Vendoset gurthemeli i aneksit të ri të Shkollës “Naum Veqilharxhi” në Llapashticë të Epërme

Në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Naum Veqilharxhi” në Llapashticë të Epërme sot u vendos gurthemeli i aneksit të ri të objektit, në një ceremoni ku morën pjesë kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, drejtori për Arsim, Avni Fetahu, mësimdhënës, nxënës dhe banorë të kësaj ane, përcjell Telegrafi.
Kryetari Bulliqi theksoi rëndësinë e këtij projekti për realizimin e mësimit gjithëditor.
“Në kuadër të vizionit tonë për mësimin gjithëditor, sot e vendosëm gurthemelin e ndërtimit të aneksit të Shkollës ‘Naum Veqilharxhi’ në Llapashticë të Epërme. Krahas Kuzhinës Qendrore që është duke u ndërtuar, do të vazhdojmë edhe me ndërtimin e hapësirave të reja shkollore në mënyrë që mësimi gjithëditor të realizohet suksesshëm”, tha kryetari Bulliqi.
Përveç këtij aneksi, Komuna e Podujevës po zhvillon procedurat e prokurimit për ndërtimin e anekseve të shkollave “Ibrahim Rugova”, “Xheladin Rekaliu” dhe “Enver Maloku”, duke synuar zgjerimin dhe modernizimin e infrastrukturës arsimore në nivel komunal. /Telegrafi/













































