LAJMI I FUNDIT:

Vepra e pabotuar e Mitrush Kutelit

Vepra e pabotuar e Mitrush Kutelit

Qendra Kombëtare e librit ka përkujtuar 113-vjetorin e lindjes së Mitrush Kutelit, në një mbrëmje që bashkoi studiues të veprës së tij.

Amaneti i Kutelit, për gruan, fëmijët, shqiptarët: Ta doni vendin dhe gjuhën, gjer në vuajtje
Lexo po ashtu Amaneti i Kutelit, për gruan, fëmijët, shqiptarët: Ta doni vendin dhe gjuhën, gjer në vuajtje

Shtëpia botuese që drejtohet nga të bijat e shkrimtarit, ka sjellë vargjet e ndaluara të tij, nën titullin “Vargje të përzjera”. Atalanta Pasko, vajza e Kutelit, tha para ta pranishmëve se në libër “ka vargje të botuara e të pabotuara. Janë vargje të lira që ne i kemi gjetur të shkruara edhe nëpër copa gazetash. Ai e bëri gati ta botonte librin dhe më pas e la, sepse ndërhyrjet e redaktorëve atë kohë ishin aq të mëdha sa shkonte deri në bashkëpunim, ndaj ai u tërhoq”.


I cilësuar nga kritika si një nga bashkëthemeluesit e prozës moderne shqipe, Kuteli veçohet edhe për kritikën dhe erudicionin që ka lënë të shkruar e njëherësh, për një nga sprovat e rralla të letërsisë sonë që është shkrimi metafizik.

Persida Asllani, pedagoge dhe studiuese, u shpreh se Kuteli mësohet në fakultet për “hulumtimet e forta psikologjike” dhe një “ndër dukuritë më të rralla të letërsisë sonë që është pikërisht shkrimi metafizik dhe përballja e dy botëve”.

“Jam rritur me një baba marksist e ateist. Me njerëz e emra si Kuteli, që përbënin një botë tjetër prej asaj që jetonim ne, një botë evropiane e të pasur, më lidhte më shumë gjyshja ime nga mamaja, e cila, sipas tim eti, ishte mikroborgjeze, por për mua ishte referenca drejt botës që përfaqësonin emrat si Kuteli, Konica e Lasgushi, që ishin të margjinalizuar, ndërsa letërsia jonë e kohës kishte si shqetësim kryesor njeriun e ri”, ka thënë Mimoza Ahmeti. /BW/