Një aktiviste marokene e të drejtave të njeriut është arrestuar, pasi postoi një foto të sajën e veshur me një bluzë ku shkruan "Allahu është lezbike", ndërsa aktivistët e lirisë së fjalës dhe të drejtave të grave kërkojnë lirimin e saj.

Dje u njoftua se Ibtissam Lachgar, e njohur edhe si Betty Lachgar, u mor në paraburgim nga autoritetet marokene pas një postimi në mediat sociale të bërë nga ajo në X më 31 korrik, sipas Le Monde.


Zyra e Prokurorit Publik në kryeqytetin e Marokut, Rabat, konfirmoi se ishte nisur një hetim për "shprehje fyese ndaj Zotit" dhe tekst të konsideruar "një ofendim ndaj fesë islame", transmeton Telegrafi.

Ligjet e Marokut për blasfemi kriminalizojnë kritikën ndaj Islamit, me dënime deri në pesë vjet burg dhe gjoba për shkaktimin e zemërimit publik.

Lachgar, një avokate e shquar për të drejtat e grave dhe LGBTQ+, postoi foton në përgjigje të akuzave se po i largonte të tjerët nga feja e tyre për shkak të mendimit të saj të hapur për të.

Në postimin e saj, ajo e quajti Islamin "fashist, falokratik dhe mizogjinist".

Pas arrestimit, Lachgar raportoi se kishte marrë mijëra fyerje seksiste, kërcënime për përdhunim dhe vdekje, si dhe thirrje për vrasjen ose gjuajtjen me gurë të saj.

Lachgar bashkëthemeloi Lëvizjen Alternative për Liritë Individuale (MALI) në vitin 2009, e cila bën fushatë kundër kufizimeve të lirive personale në Marok, duke përfshirë ligjet që ndalojnë të ngrënit në publik gjatë Ramazanit. /Telegrafi/