LAJMI I FUNDIT:

Veteranët e luftës në Mitrovicë mblidhen te muri

Veteranët e luftës në Mitrovicë mblidhen te muri

Rreth 100 veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pothuajse nga të gjitha qytetet e Kosovës janë tubuar sot rreth orës 11:00 tek ura kryesore e Ibrit, në shenjë kundërshtimi të ndërtimit të murit në Mitrovicë.

Ata thanë për KosovaPress se janë tubuar spontanisht, thjesht për të shëtitur dhe parë punimet që po zhvillohen tek ura.


Disa prej tyre janë lejuar nga policia që vetëm në grupe prej 5-6 veta të afrohen deri tek muri i ndërtuar matanë urës së Ibrit.

Nënkryetari i veteranëve të UÇK-së, Nasim Haradinaj, ndonëse tërthorazi ka pranuar se ndërtimi i murit ka qenë qëllimi i tubimit të sotëm të veteranëve, tha se gjithçka ka ndodhur spontanisht.

“Kjo ka qenë si shokë duke biseduar thamë të dalim në Mitrovicë të hamë fara, ky është qëllimi kryesor. Ne do të qëndrojmë edhe pak, kur të shohim të arsyeshme me pi çaj do të dalim me pi çaj, ka mundësi me u kthy edhe me shku prap…Nëse ju këtu nuk i dini arsyet tjera, ne na vjen gjynah me ua spjegu…e dimë se Mitrovica është tokë shqiptare, nëse kemi bërë ndonjë gabim…qe ma qite ndërmend, po edhe me atë lidhet”, ka thënë Haradinaj.

Ndryshe, gjatë këtij tubimi është vërejtur prezencë e shtuar e forcave të policisë, ndërsa pas rreth 40 minutash të tubuarit janë shpërndarë të qetë. /KP/