LAJMI I FUNDIT:

Vëllai i ish-ministrit Buja kërkon falje për fjalët, që i ishte drejtuar gjykatëses që “t’i matin forcat”

Vëllai i ish-ministrit Buja kërkon falje për fjalët, që i ishte drejtuar gjykatëses që “t’i matin forcat”

Vëllai i ish-ministrit të Arsimit, Ramë Buja, Abdyl Buja, ka kërkuar falje për fjalët që i kishte thënë në seancën e mbajtur më 12 dhjetor të vitit 2019.

Abdyl Buja, së bashku me tre të persona tjerë, Mentor Ismajli, Alban Azemi dhe Rizah Azemi, po akuzohen se kanë bërë keqpërdorime me nota dhe regjistrime në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Seanca e 12 dhjetorit, ishte përcjellë me tensione ndërmjet gjykatëses Nushe Kuka Mekaj dhe të akuzuarit Buja.

Reagimi i të akuzuarit Buja, kishte ardhur pas vendimit të gjykatëses Kuka Mekaj, për shtyrjen e seancës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nëse sot më hiqen 25 euro nga drejtori, dhe unë varem nga 450 euro. Unë, seancën tjetër as me polici s’keni me mujt me m’pru, as me tenka të këtij shteti. Kështu origjinal po ta them”, kishte thënë i akuzuari Buja.

Gjithashtu, i akuzuari Buja kishte thënë “Është e 11 seancë që unë e hupi mëditjen, i provojmë pastaj forcat. Po i caktoni sipas dëshirës tuaj, e jo sipas dëshirës tonë”.

E gjatë seancës të së hënës, i akuzuari Buja i ka kërkuar falje trupit gjykues për këto fjalë, duke shtuar se kishte pasur gjashtë vjetorin e vdekjes së bashkëshortes së tij dhe kishte qenë në afekt.

Ai ka deklaruar se është e vërtetë se ka thënë “t’i matim forcat”, mirëpo sipas tij, nuk kishte qenë në formë kërcënimi.

“E pranova edhe vet, nuk ndryshon asgjë nga çka kam thënë. Pjesa e dytë t’i masim forcat prej anës time që akuzohem dhe pjesës së dytë që e mbroj vetveten, por jo me forcë. Pjesa e dytë është marr serioze, se unë paskam çfarë force. Unë jam mësimdhënës dhe në shenjë afekti. Kërkoj falje publikisht”, ka thënë ai.

Paraprakisht, para kësaj deklarate nga ana e të akuzuarit Buja, kryetarja e trupit gjykues Nushe Kuka- Mekaj, deklaroi se ka konstatuar të gjitha fjalët e tij gjatë seancës së 12 dhjetorit në procesverbal, edhe pse i akuzuari kishte lëshuar sallën.

“Fillimisht, ju tërhiqet vërejtje, kam kërkuar edhe nga prokurori i shtetit për diçka që e konsideroj kërcënim ndaj trupit gjykues, është punë e prokurorisë çka ndërmerr”, ka thënë ajo.

E prokurori Shkëlzen Ibrahimi tha se nëse trupi gjykues ndihet i kanosur, ai ka kërkuar që të njoftohet prokuroria me procesverbal.

“Nëse trupi gjykues ndihet i kanosur e vlerëson prokuroria sepse shkon në mënyrë zyrtare dhe jo me propozim se ka të bëj me persona zyrtar”, ka thënë gjykatësja Kuka- Mekaj.

Kurse, prokurori Ibrahimi tha se kanosja është diçka subjektive që e ndiejnë palët.

“Unë kam pranuar një kopje të procesverbalit përmes email-it dhe të njëjtën do ja dërgoj kryeprokurorit ngase në këtë çështje po që se trupi gjykues janë të dëmtuar atëherë duhet të përjashtohet ky trup gjykues nga vazhdimi i kësaj çështje juridiko- penale sepse e kërkon Kodi i Procedurës Penale”, ka thënë ai.

