eksperti-banner

Në shkollën e vetme të mesme në Dibër, gjimnazin “28 Nëntori” në regjistrimin e parë, në afatin e parë, në vitin e parë, për vitin shkollor 2026/2027, janë plotësuar vetëm 32 nga 238 vendet e parapara të nxënësve.

“Në institucionin tonë arsimor kanë aplikuar për regjistrim 44 nxënës që kanë përfunduar shkollën fillore, 12 prej tyre në gjuhën maqedonase dhe 32 për paralele në gjuhën shqipe. Nga këta, u regjistruan 32 nxënës, ose 7 për mësim në gjuhën maqedonase dhe 25 në gjuhën shqipe. Presim një pjesëmarrje më të madhe në regjistrimin e dytë, i cili do të jetë më 23 të këtij muaji”, deklaroi për MIA-n Bora Korumi, profesoreshë dhe udhëheqëse e regjistrimit në gjimnaz.


Sipas Konkursit të MASH-it, për regjistrim të nxënësve në shkollat e mesme publike, në gjimnaz mund të regjistrohen 238 filloristë në dy gjuhët e mësimit. Prej tyre 102 nxënës në 3 paralele për mësim në gjuhën maqedonase, prej të cilave 34 për paralelen rajonale në fshatin Mogorçë, përderisa 136 nxënës, në 4 paralele me mësim në gjuhën shqipe.

Për regjistrim duhet të kishin minimum 60 pikë. Për paraqitjen e dytë dhe për afatin e regjistrimit në gusht i cili është më 20 gusht, si edhe gjatë viteve të kaluara, pritet ulje e minimumit të nevojshëm të pikave.

Në krahasim me numrin e nxënësve të regjistruar në aplikimin e parë të afatit të parë të regjistrimit për vitin shkollor 2025/2026 numri i të regjistruarve këtë herë është shumë më i vogël. Atëherë ishin regjistruar 95 nxënës, prej të cilëve 25 në gjuhën maqedonase dhe 70 në gjuhën shqipe.

Numri i ulur i nxënësve, dukuri e pranishme disa vite me radhë, është pasojë e numrit gjithnjë e më të vogël të nxënësve në shkollat fillore, për shkak të migrimit masiv të popullsisë, por edhe përcaktimit të një pjese të tyre që ta vazhdojnë shkollimin në ndonjë shkollë të mesme profesionale, para së gjithash në Strugë, Ohër, Tetovë dhe Shkup.