LAJMI I FUNDIT:

Vendosja e masave të përkohshme për produktet themelore, Hajdari kërkon mbështetjen e deputetëve

Vendosja e masave të përkohshme për produktet themelore, Hajdari kërkon mbështetjen e deputetëve

Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari ka kërkuar mbështetjen e deputetëve për miratimin e Projektligjit nr.08/L-179 për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Hajdari ka thënë se arsyeshmëria për hartimin e këtij Projektligjit ka për qëllim që të rregulloj masat mbrojtëse të furnizimit me produkte themelore për konsumatorët në kohë të paraqitjes së rasteve të veçanta të destabilizimit në treg në pajtim me këtë ligj dhe mënyrën e zbatimit të tyre


“Duke marrë parasysh situatën aktuale të rritjes së paarsyeshme të çmimeve të produkteve bazë, si dhe ankesave të shumta të qytetarëve për rritjen e menjëhershme të çmimeve tek të gjitha produktet bazë, Ministria e Tregtisë dhe Qeveria ka hartuar ligjin i cili do të aplikohet në rastet e destabilizimit në treg”, ka thënë Hajdari.

Ajo ka shtuar se para draftimit të këtij Projektligji kemi pasur një grup punues i cili ka bërë analizën e çmimeve të produkteve themelore në treg.

“Grupi i dytë ka hartuar ligjin për masat e përkohshme të produkteve dhe në bazë të këtij raporti vërtetohet se marzha tregtare te produktet ushqimore te shitjet me pakicë nuk është e njëjtë ku mesatarja e tyre varion nga 8 -45%, ndërsa te shitjet me shumicë marzha tregtare varion nga 10.16-56,04% dhe vlerësohet se mungon bazë ligjore që kontrollon marzhën e produkteve në treg”, ka thënë Hajdari.

Ministrja shtoi se ky projektligj ka paraparë masa mbrojtëse që do të merren në raste të veçanta.

“Produktet themelore në kuptim të këtij ligji janë drithërat, mielli, gruri, buka, orizi, pastat, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi, kripa e kuzhinës, vezë pule, mishi i pulës, sheqeri kristalor, produktet e higjienës personale, lëndët e drurit për djegie”, u shpreh ministrja. /Telegrafi/