Kurse, gjykatësja Kuka- Mekaj, pyeti të njëjtin se a është filluar ndonjë procedurë, e prokurori mohoi këtë, pasi sipas tij, është pritur të njoftohet Kryeprokurori me procesverbal.

“Në qoftë se vazhdohet në këtë çështje për kanosje duhet me u përjashtru trupi gjykues”, ka thënë prokurori Ibrahimi.

Kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kuka- Mekaj tha se atë ditë i akuzuari Buja i është drejtuar trupit gjykues duke thënë se “Nëse e shtyni seancës as me tenka s’keni mem pru” dhe “do t’i matim forcat”.

“Unë nuk e kam dëgjuar vet, pasi kam dal anëtarët e trupit gjykues na njoftoi se na ka kërcënu Abdyl Buja. Kur jam kthy në sallë kanë qenë monitoruesit, Abdyli s’ka qenë, jam kthy me konstatu në procesverbal dhe kam thënë se nëse ka kanosje në drejtim të personave zyrtar, prokurori i shtetit që ishte prezent le të vlerësojë nëse duhet të fillohet apo jo, e jo ne të kërkojmë”, ka thënë ajo.

Ajo shtoi se kjo vepër penale ndiqet zyrtarisht dhe prezent ka qenë edhe prokurori i shtetit.

E prokurori Ibrahimi tha se rrethana është ashtu si ndihet personi, duke shtuar se ai e ka dëgjuar vetëm pjesën e parë, kur i akuzuari kishte thënë “që nuk mund ta sjellin me as me tenka në gjykatë”.

“Unë nuk kërkova mu përjashtu trupi gjykues, thash vlerëson kryeprokurori a mu marr çështje a jo, po edhe të ndërmerret hapet rast tjetër”, ka thënë ai.

Ndryshe, menjëherë si është hapur kjo seancë, i akuzuari Buja ka shprehur pakënaqësitë e tij, lidhur me prezencën e gazetarëve në gjykim, duke kërkuar që të njëjtit të mos jenë prezent.

“Duke përgojuar nëpër portale, gazetarët këtu i heqni, nuk ulem, nëse doni me marr pjesë, gazetarët i hiqni”, ka thënë ai.

Kurse, gjykatësja Nushe Kuka- Mekaj, ka kërkuar nga ai që të ulet.

“Ulu, derisa te konstatoj prezencën asnjë fjalë”, ka thënë ajo.

“Gazetarët i heqni, është përgoju vllau që ka qenë ministër”, ka thënë ai.

Kurse, gjykatësja Kuka- Mekaj, i ka tërhequr vërejtjen, duke thënë se nëse vazhdon në këtë mënyrë do të përjashtohet nga seanca.

E më vonë, kur të njëjtit i është dhënë fjala, sërish ka reaguar për prezencën e monitoruesve në gjykim.

“Na përgojojnë se jam vëllau i këtij apo atij, mirë do të ishte të mos na përgojojn se e kam vëlla Shukri apo Ramë Bujën, unë jam Abdyl Buja”, ka thënë ai, si dhe është ankuar për fotografimin në seancën e 12 dhjetorit.

E kryetarja e trupit gjykues, të njëjtit i ka thënë se seanca është e hapur e publike dhe lejohet fotografimi e regjistrimi i seancës.

“Është e drejtë të monitorohet,  si është edhe me memorandum mes Këshillit Gjyqësor dhe shoqërisë civile, ashtu që gjykata lejon fotografimin e incizimin dhe të gjitha”,ka thënë ajo.

Të akuzuarit kanë deklaruar se nuk ka nevojë të lexohet aktakuza sërish dhe janë deklaruar të pafajshëm për veprat penale që u vihen në barrë.

Gjatë kësaj seance nuk kanë qenë prezent dëshmitarët Suzana Zejnullahu, Luljeta Begolli, Izet Zeqiri e Sanije Fazliu.

Gjykatësja Kuka- Mekaj, ka bërë të ditur se nga prokuroria ka arritur një parashtresë me propozim për plotësim të provave, gjegjësisht dëgjimin e dëshmitarëve.

