interesin e qytetarëve të Republikës. Nëse dikush ka detyrime ndaj DEVOLLËVE, ata nuk janë qytetarët që shtyhen të paguajnë tarifa marramendëse të energjisë elektrike për 12 vitet e ardhshme.

Pas disa tentimeve të dështuara të mëparshme gjatë vitit 2019, të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për ti aprovuar tarifat nxitëse (feed-in-tariffs) për prodhimin e energjisë elektrike nga panelet solare — tërësisht të panevojshme, të padrejta dhe kundër çdo logjike të tregut — më datën 27 nëntor 2019, Bordi i ZRrE-s, i ka aprovuar tarifat nxitëse në lartësi prej 85.5 EUR /MWh për grupin DEVOLLI për 12 vitet e ardhshme.

Për më tepër, ZRrE e mori këtë vendim përkundër rekomandimeve të Sekretariatit të Komunitetit Europian të Energjisë, Ambasadës Gjermane, USAID dhe eksperteve përbrenda ZRrE-s.

Në vend të tarifave nxitëse, të gjitha palët kanë rekomanduar procedurat e ankandeve pasi që teknologjia e prodhimit të energjisë elektrike nga panelet solare është bërë shumë më e lirë se më parë, dhe me trend të rënies së vazhdueshme. Sa për ilustrim, në vitin 2018 përmes këtij procesi (ANKANDEVE) në Kazakstan, çmimi mesatar i prodhimit të energjisë elektrike me panele diellore për 20MW kapacitet kishte zbritur në 45 EUR/MWh (shih linkun: https://mercomindia.com/kazakhstan-auction-solar-202-mw/). Pas 12 viteve, nuk do ishte çudi që çmimi të binte edhe në 4 EUR/MWh përderisa ne, qytetarët e Republikës së Kosovës, ende do t’ia paguajmë grupit Devolli plot 85.5 EUR/MWh!

Me datë 24 Dhjetor, 2019, z. Sami Kurteshi si palë e dëmtuar, pasi që këto tarifa nxitëse e dëmtojnë interesin e qytetarit duke ndikuar në shtrenjtimin e padrejte të çmimit të energjisë elektrike, ka bërë padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër këtij vendimi të pashembullt të ZRrE-s, duke kërkuar edhe masën e përkohshme të pezullimit të vendimit të ZRrE deri në aktgjykimin përfundimtar.

Me datë 27 Dhjetor, 2019, Gjykata Themelore në Prishtinë, me të drejtë mori vendim për pezullim të vendimit të ZRrE. Kjo jepte shpresë se gjyqësia do të rivendos drejtësinë aty ku ZRrE kishte shkelur rolin e saj primar për mbrojtjen e interesit publik duke dalë në anën e interesit të një kompanie private si Devolli group.

Por, praktikat kundërligjore nuk zhbëhen lehtë. Pas një ankese të një kompanie private (pas skadimit të afatit të rregullt për ankesa!) Gjykata e Apelit me datën 20 shkurt, 2020 e riktheu çështjen e pezullimit të vendimit për rigjykim në Gjykatën Themelore, me pretendimin se Themelorja nuk ka arsyetuar vendimin dhe se nuk ka ofruar prova për atë vendim. Për fat të keq kjo e jep shëmbëlltyrën e trekëndëshit ZRrE – DEVOLLI – SISTEMI I DREJTËSISË (njerëz të caktuar brenda tij).

Ne iu bëjmë thirrje mekanizmave shtetëror, mediave, shoqërisë civile, palëve të ndryshme të interesit, si dhe qytetarëve të Republikës, që t’i përdorin të gjitha mjetet demokratike dhe ligjore për të pamundësuar vazhdimin e sistemit të krimit dhe regjimit të vjetër të parapolitikës.