LAJMI I FUNDIT:

Veseli dhe Hamza vizitojnë Doganën e Kosovës

Veseli dhe Hamza vizitojnë Doganën e Kosovës

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli bashkë me ministrin e Financave në detyrë, Bedri Hamza, kanë vizituar sot Dogananën e Kosovës, ku janë njohur me sukseset që ka arritur ky institucion në dy vitet e fundit.

Veseli tha se me luftën kundër korrupsionit nga ministri i Financave, Bedri Hamza, Kosova ka përfituar për dy vite 700 milionë euro më shumë e të cilat janë investuar për rininë e talentuar në inovacion e ndërmarrësi si dhe në shumë projekte kapitale.


“Lufta kundër korrupsionit, nepotizmit krimit të organziaur, është jo vetëm e drejtë por edhe e vlefshme. Ne po flasim vetëm duke iu referuar kësaj çka tha ministri i Financave se cili ka qenë efekti I një ministri të pakorruptuar dhe një drejtori të Doganave të pakorruptuar, 700 milionë euro. Do të thotë 700 milionë euro për dy vjet për buxhetin e Republikës së Kosovës me të cilin e kemi ruajtur stabilitetin makroekonomik. Edhe pse janë rritur investimet kapitale kemi ruajtur deficitin buxhetor, është 17.1 përqind nga ardhja e ministrit Bedri Hamza. Kemi rritur pagat dhe kemi mundësi prapë me këto 700 milionë euro, të cilat juanë kursyer nga abuzimi dhe keqpërdorimi nga puna jashtëzakonisht efikase në veçanti nga Dogana, të rrisim buxhetin tonë, ta kursejmë shtetin të investojmë edhe në Polici, edhe te pensionistët. Të investojmë në ngritjen e pagave edhe në sektorin shëndetësor edhe të arsimit dhe në shumicën e sektorëve tjerë”, tha Veseli, thuhet në njoftimin për media.

Ministri i Financave në detyrë, Bedri Hamza tha se të gjitha reformat e bëra dhe lufta kundër korrupsionit në këtë sektor, kanë pasur shtytjen dhe mbështetjen e parezervë të kryetarit Veseli.

“Nëse i shikojmë të dhënat dhe i referohemi statistikave del se buxheti i Kosovës në raport me vitin 2017, pjesën e ekzekutimit të vitit 2017 dhe pjesën e planifikimit të vitit aktual kemi një rritje prej 700 milionë euro, e kjo është bërë si rezultat i punës së jashtëzakonshme të këtyre zonjave dhe zotërinjve që punojnë në Dogana. Prandaj kjo është rritje e formalitetit, është luftim i dukurive negative, Dogana është një institucion jashtëzakonisht mirë i ndërtuar dhe është model edhe për vendet tjera dhe unë jam I sigurt që përkrahja e institucioneve do të vazhdojë dhe sukseset pozitive të Doganës do të vazhdojnë”, tha Hamza.

Edhe drejtori i Doganave, Bahri Berisha e ka falënderuar kryetarin Veseli për mbështetjen e vazhdueshme për punëtorët e Doganave si në rritjen e pagave po ashtu edhe në forcim të legjislacionit kundër korrupsionit.

“Ne si Dogana e njoftuam kryetarin Veseli për të arriturat e Doganës gjatë këtij viti, qoftë në aspektin e të hyrave qoftë në aspektin e luftimit të krimit transkufitar, ekonomisë informale, por edhe aspektin e dukurive negative që janë në dëm të interesave financiare apo sigurisë në Kosovë. E gjithë kjo punë dhe gjithë këto suksese të Doganës janë arritur falë përkrahje që kemi nga institucionet e Republikës së Kosovës nga Parlamenti sepse fillimisht duhet të krijohet baza ligjore për operim të institucioneve por edhe për përkrahje”, tha Berisha. /Telegrafi/