“Gjykata këtë parashtresë fillimisht nuk e ka shqyrtuar për faktin se duhet të u jepet mundësia të akuzuarve dhe mbrojtësve të japin mendimin për dëgjimin e dëshmitarëve, por është vlerësuar se fillimisht duhet të dëgjohen dëshmitarët e dëgjuar në aktakuzë dhe pas marrjes së mendimit nga mbrojtja të vlerësohet për këtë propozim”, ka thënë ajo.

Pas deklarimit të akuzuarve, prokurori Ibrahimi ka kërkuar nga gjykata që të mos vazhdohet me fjalën hyrëse pasi janë në pritje të vendimit të Gjykatës së Apelit sa i përket të akuzuarit Feti Ismajli lidhur me konfirmimin apo hudhjen e aktit akuzues.

Për këtë të akuzuar, procedura është veçuar, andaj prokurori Ibrahimi tha se nëse konfirmohet aktakuza, ai propozon që të bashkohet lënda e tij me atë të akuzuarve tjerë.

“ As nuk janë dëshmitarët, se kishim vazhdu”, ka thënë ai.

Në këto rrethana, kjo seancë është ndërprerë dhe është shtyrë në kohë të pacaktuar derisa të merret vendimi nga Apeli, sa i përket të akuzuarit Ismajli.

Ndryshe, më 26 tetor, në seancën që kishte dështuar të mbahet, gjykatësja Kuka- Mekaj kishte thënë se gjykata ka marr aktvendim që të hudhet pjesërisht aktakuza në raport me veprat penale në dispozitivët 4, 5,7,8 dhe 9 të aktit akuzues.

Ky vendim është marr nga gjykata pasi ka konstatuar se është arritur parashkrimi relativ para se të merrej aktvendimi për fillim të hetimeve nga ana e prokurorisë.

Me anë të këtij aktvendimi është pushuar procedura penale ndaj Albisjan dhe Muhib Fazliu, Rajmonda Borovcit, Granit Ismajlit dhe Hyrije Koraqit.

Ata akuzoheshin për dhënie të ryshfetit, ndërsa, Albisjan Fazliu, përveç veprës penale të dhënies së ryshfetit, akuzohej edhe për falsifikim të dokumentit.

Sipas aktit akuzues të ngritur më 31 maj 2018, Abdyl Buja me dashje ka ndihmuar personin tjetër për të kryer vepër penale duke e udhëzuar dhe premtuar se do t’i fsheh provat e veprës së kryer penale.

Sipas aktakuzës, ai duke qenë i vetëdijshëm për qëllimin e takimit me Albisjan Fazliun dhe Feti Ismajlin, në kafenenë “Rozafa” në Lipjan me dëshirë që pas dështimit të të pandehurit Albisjan Fazliu për ta kaluar provimin pranues në Degën e Stomatologjisë së Fakultetit të Mjekësisë në UP në Prishtinë, ta regjistrojë të njëjtin në këtë degë.

Këtë thuhet se ka arritur ta bëj duke ia lëshuar vërtetimin nga administrata qendrore e UP-së si student në vitin 2011/12, e më pas thuhet se është formuar dosja me 001469/1 dhe indexi me numrin e njëjtë, për çka i pandehuri ka marr shumën prej 3,000 euro në shtëpinë e vet nga i pandehuri Feti Ismajli.

Këto para thuhet se i ka marr për t’ia dërguar të pandehurit Muhib Fazliu, kinse për t’ia dorëzuar zyrtarit të Fakultetit të Mjekësisë, e pastaj e ka këshilluar të pandehurin Albisjan Fazliu që ta plotësojë formularin për të hyrë në provimin Fizikë Mjekësore me Biofizikë të profesori Ymer Halimi duke e dorëzuar personalisht formularin të zyrtari i autorizuar me dëshirë për t’i marr 700 euro.

Mirëpo, thuhet se Albisjan Fazliu ia kishte dhënë 300 euro në shtëpinë e vet kinse se ia kishte kërkuar ky profesor, ndërsa 400 tjera janë pajtuar të dorëzohen pasi ato të sigurohen, por provimin nuk e kaluar.

Sipas aktakuzës, më pas ka filluar t’i ndjek ligjëratat dhe ushtrimet, e pastaj ka plotësuar 11 rubrika destinuar për shënimet e provimeve në index, ku janë kërkuar të dhënat përkitazi më lëndën e provimit, notën e vlerësuar, datën e provimit dhe nënshkrimin e profesorit.

Sipas akuzës, i akuzuari Buja në vazhdim ka kryer veprën penale marrje ryshfetit në ndihmë.

Sipas akuzës, ai me dashje ka kërkuar përfitim nga Albisjan Fazliu për vete dhe një zyrtar të panjohur për një veprim që nuk është dashur ta kryej. Ai thuhet se ka kërkuar 12 mijë euro nga Fazliu me dëshirë që të përfitoj materialisht duke e këshilluar se do t’ia lëshoj diplomën e kryerjes së fakultetit.

Tutje, thuhet se në nëntor të vitit 2013, në restorantin “Pauna” në Lipjan, Abdyl Buja dhe Mentor Ismajli, kanë kërkuar dhe marr nga e pandehura Rajomnda Borovci shumën prej 5,000 euro për ta regjistruar në Fakultetin e Mjekësisë në UP gjatë vitit 2012/2013, duke i premtuar se përmes autoritetit të ish-Ministrit të Arsimit, Ramë Buja, do t’i nxitin personat zyrtar të këtij fakultetit të paidentifikuar që e njëjta të regjistrohet në fakultet.

Gjithashtu, thuhet se në shkurt të vitit 2012, në picerinë “Extreme” në Prishtinë së bashku me dashje, Abdyl Buja dhe Mentor Ismajli, kanë nxitur të pandehurën Hyrije Koraqi që tua jap shumën prej 2,000.00 euro. Këtë thuhet se e kanë bërë duke e bindur se në kundërshtim me detyrat e zyrtarëve kompetent të këtij fakulteti, do t’ia rregullojnë pozitën e saj me kontratë formale, nga kontrata si asistente e angazhuar e kimisë analitike në asistente të rregullt në Fakultetin e Mjekësisë.

Me këto veprime, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale shtytje për veprën penale “marrje e ryshfetit”.

Abdyl Buja, Rizah Azemi dhe Alban Azemi,  thuhet se me dashje kanë tentuar t’i vënë në lajthim zyrtarët e Fakultetit të Mjekësisë përmes dokumentit të falsifikuar.

Këtë thuhet se e kanë bërë ashtu që në shkurt të vitit 2014, të pandehurit Abdyl Buja dhe Rizah Azemi me vetëdije e kanë dërguar indexin e të pandehurit Alban Azemi te profesori i lëndës Biokomia e Përgjithshme, Luljeta Begolli kinse për ta verifikuar vizualisht nëse nota 6 dhe nënshkrimi janë të saja.

Këtë thuhet se e kanë bërë me dëshirë që pas disa vitesh dështimi, Alban Azemi ta kalojë provimin edhe pse e kanë ditur që Azemi nuk e ka kaluar provimin në bazë të rezultateve të shpallura në afatin e janarit të vitit 2014. Pastaj, thuhet Rizah e Alban Azemi kanë shkuar të Zyrtarja e Lartë për Studime Themelore në Fakultetin e Mjekësisë, Syzana Zejnullahu dhe kanë kërkuar prej saj index duplikant me pretekst se gjoja indexi origjinal është humbur për çka kundër të pandehurit Alban Azemi është iniciuar procedura disiplinore.

Për këto veprime, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “legalizimi i përmbajtjes së rreme në tentativë”.

Gjithmonë, sipas aktakuzës, Alban dhe Muhib Fazliu, në tetor 2011, sipas marrëveshjes paraprake, Muhib Fazliu i ka dhënë 3000 euro të pandehurit Aldyl Buja si ndëmjetësues kinse për t’ia dhënë personave të caktuar zyrtarë të Fakultetit të Mjekësisë. Për rrjedhojë, thuhet se i pandehuri Albisjan Fazliu më 5 tetor 2011 është regjistruar në vitin akademik 2011/12 duke fituar statusin e studentit të rregullt në këtë fakultet në Degën e Stomatologjisë, për çka i është lëshuar indexi dhe është formuar dosja e tij. Më 30 nëntor 2012, i nëjti ka arritur ta regjistrojë semestrin dhe ndonëse emri i të njëjtit nuk ka figuruar fare në evidencat e profesorëve të lëndëve përkatëse dhe rrjedhimisht nuk i ka dhënë 7 provime.

Me këtë akuzohen se kanë kryer veprën penale “dhënie ryshfetit”.

Albisjan Fazliu, akuzohet se në janar të vitit 2012,  një lokal në aftësi të rrethit kryesor të Spitalit në Prishtinë, prej 700 euro të kërkuar nga i pandehuri Adbyl Buja për të ndërmjetësuar te profesor Ymer Halimi që ta kaloj provimin nga lënda Fizikë mjekësore dhe Biofizikë ia ka dhënë 300 euro. Kurse, 400 euro thuhet se i ka mbetur borxh. Këtë provim, thuhet se sipas konfirmit të doktor Ymer Halimit, i njëjti nuk e ka dhënë.

Ai akuzohet se ka ndryshuar dokumentin publik origjinal dhe të falsifikuar e ka përdorur me vetëdije nga data 5 tetor 2011 kur është regjistruar në fakultet. Në aktin akuzues thuhet se me indexin nga pika I e dispozitivit  i ka regjistruar dhe vërtetuar semestrat me radhë deri në semestrin e III të këtij viti akademik 2012/13 të cilin e kishte regjistruar më 30 nëntor 2012. Ndërsa,  thuhet se më 23 tetor 2012, kishte shkuar te zyrtarja Syzana Zejnullahu duke shprehur që indexi i tij të shpallet duplikant me arsyetimin se ishte dëmtuar përmes plotësimit të shënimeve të rrejshme të provimeve.

Me këtë veprim akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumentit”.

Sipas aktakuzës, Feti Ismajli akuzohet se i ka mundësuar regjistrimin në vitin e parë të studimeve, të pandehurit Albisjan Fazliu në vitin akademik 2011/12, në Fakultetin e Mjekësisë – Dega Stomatologji në Prishtinë. Një gjë të tillë sipas prokurorisë, e kishte bërë pasi që fillimisht kishte vënë në kontakt me Albisjanin dhe babin e tij, Muhib Fazliu, duke i ndihmuar Abdyl Bujës përfitim material, i cili i kishte marrë tre mijë euro nga Muhib Fazliu dhe ia kishte dërguar të akuzuarit Buja, kinse për t’ua dhënë zyrtarëve të këtij Fakulteti.

Më çka, sipas aktakuzës kishte kryer veprën penale “marrje e ryshfetit”.

Rajmonda Borovci, akuzohet se i ka premtuar tërthorazi të pandehurit Abdyl Buja, për t’ia dhënë 5,000 euro që të ndërmjetësoj te zyrtarët e caktuar të Fakultetit të Mjekësisë të UP-së, me qëllim të transferimit të saj prej degës së Infermierisë në degën e Farmacisë, i cili transfer kishte dështuar meqë ka qenë në kundërshtim të plotë me procedurat ligjore.

Shuma prej 5,000 euro, sipas aktakuzës i është dorëzuar nga i pandehuri Granit Ismajli te i pandehuri Abdyl Buja.

Me çka, sipas prokurorisë, e akuzuara Borovci ka kryer veprën penale “dhënia e ryshfetit”.

Granit Ismajli akuzohet nga prokuroria se në mënyrë të tërthortë i ka dhënë ryshfet personit të caktuar ashtu që gjatë nëntorit 2013, kur i pandehuri Abdyl Buja, përmes telefonit i ka kërkuar 5,000 euro duke i premtuar që të kryej transferimin e Rajmondës prej degës së Infermierisë në degën e Farmacisë, përmes zyrtarëve të caktuar të këtij fakultetit, 5,000 euro ia ka dorëzuar Granit Ismajli, babai i Rajmondës, Kamer Borovci.

Në të njëjtën ditë, i Ismajli në restorantin Pauna në Lipjan, ia ka dorëzuar 5000 euro të pandehurit Abdyl Buja për realizmin e premtimit të dhënë, mirëpo pasi ky ka dështuar së realizuari premtimin kurse paratë nuk ia ka kthyer, Ismajli është detyruar që të huazojë 5,000 euro të cilat pastaj ia ka kthyer Kamer Borovcit.

Me këtë rast, sipas prokurorisë, Ismajli ka kryer veprën penale “dhënia e ryshfetit”.

Për dhënie ryshfeti po akuzohet nga prokuroria edhe Hyrije Koraqi.

Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, Koraqi e kishte bërë pas largimit nga puna si asistente në Fakultetin e Mjekësisë, ashtu që, në shkurt të vitit 2012, në lokalin “Rangonë” në Prishtinë, ia ka dhënë tërthorazi Abdyl Bujës përmes Mentor Ismajlit 1,000 euro, për ish-rektorin e UP-së, Mujë Rugova, dekanin e FSHMN-së, Tahir Arbneshi dhe profesor Naser Mrasorin.

Pas kësaj, sipas prokurorisë, Koraqi kishte filluar punën sipas kontratës për semestrin 1 prej 1 tetorit 2011 deri më 15 shkurt 2012 e pas kërkesave të vazhdueshme për t’ju dhënë prej 4,000 deri më 20,000 euro, Koraqi sipas aktakuzës, ua kishte dhënë 1,000 euro të pandehurve Abdyl Buja dhe Mentor Ismajli në picerisë “Extreme”, në Prishtinë.

Pasi që ishin larguar nga piceria, në oborrin e Fakultetit të Mjekësisë, Koraqi ia kishte dhënë të pandehurit Ismajli edhe 1000 euro.

Tutje, sipas aktakuzës, më 7 mars 2012, i pandehuri Ismajli i kishte thënë Koraqit se nuk është bërë kontrata sepse nuk ka kryer pagesën për lidhjen e kontratës dhe për pasojë Koraqi nuk ka punuar deri në shtator 2012 kur është ri pranuar për asistente e angazhuar por jo e rregullt. Në shtator 2013, i pandehuri Buja ia kishte kthyer 2,000 euro Koraqit, por të cilat ia kishte marr nga dora i pandehuri Ismajli kinse për të verifikuar origjinalitetin, e pastaj ia ka kthyer 1,500 euro Koraqit, ndërsa 300 i ka ndal për veti e 200 i ka ndarë për Bujën.

Me çka, sipas aktakuzës, Koraqi ka kryer veprën penale “dhënia e ryshfetit”. /Betimipërdrejtësi/

Në trend Lajme

Më shumë
Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Muhamet Hajrullahu
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Detaje të reja nga krimi që la të vdekur dy persona në Prishtinë – policia njofton se është arrestuar një i dyshuar që po trajtohej në QKUK

Detaje të reja nga krimi që la të vdekur dy persona në Prishtinë – policia njofton se është arrestuar një i dyshuar që po trajtohej në QKUK

Drejtësi
Avokati Kërveshi dhe kompania

Avokati Kërveshi dhe kompania "Kërveshi & Partners" shpallen më të suksesshmit në Kosovë për vitin 2023-2024 nga “The Legal500”

Lajme
Gjenden të shtrirë në rrugë pa shenja jete dy persona në Prishtinë – policia nis hetimet

Gjenden të shtrirë në rrugë pa shenja jete dy persona në Prishtinë – policia nis hetimet

Kronika e Zezë
Bajrami, Kurtit: A po të kujtohet që i premtojshe do fabrika të keçapit nëpër oda – mjaftë me manipulime

Bajrami, Kurtit: A po të kujtohet që i premtojshe do fabrika të keçapit nëpër oda – mjaftë me manipulime

Lajme
Kalo në kategori